Mori Shkoder moj mizore pak na u duke e shume na dole...

Mori Shkodër, moj mizore, pak na u duke e shumë na dole...
(student i përjetshëm Shkodre) Po të mos kishte shkrue Zija Çela, nuk pata ndërmend me shkrue asnjë fjalë për çfarë po ndodh në Shkodër. Por mjeshtri më nxiti. Ani kërkujt mos me i ardhë mirë, për kërkënd mos me shkrue, mjaft që me vetën jam në paqë. E thashë atë fjalë që pata e dita në ato ditë kur fjalës më së shumti i është bjerrë vlera, kur rrena thuhet e del brenda sekondave, kur po ndodh ajo që është marrja e zotit me ndodhë, ku në mortë bëhet gjyq, kur politika e ditës ndyn si mos zot ma keq shpirtin e njerzve, kur më të zezë se ky mot i zi na e bën shpresen opozita që më së pakti din me opozitue, ose më së shëmtueshëm po opoziton. E të mendosh pastaj se pas ca vitesh do i vijë radha të jetë në pushtet.

Kujt me i shkrue? Pse me shkrue? Kujt me i folë? Kush merr vesh? Kush dëgjon? Në këtë mot të keq e ditë pragmorti mungon fjala e duhur e burrave të urtë.

Dhe e nisa me dy vargje të një kënge të madhe: Mori Shkodër, moj mizore/ Pak na u duke e shumë na dole… Sepse sa po shoh e dëgjoj, sa po prek e ndjej, më së shumti nuk po kuptohet Shkodra. Ajo është në hallin e vet, në atë hall të kahmotshëm qyshse është ngulë në atë vend që edhe zoti vetë ia ka lakmi.

Gjithmonë Shkodra u është dukë pak të tjerëve por gjithmonë u ka dalë shumë…

Ajo, që për hir të zanatit nuk po mundem me e përtypë, është rrena. Me fjalë kudo e kurdo, thuajse nga të gjithë, thuhet se në Shkodër ka 1 metër ujë, 1.5 metër ujë, levizet vetëm me varka, nuk ka bukë me ngrënë, nuk ka ujë më pi, nuk nuk nuk dhe fajin e ka qeveria!!!

Fjala thotë ndryshe, por për bela e fat të keq të fjalëfolësve, kamera jep pamje tjetër. Kujt ti besoj une dhe ti, fjalës apo kamëres. A mundet të levizë ndonjë veture apo makinë kur uji është 1 metër apo 1.5 metër, a mundet?!

A mundet të ecë ndonjë burrë, grua apo fëmijë në këmbë kur uji është 1 metër apo 1.5 metër, a mundet?! As Edi Rama jo që është politikani më i gjatë, nuk mundet me ecë kur ka aq ujë. Thuhet një metër ujë dhe njerzve u shkon uji maksimumi në gju. Çfarë metri kanë mediat tona?!
Por si i bëhet, kujt ti besojmë ne shikuesit e teleshikuesit, kur uji që shihet nga kamerat nuk i ka mbuluar gomat e makinave, parakolpet e makinave. Normal që aq ujë ka në Dri, ka në Bunë, ka në Liqenin e Shkodrës, por jo në rruget e Shkodrës mor ta marrsha! Rrenë që rrëzohet në çast dhe nuk skuqet folësi i lajmeve, as shkruesi pse pamja që ofron kamera e zbulon fjalën rrenë në çast. Ani, le të jetë rrenë, vec të shahet qeveria!! Mirë, le të shahet qeveria, por profesioni i gazetarit ku shkoi!?

Mbi 10 mijë ha tokë e përmbytur. Po, por duhet qartësuar, çfarë është kjo tokë, a është nën kulturë apo thjeshtë është territor. Është territor, më së shumti djerrë ose jo nën kulturë.

Dështoi Sali Berisha, faji është i Sali Berishës reciton nga maja e thanës Edi Rama. Jo mor zotëri, nuk ke gjetë kohën e duhur, çeshtjen e duhur, të ka ra natë në shënjestër të pushkës. Nuk fiton vota kësisoj, nuk fiton simpati. Se robi e din se nuk ka qeveri që shtyhet me zotin. Ka dekë Enveri, tha Zija Çela! Dhe njerzit në Shkodër e dinë fort mirë, ani pse ia ka qejfi ndokujt me ba hajgare.

Sipas Ramës, më vjen sinqerisht keq që nuk është pozicionuar dot si opozitë e nevojshme e këtij vendi në këto çaste historike, i bie që po të largohet sot Sali Berisha e të shkojë Rama në zyrën e tij, ai do ti mbarësojë brenda ditës punët e mbrapshta të këtij vendi, të këtij moti dhe do t’ua vejë lakun në fyt dy Drinave, edhe Drinit të Bardhë edhe Drinit të Zi!! Do t’i kthejë mbrapsht përpjetë! Ej, njerëz, s’është çasti për luftë me qeverinë, është çasti për ndihmë, ose më së paku, me ditë me heshtë e me ditë me ndje dhimbje. Ndryshe, duhet me kërkue largimin e qeverisë së Malit të Zi, të Serbisë, të Gjermanisë, të Polonisë, të Bullgarisë se është shumë vapë atje… Përralla!!

Më saktë e qartë, meqë mësova këto vite për infrastrukturën e kullimit, ta dijnë gjithë ato që duan të dinë, se nuk ka qeveri në botë që bën infrastrukturë kullimi në atë rajon për një sasi të tillë reshjesh. As sot as mot, as njëqind a dyqind vjet më pas.

Po, mundet, me kohë në dispozicion e me shumë lekë në dispozicion, me u sigurue më shumë disa argjinatura. Mundet edhe me u thellue Buna, por të mos harrojmë se gjithë llomet e ujrave në Bunë do të derdhën dhe ti thello sa të duash se prapë mbushet Buna, ai lumë mrekullie, i fjetur që s’kuptohet a ec a rri.

Mundet siç thotë specialisti kompetent të ndërtohet Skavica dhe pastaj shpëton gjithë rajoni. Por nuk bëhet me urdhër peshku as sot as dje. Nuk e ka ndalue askush askënd deri në 2005 ta ndërtonte Skavicën. As pas 2005. Por nuk është kollaj. Me e pa lojën e shahut nga jashtë shumëkush sheh gabime, por me hy me luajtë vetë, nuk din me luajtë sepse siç thonë për shahun, shumëkush e din, por pakkush e luan atë lojë.

Edhe ato shtëpia në ato fshatra që u ka shkue uji 1 metër, nuk i ka ndërtue as kjo qeveria aktuale, as ajo para kësaj në ato vende ku janë ndërtue. I kanë ndërtue të zotët e tyre, të cilët, në mos e paçin ditur deri sivjet, ta mësojnë për sot e mot, se ka mundësi që dimër për dimër apo pranverë për pranverë, do të duhet me duru për disa ditë ujin mysafir. Do të duhet me i nxjerrë orenditë në katin e dytë të vilave aq të bukura e me i lye shtëpitë pasi të ikë uji. Taksirat, por me mend në krye, sepse pahiri askush nuk ka ndërtue shtëpi aty ku e ka në tul toke, aty ku shkodrani shkodran denbabaden, nuk e ka begenisë me ndërtue shtëpi.

Sepse, siç më tha një mik shkodran sot, vjen pronari i tokës mor zot nojherë me e zgjat kryt e me pa. Shef e shef dhe ik prapë në punë të vet, por veç na kujton se dhjetë muaj jeni të bekum prej zotit me jetue në ato vende të Shkdorës, por dy muaj, ban vaki, gjuan edhe peshk se të vjen peshku në oborr. Pronari i tokës, sipas mikut tim, ishte uji që ka ardhë tani e vjen kur ti teket, pa pyet qeveri.

Po na del prej shumëkujt këto ditë se po u dhimbsen shkodranët më shumë se sa u dhimbset vetja shkodranëve. Kësaj i thonë në Shkodër, me ba hajgare.

Ajo që nuk më len të qetë as dje e as sot dhe sa herë ka situata të tilla e del fjala për ndihma dhe emergjenca, është mendësia komuniste e njerzve, e zyrtarëve, e ndihmëndarësve, e listëhartuesve e ndihmëkërkuesve.

Thelbi, është thelbi ky. Janë ca vemie, ca biznesmenë të specializuar për marrje, shpërndarje ndihmash që presin situata të tilla. Dhe shishja e vajit e falur ka futë në sherr vëllezërit gjithmonë në këto 20 vjet. Edhe pse nuk ka dikush nevojë për të, por është mall i falur dhe e duan të gjithë. Shumë më e fisme dhe fisnike me i dhënë lekë në dorë kujt i takon, pa ndërmjetës, pa sekserë, pa listëhartues, pa magazinëkërkues…
Shtohen fiktivisht sipërfaqet e dëmtuara, orenditë e dëmtuara, pasuritë e dëmtuara, kulturat e dëmtuara. Kjo, thonë në Shkodrën Shkodër, ashtë marrja e zotit!

Se mendohet si në komunizëm, që shteti duhet me shkue e me mëkue njerzit, me ua futë lugën në gojë, po shfaqet këto ditë kjo gjë e importuar në Shkodër, ndonëse rrallë. Nuk kam bukë, thotë dikush. Kujt po i thue nuk kam bukë, para se me i thënë burrit tënd, vëllait tënd, të afërmëve të tu a të burrit. Nuk i ka hije dhe nuk e bën një shkodran shkodran një gjë të tillë.

Më ka vdekë fëmija prej të ftohtit… Jo, jo, nuk zen kjo në Shkodër, nuk mbin.

Shkodra edhe në pikun e diktaturës, edhe në luftrat e rrethimet më të egra, ka mbajt veten mrekullisht, i ka dalë vetja boll gjithmonë. Nuk ka dalë kot qysh moti ajo fjala se Shkodra është shtet më vete. E të ardhurit në Shodër e rreth saj, që çuditën e tutën sot prej këtij gazepi, kanë me u mësue shpejt se duhet me u bë si shkodranët, me mendue e me jetue si ata. Kot nuk i ka dalë kënga ku i thonë Shkodrës se pak na u duke e shumë na dole.

Këto ditë, kur më së shumti fjalët pa vend shtojnë dert e më e hijshme është me heshtë ose me mundë me mbyllë gojën e mos me thanë noj marri, siç thonë në Shkodër, specialitët duhen dëgjuar, strukturat e shtetit duhen lënë të punojnë, qeveria të menaxhojë se si Shkodrës mundet me i ndodhë edhe tjetër kujt dhe nuk ka durim Shkodre tjetër kund, nuk ka mençuri e maturi Shkodre tjeter kund, nuk ka dashuri për shtet e komb si në Shkodër tjetër kund. Se si thotë ajo fjala e urtë, pa e ditë unë a është e vertetë, kur ka ken Shkodra qytet, në Londër janë kullotë dhent.

Sot Shkodra, si në atë këngën e fillimit, nuk po bën luftë me shtatë taborre, por me ujin. Jo me zotin. Në Shkodër nuk mallkon askush ujin. As shtetin. As qeverinë. Ka radhën e vet uji tash për tash. Se në Shkodër, siç e kam mësue moti, nuk ka komunizëm, nuk gjen, edhe shkodran edhe komunist, që shan e mallkon zotin, që përzihet në punët e zotit, që e ngatërron qeverinë me zotin…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama