Vinçenco Montela është prezantuar zyrtarisht sot si trajneri i ri i Milanit, por fjalët e tij të para mund të lënë të pakënaqur tifozët e kësaj skuadre. Të gjithë ëndërrojnë që kuqezinjtë të kthehen të luftojnë për tituj apo për të shkuar në Ligën e Kampioneve, por trajneri i vendos një objektiv më të lehtë skuadrës.
"Është e papranueshme që Milani të mos luajë në Europë prej tre sezonesh. Ky do të jetë objektivi ynë kryesor. Ka gjëra që duhen rregulluar dhe unë do të mundohem t'i bëj në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne duhet të kthehemi në Europë nëpërmjet modelit të lojës që më kërkon klubi. Objektivi ynë minimal është Liga e Europës", deklaroi ai.
Trajneri i ri shpjegoi se kishte filluar të punonte për modulin me të cilin do të zbriste skuadra në fushë, por pa dhënë shumë sqarime. "Klubi e di se cilat janë idetë e mia dhe sot e kanë kuptuar edhe lojtarët. Gjithçka fillon sigurisht nga mbrojtja me 4 lojtarë dhe pastaj 3 mesfushorët. Pastaj, për pjesën tjetër, të shohim", tha ai.