Për drejtorin e Galerisë Kombëtare, Shima, leximi i veprës fituese, që ka simbolikë Kullën është fare e qartë. Ai s’ka begenisur shumë të merret me kundërshtitë dhe mënyrat e interpretimit. Tek e fundit, ai ka bërë punën kryesore: Duhej politikisht një monument ndaj ai realizoi konkursin me një juri të përzgjedhur dhe në fund zgjodhi fituesin. Vetëm se fituesi i monumentit të Pavarësisë, nuk e ka ‘shijuar’ shumë fitoren, pasi një lumë ankesash, pretendimesh, akuzash i janë derdhur nga sipër.
Anipse, dy skulptorët: Visar Obrija kosovar dhe tjetri gjermani Kai R. Kiklas kanë pretenduar se ata s’kanë pasur asnjë ndikim dhe kanë shpalosur idenë e tyre: “Objekti për 100 vjetorin e pavarësisë, duhet të kishte një konstrukt simbolizues për shqiptarët. ‘Kulla mbrojtëse’ ishte një objekt që hapet, e njëkohësisht hapet dhe rruga e lirisë”. Drejtori i Galerisë ka shpjeguar se projekti i zgjedhur është një vepër që frymëzohet qartazi në mënyrë shumë të kthjellët nga kulla, simbolika e shqiptarëve. Një kullë e cila propozohet e hapur nga dy volume dhe rruga që është zgjedhur si simboli i hapjes së kombit drejt lirisë. Debatin e hapi fillimisht një artist modest, Fate Velaj, i cili jeton në Austri dhe pretendoi se ishte një kopje e monumentit të tij, vendosur në qytetin e Pogradecit që prej vitit 2009.
Të tjerët, ia atribuan një pune të njërit prej skulptorëve më të njohur sot në botë, i cili punon me vëllime të mëdha fletësh metalike duke e cilësuar këtë projekt, si huazim ose kopjim nga punët e skulptorit Richard Serra. Thoma Thomaj, pjesëmarrës në ekspozitë, ka sjellë idenë e imazhit të flamurit. Skulptori ka ideuar një flamur të madh në bronz të shkëlqyer. Materiali i bronzit të shkëlqyer është menduar që ti ndryshojë pamjen monumentit në varësi të dritës së natyrës dhe pasqyrimit të saj mbi të. Projekti i tij synonte paraqitjen e një vepre që përpiqet të flasë me gjuhën plastike të skulpturës në shprehjen e lëvizjes së flamurit në valëvitje. Kjo valëvitje, e materializuar në vëllim skulptorik që tenton lëvizjen, shpreh forcën dhe triumfin e një populli në ngritjen e tij historike, ngritje e cila kulmon me pavarësinë. “Mendova se kjo e jepte sa më mirë idenë dhe i kishte të gjithë elementët për të përbërë një vepër të tillë”, thotë skulptori, që pastaj preferon të mos bisedojë më për konkursin sepse ishte pjesëmarrës në të...
Ajo është thjesht një kuti
Kurse skulptori i njohur Muntaz Dhrami ka qenë i papërmbajtshëm: “Ajo është si kuti. Pavarësisht se çfarë teorish shtrojnë se janë frymëzuar nga kulla shqiptare. Ato mund të thuhen në letërsi, ndërsa në plastikë ka diçka krejt tjetër. Sqaroj se në konceptimin artistik, kjo vepër nuk ka ngarkesën e monumentit, nuk ka absolutisht asgjë. Dhe po të marrësh kullën duhet të trupëzohet elementi i kullës.
Por kulla s’është kuti. Ajo ka dramaticitet, ndërsa kjo e sjellë për monument është e ftohtë si plastikë. Këta thonë se do t’i shtojnë edhe ilustrimet. Ato janë kot sepse vetë ngrehina duhet ta ketë dramaticitetin dhe heroizmin. Dhe kur e shikon kullën e ekspozitës si të tillë, me çatinë është tjetër gjë...”. Por, autori, është i pakënaqur edhe për faktin e bërjes së një konkursi të tillë për një monument në lidhje me 100 vjetorin. “Unë në koncept jam krejt kundër një konkursi të tillë sepse çdo mendosh më 150 vjetor: do bëjmë tjetër monument ne. Monumenti i shkon ngjarjes dhe ky objekt e ka vendin në Vlorë. Ndaj, pjesëmarrësit në këtë konkurs, nuk kanë ditur se çfarë të bëjnë, se një përkthim i një ngjarje të tillë i mjafton qoftë edhe një obelisk…
Me rastin e 100 vjetorit ose ngrihet një godinë dhe thuhet se kjo u bë me këtë rast ose i kushtohet një Obelisk. Në kohën e Zogut u realizua një objekt më 1927, që e bëri Butka. Ishte një hark me shqiponjë dhe me një flakë të përjetshme. Kurse kjo e pavarësisë është tjetër gjë. Monumenti s’kam dëgjuar të bëhet me sulm për një kohë të caktuar. Ai që u ngrit në Vlorë është monumenti i vetëm i pavarësisë”. Po kush të pëlqeu atëherë, e pyesim? “Ato që kishin si embrion shqiponjën dhe flamurin kishin më shumë mundësi të trajtoheshin. Më pëlqeu Kujtim Xhamo. Kishte flamurin atë të betejave.
Kishte një detaj, ku është diçka që lëshon një pëllumb. Por edhe puna e Thoma Thomajt. Ndërsa duket si kasolle, kjo vepra e këtyre. Edhe krahu i shqipes është shfrytëzuar shumë dhe në arkitekturë edhe pse më duket në një aspekt si interesante. Një monument të mirë kish Agim Rada, që e kish konceptuar të vendosur në rrugën e Durrësit. Dy krahë që hapeshin si plastikë dhe që s’kishin lidhje fare me Sheshin Skënderbeu. Dukesh në të njëjtën kohë Sahati dhe Rruga e Durrësit, prej saj. Ajo vendosej tamam në fillim të gjelbërimit, ku ishte monumenti i Enverit. Një tjetër është edhe ajo e paraqitur nga Qazim Kërtusha te Sheshi i Flamurit te Shkolla. Dhe kjo mund të vendoset në park dhe ka plastikë vetëm aty. Ato që kishin një frymë monumentale kishin mundësi të realizoheshin”. Këtu mbyllet. Për skulptorin e njohur, ky konkurs ishte fare i panevojshëm...
Rubens Shima: Është lexuar cekët
“…Për disa artikuj që ka pasur në media për huazimin apo kopjimin e këtij projekti nga ndonjë artistë shqiptar apo i huaj, më duhet të them se në këndvështrimin tim është një lexim i cekët dhe për rrjedhojë një moskuptim i plotë si veprës së dy arkitektëve, por dhe i projektit të monumentit të 100 vjetorit të pavarësisë. Projekti i zgjedhur është një vepër që frymëzohet qartazi në mënyrë shumë të kthjellët nga kulla, simbolika e shqiptarëve. Një kullë e cila propozohet e hapur nga dy volume dhe rruga që është zgjedhur si simboli i hapjes së kombit drejt lirisë. Anëtarët e jurisë janë duke bërë një kërkim në Tiranë për të gjetur një vend të përshtatshëm se ku mund të ndërtohet ky monument. Sepse ky projekt përjashton çdo lloj mundësie që ky monument të vendoset pranë qendrave të banuara. Ky objekt kërkon, një lulishte, një park apo një mjedis të gjelbëruar, kjo është marrë në konsideratë nga juria dhe do të merret dhe nga Bashkia e Tiranës…”.