Njësitë matëse të qytetit dhe përdorimi i tyre pa rregulla dhe ligje nga njeriu, përbëjnë objekt për një temë të veçantë për të rinj. Çmimi i artit bashkëkohor që jepet çdo vit për studentët e Fakultetit të Arteve Pamore në Tiranë, i mbështetur nga kompania AMC, i kushtohet kësaj radhe qytetit dhe antiarkitekturës. "Maket" solidarizon të rinjtë për të reflektuar për gabimet që po bëhen në Tiranë, po në radhë të parë në trutë e njerëzve
Konkurruan 22 të rinj të cilët ishin ftuar "të diskutonin" rreth "Maketit". Kështu quhej koncept kuratorial i Ardian Isufit dhe Najada Hamzës, "Maket". Juria e përbërë nga pedagogë të arteve pamore shpalli fituesit dje në mbrëmje, ë galerinë e arteve të Fakultetit ku është hapur ekspozita deri më 23 shkurt. "Melody Made in Tirana" e Dile Gjinajt është fituese e çmimit të parë. Instalacioni i saj duket se reflekton për frymën e ndërtimit lirë tek ne, e ndërtimit sasior mbi të gjitha dhe jo cilësor: çizme dhe zhavorr. Ndërtesat e ardhme janë skicuar në qafat e çizmeve të atyre që japin krahun e punës.
Fituesi i çmimit të dytë Eriet Muçollari e përfytyron Tiranën si një bunker qelqi. Duket edhe si një lodër gjysmësferë qelqi që ka ndryrë brenda një qytet shkumë det. Në fakt Muçollari është i shqetësuar për smogun, dhe s'ka nevojë ta pohojë drejtpërdrejtë këtë problem për të cilin flitet shumë. Bunkeri ditën duket i larë me ujë shiu, kurse natën në të kaltër. E kaltra është një efekt i dritave mbi një ajër të ndotur. Studentët janë të prirë drejt një gjuhë alegorike dhe analoge me situata reale të qytetit ku jetojnë, Tirana. Ata merren me pjacën ku shfaqen pasojat e tranzicionit, show i mjerë arkitekturor.
Ata merren me periferi reale por edhe me probleme periferike për vëmendjen e pakët që tregojnë politikat, ndërtuesit e qytetit dhe qytetarët vetë. Të bën përshtypje prania e kaq shumë vajzave në ekspozitë. Dy të tjera, u vlerësuan nga juria me çmime inkurajuese. Fabiola Zoto për "Lumin Lana" dhe Artemisa Çullhaj për instalacionin "Qyteti im". E para ka vendosur në mes të sallës së ekspozimit një ulluk dhe brenda tij dy pallate në miniaturë. Hedhurinat arkitekturore kanë zënë vendin e prurjeve të ndyra që sjell mespërmes kryeqytetit përroi i fryrë nga shirat.
Qyteti i Artemisës është ngritur në një sipërfaqe të shkëlqyeshme. Duket nën kontroll të akullt.
Prej dy shtylla tensioni elektrik, si pika të skajshme kufitare, dalin dhjetëra fije që hyjnë në qytet dhe ngatërrohen mes ndërtesave. Ndodh në Tiranë që ky vargan litarësh që përcjell energjinë elektrike nëpër shtëpi, kur dielli perëndon, t'i ngjajë dekorit të një feste të panjohur. Kur jemi brenda qytetit mendojmë kështu. Kur jemi jashtë, kur distancohemi nga mjedisi që jetojmë, ashtu siç bën Artemisa, peizazhi i qytetit është ai në filmin western para se heronjtë të xhirojnë në duar koburet me mulli dhe të shkretojnë gjithçka.
Ndonjë tjetër si Matilda Odobashi në punën "Pa titull" ia ka palosur zverkun dhe këmbët Pinokut në zgavrën e një tulle silikate. Vetëm në legjenda themelet kërkonin sakrificë një nuse të re. Në qytetet moderne kërkojnë dhe murosin ëndrra.
Mbase asnjë prej këtyre shpjegimeve nuk përputhet me kuptimin që kanë dashur të japin të rinjtë. Por duken punë të hapura për kuptime që janë gati t'u japin njerëzit e këtij mjedisi. Në konkurrim morën pjesë edhe Anjeza Durmishi, Arba Fregjaj, Elisa Saraçi, Elona Zaimi, Esmerilda Herovi, Ilda Ibro, Lindar Muça, Marvina Çela, Marta Zadrima etj.. Kuratorët, pedagogë të këtij grupi studentësh kanë dashur t'i ftojnë të rinjtë të tregojnë për qytetin e tyre, për lagjen, për rrugicën, për hapësirën ku jetojnë.
"Antiarkitektura, ajo e vërteta, jo njerëzorja, ajo që kapërcen njeriun... pa respektuar vëllimin, mirëqenien ose ekologjinë ideale.
Ajo ka luajtur me teknologjitë e forta, i ka tepruar të gjitha përmasat, ka vënë bast mbi qiellin dhe mbi ferrin... Qytetet nuk kanë mjaft hapësirë - apo më mirë e tëra ajo shpallet si publike, është e tejmbushur me të gjitha shenjat e skenës publike, ajo të ndalon ta përshkosh, apo të ngjitesh si një shkretëtirë, ose hapësirë indiferente". Kështu duke cituar sociologun filozof frëng Jean Baudrillard, kuratorët Hamza dhe Isufi kërkojnë me "Maketin" një reflektim për "psikofizikën urbane dhe arkitektonike".
Në këtë aventurë morën pjesë studentë të Atelieve Grafikë, Modë&Tekstil, Multimedia dhe Pikturë. "Maket" donte të përqendrohej në realizimin e objekteve tredimensionale "të inspiruara nga projekte arkitektonike dhe struktura urbane ku do të shtrohen ndërhyrjet artistike për të stacionuar konstatime të një shoqërie tranzitore me kontraste dhe diferenca të jashtëzakonshme." Organizatorët do donin që ekspozita të përfshinte në një debat individë apo grupe të interesuara "për të mësuar më shumë rreth kësaj infrastrukture të rrëmujshme ku individi e sheh veten si në një teatër të mbyllur".
Dje galeria ishte e mbushur me të rinj.
Gazeta Shekulli