"Të ishte për to, do të pranonin të bënin gjithçka, për të fituar sa më shumë para. Por ky është një profesion që duhet ndërtuar, nëse dëshiron të bësh karrierë", shpjegon themeluesja e agjencisë "Random", pas fillimit të sezonit të ri të sfilatave milaneze. "E rëndësishme është të bashkëpunosh me një menaxher profesionist, që arrin të administrojë gjithçka, të zgjedhë ofertat dhe të frenojnë zilinë". Nëse fama e madhe e Naomi Campbell, ose e Cindy Crawford tani janë një mirazh, dihet që bëhet fjalë për një profesion të paguar mirë. "Për të qenë më konkretë, nëse dikur modelet merrnin 25-30 mijë euro për një sfilatë, sot paguhen 15-20 mijë euro maksimumi", thotë një menaxher, i cili ka punuar me modelet Carla Bruni dhe Naomi Campbell. "Tani modelet jo vetëm që paguhen më pak, por nuk mund të quhen ‘Top Model‘ në kuptimin e plotë fjalës. Tregu në botën e modës është aq ‘i shpeshtë‘ saqë mund t‘i djegë të gjitha modelet, madje edhe ato që kanë fytyra të bukura. Edhe pse Natash, Isabeli, ose Dorothea, pozojnë për kopertina të rëndësishme, t‘i quash ‘Top‘ është qesharake. Gjithmonë vjen një e re që i magjeps stilistët. Të them një emër? Mirte Maas. E kërkoi Alexander Wang, stilisti më i suksesshëm i momentit, për sfilatën e tij njujorkeze dhe si pasojë, vajza u ngjit menjëherë në podiumin e top-modeleve", thotë i shqetësuar menaxheri, më pas shton: "Është e kotë ta mohosh, bota vazhdon të jetë në krizë. Shpresojmë që kjo situatë të jetë e përkohshme. Në Milano nuk do të sfilojnë as "Burberry" e as "Pringle", që zakonisht kanë modele të mrekullueshme. Do të jenë në Londër dhe kjo për ne është një humbje".
Përveç krizës, vazhdon të ekzistojë rregulli që agjencitë e modës marrin 20 për qind të fitimeve të çdo modeleje që u "përket". Ndërkohë, sfilatat vazhdojnë të shtohen dhe shpesh koincidojnë në të njëjtat orare. Problemi më i madh është kur stilistët duan të njëjtat modele. "Me të vërtetë janë të lehta pendë, por nuk fluturojnë", ironizon menaxheri. Pjesa më e madhe e modeleve vijnë nga Lindja. Perëndimoret nuk i tërheq shumë ky profesion. Dëshirojnë më të tepër të jenë seksi, por nuk e kanë kuptuar se moda nuk ka gjini. Janë vetëm femrat ose homoseksualët ata që i zgjedhin modelet. Një tjetër problem që ka ulur imazhin e botës së modës është anoreksia. Kryesisht nga kjo sëmundje preken vajzat e Lindjes, që edhe pse janë gjenetikisht të dobëta, në moshën 15-vjeçare fillojnë palestrën dhe dietat për të ruajtur elegancën, derisa arrijnë në anoreksi.
Marre nga : Gazeta Shqip