Monumenti i Terencianit Zbulohet ne Bylis statuja e mermerte e shekullit te dyte pas Krishtit ne kerkim te nje tjetre

Monumenti i Terencianit: Zbulohet në Bylis statuja e mermertë e shekullit të dytë pas Krishtit, në kërkim të një tjetre
Ka qenë ekspedita shqiptaro-franceze, e cila duke vazhduar gërmimet për zbulimin e qytetit ilir, është ndeshur nën tokë me këtë shtatore me vlera të mëdha arkeologjike. Sipas drejtuesit të ekspeditës, prof. Skënder Muçaj statuja i përket shekullit të dytë të erës sonë (pas Krishtit) dhe i përket njërit prej djemve të Terencianit, Maksimit, gjë që duket edhe në mbishkrimin e zbuluar nga arkeologët në këtë banesë romake. Statuja është e punuar në mermer dhe është ndër më të rrallat zbulim i deritanishëm në Bylis, çka tregon edhe ritet mortore në familjet e pasura romake. Në lidhje me këtë zbulim flet për “Metropol” drejtori i punimeve të ekspeditës shqiptare, prof. Skënder Muçaj..

Statuja e gjetur prej ekspeditës suaj në Bylis paraqiste një veshje nëpunësi?

Në gjuhën shkencore quhet togat. Është nëpunës i periudhës perandorake-romake. Duket se i takon shekullit të dytë të e. s. Edhe monumenti në të cilin u gjet ai edhe mbishkrimi që i përket kësaj statuje, edhe materiali arkeologjik i gjetur që flet për shkatërrimin e monumentit, lidhet me vitet 160-200 të e. s. Kjo sepse shkatërrimi i përket fillimit të shekullit të tretë. Jemi ende herët për të dhënë data të sakta, megjithatë materiali është ende i pastudiuar siç del direkt nga gërmimi. Shihet, por jo me aq imtësi për të dhënë konkluzionet tepër ekzakte. Jemi gjithnjë në shekullin e dytë për këtë statujë dhe monumentin. Ne e kemi quajtur “Monumenti i Terencianit” dhe vitin e shkuar ne bëmë një sondazh dhe zbuluam mbishkrimet dhe e emërtuam monumentin e Terencianit, sepse është një familje që quhet “familja e Terencianit”. Babai ua ka kushtuar këtë monument dy djemve të tij Vasimusit dhe Terencianit dhe ky emërtim ka ngelur për këtë monument. Në fakt kjo është një shtëpi, por në shtëpinë romake ka edhe një statujë që u kushtohet të parëve, ose bijve të vdekur që janë larguar nga jeta. Sipas traditës, atyre u kushtohet një pjesë e shtëpisë dhe kjo statujë që ne kemi zbuluar deri tani është një pjesë e shtëpisë dhe të parëve të shtëpisë Terenciani.

Konkretisht ekspedita çfarë është duke zbuluar në qytetin e lashtë ilir të Bylisit?

Në Bylis këtë vit veç statujës së Terencianit që është gjetur në fillim të gërmimeve, ne jemi edhe në vazhdim të gërmimeve në kompleksin e madh të Peshkopalit. Është një ndër më të mëdhenjtë ky kompleks në të gjithë Mesdheun, jo vetëm nga sasia e statujave, por edhe nga madhësia. Është i ruajtur mirë dhe kjo ka vlerat e saj. Deri tani kemi zbuluar punishtet e këtij kompleksi. Kemi zbuluar fillimisht punishten e marangozëve, vajit të ullirit dhe këtë vit jemi duke përfunduar zbulimin e kantinës së verës.

A janë ruajtur në gjendje të mirë këto zbulime?

Kantina e verës p. sh.:, është ruajtur në gjendje shumë të mirë, është e plotë dhe është ndër rastet e rralla që të gjesh një punishte të tillë që të vijë nga shekulli i 6 dhe ta gjesh atë siç ka qenë vitin e fundit të shkatërrimit të saj. Ajo i ka të gjitha; vaskën ku shtrydhej me këmbë rrushi, ka një vaskë tjetër ku shtrydhej rrushi me dorë, ka vendin ku mblidhej mushti që shtrydhej në govatë, ka bidonët e mëdhenj dhe vaskat e mëdha ku depozitohej vera. Nga dhoma e parë e kantinës ajo shpërndahej në magazina të tjera, njëra prej të cilave është zbuluar para vitit 1990. Pra, këtu kemi një punishte të madhe të zbuluar. Deri tani vetëm vaska janë mbi 30 të tilla. Është një punishte e madhe e peshkopatës së asaj kohe. Bylisi është një shembull i mirë i marrëdhënieve të pushtetit që kishte kisha me pushtetin publik.
Gjetja e statujës së Terencianit ka qenë rastësi apo e studiuar prej kohësh?
Që kur e zgjedhim vendin për të gërmuar, pak a shumë ne e dimë vendin ku do të shkojmë. Pastaj se çfarë gjejmë skulptura ose jo është tjetër gjë. Ne shkuam me mendimin se në atë vend do të gjejmë një skulpturë të rëndësishme dhe menduam se mund të kishte ngelur diçka prej tyre. Ne e dimë që në Bylis ka vazhduar jeta rreth 1000 vjet dhe periudha romake ka pasur shumë skulptura, mbi të është vendosur periudha e antikitetit të vonë që nuk ishte shumë e zhvilluar dhe nuk kishte nevojë për skulptura sepse ka lulëzuar kisha dhe nuk kishte nevojë për skulptura që vinin nga një kohë më e hershme pagane. Në qoftë se ato i gjenin në antikitetin e vonë nuk i përdornin më si më parë, por i prishnin për t’i djegur në furrat e gëlqeres, në ndërtim etj. Ky ka qenë shans që skulptura u gjet e mbuluar dhe ne e dimë që kemi zbulime të tjera të rëndësishme.
Skulptura është e copëzuar prej viteve. E gjetët pjesë-pjesë, apo të gjithën bashkë?
Në këtë pjesë e kemi gjetur të plotë dhe shpresojmë që pjesët e tjera të saj t’i gjejmë në vazhdim. Sot gjetëm një pjesë të supit, dje një pjesë të dorës, kështu që mendojmë të gjejmë edhe pjesë të tjera të shpërndara ndoshta edhe jashtë banesës, në themelet e së cilës është dëmtuar shtati i togatit. Por veç kësaj kjo ndërtesë e periudhës romake merr vlera të mëdha sepse edhe nga ana e arkitekturës ka vlera të veçanta. Ne kemi gjetur edhe 2 kupa që mbanin verën që janë tepër të rralla, ato janë gjetur në vend. Janë vërtet të rralla, sepse ato janë përdorur dhe lëvizur nga vendi. Kurse aty janë gjetur të dyja të montuara dhe ky është një rast tepër i rrallë jo vetëm për vendin tonë, por edhe për gjithë Mesdheun.
Sa me vlerë është statuja dhe për nga vlera është e ngjashme me ndonjë statujë tjetër?

Ne në Bylis nuk kemi gjetur ndonjëherë shtat si ky. Kemi gjetur koka mermeri siç është koka e Adrianit në vitin 1991. Koka e Adrianit është statujë shumë e bukur dhe si figurë. Ne në Shqipëri kemi dy koka të Adrianit. Njëra e gjetur në Apoloni, tjetra në Bylis. Materiali është mermer dhe janë të një shkolle. Në atë kohë mund të ketë qenë shkolla e Apolonisë, por nuk përjashtohet mundësia që shkollë të ketë pasur edhe Bylisi. Bylisi shquhet në të gjitha periudhat për përpunimin e gurit dhe në antikitetin e vonë për mozaikun. D. m.th në atelietë e Bylisit njohën vepra jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Periudha romake ka pasur prodhimin në seri veç kokës, ndërsa shtati gdhendej në punishte të veçanta në seri. Po kështu edhe në qeramikë, ku Bylisi është i specializuar.
Përse zbulimet e Bylisit ju i sillnin në Apoloni?

Materialet e gjetura në Bylis ne i depozitojmë në muzeun e Apolonisë, sepse ky muze ka fondet dhe ne kështu e kemi zgjidhur tani për tani. Nëse në Bylis do të ndërtohet një muze, atëherë materialet do t’i dërgojmë në Bylis, atje ku janë gjetur. Unë mendoj se Bylisi e ka të domosdoshme ndërtimin e muzeut, por punët nuk kanë ecur shumë mirë. Mendoj se parku i Bylisit duhet të luftojë shumë për të ngritur një muze, sepse muzetë në qendrat arkeologjike marrin vlera shumë të mëdha.
Statuja do të rrijë në Apoloni, apo do të shkojë në Tiranë?

Ne nuk kemi vendosur ende se ku do ta çojmë, por problemi është që ai duhet të rikthehet përsëri. Ky është qëllimi. Nëse ajo nuk ekspozohet te vendi ku është gjetur, atëherë parku do të jetë thjeshtë një kopje. Vizitori i Bylisit duhet ta shikojë statujën atje ku është zbuluar, ndoshta jo origjinali, por kopjet. Piedestali i saj është Maksim Terenciani, e ka edhe emrin e tij dhe shtatin e bërë nga babai i tij. Sa më shumë të restaurosh në qytet, aq më shumë vlera merr. Deri tani bashkëpunimi ynë me restauratorët dhe arkeologët e huaj ka qenë shumë i mirë. Brenda ekipit ne kemi marrë edhe persona që kanë punuar në fushën e restaurimit. Këto bashkëpunime janë shumë frytdhënëse dhe kanë qenë të koordinuara në kohë dhe jo si më parë që ka pasur bashkëpunim, por jo koordinim në kohë. Duhet të jetë e qartë që në qendrat arkeologjike, është arkeologjia ajo që është pararoja e punës dhe restaurimit, njohjes së materialeve, muzeumet etj.
Ju drejtoni gërmimet në ekspeditën shqiptare...?

Po unë kam qenë që nga fillimi drejtuesi i ekspeditës shqiptare që nga viti 1978 së bashku me arkeologun Neritan Ceka për gërmimet në Bylis. Ne kemi qenë të dy drejtues, unë për antikitetin e vonë, ndërsa ai për antikitetin dhe bashkë kemi punuar për shumë vjet. Puna e përbashkët mes dy departamenteve ka qenë e frytshme, më vonë u ndërpre, por besoj në të ardhmen mund të vijë një ekip tjetër dhe të bashkëpunojmë sërish. Aktualisht në ekspeditë janë arkeologë francezë së bashku me ekipin shqiptar? Pala quhet franceze, por ka arkeologë nga vende të ndryshme, nga Kanadaja dhe nga Franca, është një ekip i madh prej 20 vetësh.

Deri kur do të vazhdoni me këtë ekspeditë?
Ne punojmë gjithnjë me sezone një mujore. Gjithnjë vijmë në maj dhe do të vazhdojmë 4 javë. Është e mjaftueshme, sepse duke qenë një ekip i madh puna realizohet. Po kështu edhe problemi i fondeve, ato aq janë. Po kështu edhe ekspertët e ekspeditës franceze i kanë fondet e programuara. Megjithatë, gërmimet në Bylis kanë ecur mirë, si në fillim, ashtu edhe tani. Të huajt kanë qenë korrekt në fushën e gërmimit, restaurimit, ekipi francez ka punuar mirë dhe ka qenë një shembull i mirë.
Çfarë vlerash ka për parkun arkeologjik gjetja e kësaj statuje?

Ka vlera të jashtëzakonshme. Është një statujë unike, e cila dëshmon për një qytetërim të mirëfilltë romak. Po kështu shton së tepërmi numrin e vizitorëve vendas dhe të huaj në Bylis, si një nga qendrat arkeologjike më të pasurat ilire për sa i përket veprave të artit.

Parku Arkeologjik i Bylisit, pasuri me vlera të mëdha historike... Bylis, qyteti antik me një jete 10-shekullore Bylisi është një nga qytetet antike më të rëndësishëm të vendit, i themeluar në mesin e shekullit IV p. e. s. (para Krishtiti). Mbi parimin e synecizmit që do të thotë ndërtimi i një qyteti të ri si qendër e një bashkësie të caktuar në rastin konkret të bylinëve shumë shpejtë Bylisi mori pamjen e një qyteti të madh dhe të zhvilluar për kohën.

Qyteti Bylis
I vendosur në pllajën e një kodre pran fshatit të sotëm Hekal qyteti shtrihej në një sipërfaqe prej 30 ha e cila mbrohej nga një mur rrethues me gjatësi 2.2 km, gjerësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m i cili ende sot ruhet relativisht mirë. Muri rrethues ishte pajisur me hyrje dhe kulla të shumta mbrojtëse.
Që në shekullin III p. e. s. (Para Krishtiti) qyteti pajiset me monumente të shumta dhe të rëndësishme të tilla si, teatri me kapacitet 7500 spektatorë i cili shërbente jo vetëm për shfaqje të ndryshme teatrale dhe muzikore për banorët e qytetit dhe zonave përqark tij por edhe si vend mbledhjesh ku merreshin vendime të rëndësishme për fatet e bashkësisë byline. Krahas teatrit qyteti kishte stadiumin e vet, dy shëtitore, njëra prej të cilave dykatëshe, depozitën e ujit, prytaneonin, gjimnazin, altarë, banesa, rrugë etj. Qyteti kishte edhe punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta.

Zhvillimi në Bylis

Janë të shumta dëshmitë se kemi të bëjmë me një qytet të zhvilluar si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë kulturor në epokën helenistike (shekulli IV – shekulli I, p. e. s.).
Në dallim nga një pjesë e qyteteve që fillojnë rënien në epokën romake dhe atë të antikitetit të vonë Bylisi vazhdon të jetë një nga qytetet më të rëndësishme të Ilirisë së Jugut deri në shekullin VI. e. s. (Pas Krishtit) Në përshtatje me kushtet e reja qyteti pajiset në këtë kohë me monumente të tilla si termet (banje publike) romake, pesë bazilika A, B, C, D, E (kisha paleokristiane), katedralja, pasi ishte qendra kryesore peshkopale për zonën pasi edhe peshkopi i fundit i Apolonisë u vendos në Bylis.
Koha e trazuar me dyndje të shumta barbarësh fillimisht dhe sllavësh më vonë i detyroi Bylinët të ndërtojnë një mur të ri mbrojtës i cili rrethonte 1/3 e sipërfaqes së qytetit por që shërbente për strehim të popullsisë në rast rreziku pasi jashtë tij ishin ndërtuar dy bazilika, D dhe E si dhe banesa.
Braktisja e qytetit duket se ka ndodhur rreth vitit 586 e. s. (pas Krishtit) pas gati 10 shekuj ekzistence. Flet Prof. Skënder Muçaj. Nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama