Monumenti i Pavaresise ne Tirane - Hiqeni me mire!

Monumenti i Pavaresise ne Tirane - Hiqeni me mire!

Monumenti i Pavarësisë në Tiranë nuk përbën më asnjë lajm kur dëmtohet. I lënë krejt në mëshirë të fatit, në delir shfrimesh adoleshentësh kosovarë, patetikëve të rinj shqiptar...dhe më së shumti hajdutëve, ai përbën shembullin e monumentit kitsch, që e bën qytetin tonë edhe më të zymtë dhe që më e mira nga të gjitha do ishte të kishte një destinacion të ri...larg syve dhe dëshirës së bjerraditësve për ta rrjepur...

Hiqeni më mirë! Kjo është ofshama që të lind vetvetiu nëse shikon sot Monumentin e Pavarësisë në Tiranë tek Parku “Rinia”, i bërë ngutazi për të ekuilibruar disi kompleksin monumental historik në Vlorë. I kanë vjedhur rregullisht pllakat në faqet e strukturës 8-metroshe, sot, mbushur plot shënime çapraze dhe idile rruge, ndërsa ende ka të shënjuar ngjitëset e letrave të lëna ngutazi në pisllëkun që e rrethon ngado. Platforma e bazamentit, menduar si qëndrestore, është shkalafitur dhe i është hapur diku, e marrë llamarina në anën tjetër, kurse pllakat e shtrojës që mbajnë faqet anësore të monumentit janë krejt të  rrjepura. Të mendosh është vetëm 150 metra nga zyra e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri (që edhe pa të mëton se ka një mal telashesh në kokë); ashtu si ndodhet 200 metra më tej zyrës së kryebashkiakut të Tiranës, edhe ai me një mal punësh që i kërkojnë përgjigje, shumë syresh të pakryera vitazi për qytetarët e vet...”Shkoi sërish ky”, na thotë një burrë, teksa fotografoj. Burri, të cilin ka bërë me shenjë koke i panjohuri, rrotullohet kot atypari, për ndonjë nevojë personale ndoshta. Po ja ku është Tajvani, i themi dhe madje pa para. Pse këtu? “Ah, por aty e ka qejfin...Në mejdan, para të gjithëve!!!” Dy të rinj seç hedhin një romuz, ndërsa një vajzë më shikon me ironi sepse i kam zënë vendin, teksa kalon. Dikush bën potere me dikë përballë, në mes metrash të tërë larg. Një tjetër ka lenë qenin t’lirë dhe e ndjek pas me përdëllim shenjtori, kurse nga përtej më duket se m’përqeshin dy mesoburra. Ka një ndjesi të keqe ngado. Ajo që dua të besoj realisht është se: nuk ka më varfëri materiale në këtë vend. Këtu ka thjesht varfëri shpirtërore. S’e besoj tamam këtë në këtë varfëri kombëtare të rrethinave. Po pse vallë e ngacmojnë monumentin? Këtë nuk e rrok. Ose dua të besoj vërtetë se këtë monument, që është vërtetë kitsch, mund ta linin të qetë në këtë telash që i bënë, duke e vendosur në një vend, ku askush nuk e respekton. “Është shurrëtore”, gati më bërtet një plak mu afër veshit, teksa fotografoj. Të ka bërë gjë, i them, thjesht duke u kthyer. “Një mut”, dhe ikën.


Një polic bashkie, që duhej ta ruante, tani gjendet i akuzuar për të, por pllakat që nga korriku i këtij viti, kur u lajmërua batërdia e radhës, nuk iu kthyen më. Tashmë monumenti është një ngrehinë e rrjepur e pistë mbushur me shënime patetike. Nuk e di nëse është e mundur, por di se ky monument vazhdon të fusë duart në xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit… Shifra? Një pllakë kushton 400 euro. Mungojnë shtatë syresh. Dhe, që vidhen shpesh...


...


Futem mes strukturës monumentale. Vend ideal idilesh çasti ose lehtësirash fiziologjike për të trandurit nga mëndtë. Roni dhe Veton, Blerina, Venera, Elona e transformuar Ebona janë të shkruara shumë sipër...; Krenare, Toska, Florjeta dhe me të njëjtën kaligrafi është shënuar Pejë 23.09.2014; Kristi, Ela, Jona, Klajdi dhe një: Të dua, që është bërë me dorën e tyre; King i nosa është shkruar me të kuqe...Jemi seriali ne ooooo! Kozeta+ shenja e zemrës, e shkruar me të bardha dhe shenja mbetjesh të letrave...Eni, Stefi, Sara dhe një shenjë tjetër zemre.  Justin Bieber...Këto janë pra, mbishkrimet e reja bashkëkohore, që i janë shtuar 40 firmëtarëve të Vlorës dhe që i kundroj disi i lehtësuar tani, kur njerëzit nuk më afrohen më. Konsiderohesh si demode, po qëndrove këtu. Kur ka marrë fund dhe vala e patriotëve që qanin për kombin, tani quhesh si budalla, po t’i afrohesh e ta nderosh ngrehinën tërësisht kitsch. Të vjen të qeshësh, kur kujton se historianët ende zihen shumë me njëri-tjetrin për aksh personazh nëse ishte apo s’ishte. Kur erdhi dhe kur iku prej Vlore? Kush nënshkroi i pari dhe çfarë faqe zuri në historinë tonë? Këtë mundohem të vendos në rregull, teksa gjërat të rrotullohen pa shpresë në kokë. Nuk kanë mjaftuar që monumentit i kanë hequr pllaka t’tëra, jo asnjëherë; nuk janë mjaftuar edhe që t’i ngjisin lloj-lloj gjërash apo që lënë mbishkrimet patetike të dashurisë adoleshente, por edhe e ndyjnë. Me pëgëra, me indiferencë dhe duke e lënë kështu. Ky monument është turpi i të gjithëve: artistëve, urbanistëve, qytetarëve pa dallim dhe politikanëve.


Është kaq pa sens, saqë artistët jo vetëm nuk i gjejnë dot vlera mirëfilli estetike edhe pse si monument qëndron në të gjithë kompleksitetin e vet, por nuk mund të gjejnë edhe ndonjë ide sesi mund të rivitalizohej. Edhe pse kundërshtesat për të u bënë që në kohën e prezantimit si konkurs. Por vullnetet u anashkaluan dhe lindën këtë monument, që po përjeton një fat të tillë. E të dish se paradoksi shkon edhe më tej, kur mendon se një shumicë ende nuk e ka parë dhe madje as nuk di simbolikën e saj.
...


Mundohem të fotografoj detaje, por mungesa e profesionalitetit si fotograf, duket se e cenon idenë për të dhënë të sotmen e trishtë të monumentit. Shqetësimi të rritet nga indiferenca e njerëzve, por më shumë mungesën e kujdesit të nevojshëm për të. Burri, që më bënte me shenjë për bjerraditësin, afrohet dhe s’e kuptoj pse qëndron pas kurioz. Kthehem. “Të thashë që do të shurroj”. Në fakt, i ngrati nuk po shurron por po përdor faqen ku Klajdi dhe Jona i shprehin dashurinë njëri-tjetrit, t’i ruhet një thellime që vjen nga Dajti. Sikur, më mirë ta hiqnim këtë monument. Po, ta hiqnin. Nuk duket fare si pjesë e qytetit, as e këtyre njerëzve që rrotullohen sikur është asgjë, apo edhe për këta adoleshentët që në vend të shenjave të Kupidit, të mund të linin një lule. Kurrë s’ka pasur lule. Ka vetëm pllaka të hequra, pisllëk dhe ironi. Ironi me një shenjë, që nuk u bë dot simboli i shqiptarëve. Ironi me një vepër kitsch, të vetë jetës sonë kitsch.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama