Në Parkun Kombëtar të Divjakës janë prezantuar sot rezultatet e deritanishme të moratoriumit të gjuetisë, ku të pranishëm ishin dhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri Rama i vlerësoi si mbresëlënëse rezultatet e deritanishme nga moratoriumi, ndërsa tha se synimi i qeverisë është që ta shndërrojnë Divjakën në një zonë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik përmes turizmit.
“Është momenti për të bërë bilancin pas një viti pas vendosjes së moratoriumit. Së bashku kemi bërë të mundur diçka që dukej e pamundur. Kemi bërë të mundur një rikthim masiv të specieve të llahtarisura nga papërgjegjshmëria vrastare e njeriut. Fauna e egër ishte në minimum kritik. Gjahtarët duhet ta shtyjnë për ca vjet ëndrrën e tyre për të vrarë shpendë”, deklaroi kreu i qeverisë.
“Ky proces duhet parë i lidhur me ekonominë pasi qeveria po mbështet fuqishëm infrastrukturën e kësaj zone. Synimi ynë strategjik është ta transformojmë këtë territor në një zonë të fortë zhvillimi ekonomik përmes turizmit”, shtoi Rama.