Moratoriumi per gjuetine ligji ne Kuvend

Moratoriumi per gjuetine, ligji ne Kuvend

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese diskutoi dje projektligjin e hartuar nga Ministria e Mjedisit, që parashikon ndalimin e gjuetisë së çfarëdollojshme të kafshëve dhe shpendëve për dy vite. Deputetë të opozitës në komision deklaruan se moratoriumi për gjuetinë nuk do t’i japë zgjidhje problemit.

 

Sipas opozitës, zgjidhja e duhur do të ishte bllokimi i armëve të gjahut. Ndërkaq, kryetari i komisionit Eduard Shalsi, tha se moratoriumi është një masë ekstreme, por e drejtë. 

 

“Në Shqipëri po shfaroset fauna dhe flora. Kushdo gjuan dhe s’ka asnjë të dhënë”,- deklaroi Shalsi. Disa prej problemeve që e kanë çuar Ministrinë e Mjedisit për të marrë këtë masë janë: 

 

Shtimi i personave të pajisur me armë gjuetie, rritja e numrit të gjuetarëve të huaj klandestinë, por edhe ushtrimi i gjuetisë së paligjshme gjatë gjithë vitit, edhe në periudhën dhe ditët e ndaluara për gjueti. 

 

Sipas të dhënave, në vendin tonë janë të licencuar mbi 170 mijë gjuetarë, ndërkohë që gjuajnë me qindra e mijëra të palicencuar. 

 

Përfaqësuesit e shoqatave të gjuetarëve kanë kërkuar implementimin e përvojës evropiane në këtë fushë si edhe shoqërimin e shpalljes së moratoriumit me vulosjen e armëve të gjahut. Ndërkohë, disa prej tyre nuk e shohin si zgjidhje të problemeve moratoriumin për gjuetinë. 

 

Kryetari i komisionit, Eduard Shalsi u shpreh se, vendimi për ndalimin e gjuetisë është një vendim ekstrem, por nisur nga situata gjykohet se është një vendim i drejtë, duke qenë të gjitha palët e kanë pranuar se kemi të bëjmë me një situatë kaotike, krejtësisht jashtë kontrollit. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama