Mos p?shtyni p?rtok?!
- Botuar: 15 vite më parë
- Shkruar nga:
Të enjten, 18 mars, në Teatrin "Migjeni" u dha premiera e shfaqjes Një histori humbësish ose Mos pështyni përtokë!, me skenar dhe regji të Stefan Çapalikut. Me aktorët: Guliem Radoja (Bernardi), Rita Gjeka (Grabitësi-Behija), Enver Hyseni (Baristi) dhe Jozef Shiroka (Berberi).
Vënia në skenë e kësaj shfaqjeje, për këtë teatër përbën një risi konceptuale në krahasim me ato dy tri shfaqje në vit që jepen tek "Migjeni". Autorët që vihen në këtë skenë përgjithësisht janë shqiptarë dhe të njëjtët.
Po ashtu edhe regjisorët.
Siç u tha më lart, risia konceptuale nis që me projektin paraprak të autorit për të realizuar këtë shfaqje (por edhe të tjerat), pasi tek puna e Çapalikut në teatër dallohen disa veçori:
Prania e aktorëve me përvojë relativisht të gjatë dhe të mirëkonfirmuar në traditën skenike e kinematografike, si Bep Shiroka (Putargat e thata), Rikard Ljarja (Shën Gjon kryepremi), dhe Guliem Radoja tek shfaqja në fjalë.
Angazhimi i aktorëve të rinj - nevojë e ngutshme për teatrin tonë.
Fryma e re e teatrit - bashkëkohësia si thyerje e vijimësisë dhe mendësisë teatrore në Teatrin "Migjeni".
Praktika e tij e punës - teksti dhe regjia nga vetë ai.
Skenografia - simbolike e metaforike.
Në shfaqjen Një histori humbësish..., e cila që në krye është me sipar të hapur, spektatori vë re një skenografi (realizuar nga Erjon Talani) jashtë natyrës së skenografive realiste, tipar i një sërë shfaqjeve në këtë teatër. Krahas kësaj, skenografia është edhe jo fort e perceptueshme për publikun, sidomos kur ajo është në anën e Berberit. Kur ajo rrotullohet, del ana e Baristit. Dhe në kohën kur është skena e Baristit, kuptohet se ajo është një kurth. Simbolika e saj është e qartë dhe lidhet me fatet e personazheve, por që të çon edhe tek titulli i veprës. Flasim për titullin e parë, pa shkuar tek ai alternativi, i cili lidhet me anë të asaj lidhëzës bashkërenditëse kundërshtore.
Shfaqja, mund të përcaktohet si një komedi-dramë, por nga autori i saj është pagëzuar si kinsedramë (gjë që figuron edhe në afishimet e vëna). Kjo mbase edhe për një lloj "loje" të natyrës apo procedimeve koherente letrare. Domethënë titulli dhe përcaktimi zhanror i shfaqjes, mund të shihet si një praktikë klasifikimi e emërtimi, në njëkohësi me zhvillimet bashkëkohëse të letërsisë.
Pjesa e interpretuar nga katër aktorët, dallohet për komiken, për atmosferën empatike që krijon, për procedimet plastike që herë-herë ndërtojnë gjendje transi, për frekuencën e trysnisë emocionale, për dendësimin maksimal të mendimit nëpërmjet dialogëve e monologëve, për komponentët absurdë që mbart ajo, për theksat politikë dhe parashtrimit të problematikave aktuale të shoqërisë e të ndërgjegjes sonë kombëtare lidhur me të shkuarën, për detaje të traditës sonë mendësore me tharm kanunor, për papritshmërinë e situatave, për prodhimin e humorit në sajë të ambiguitetit të fjalës apo njësisë ligjërimore, për gardërobën e përdorur (Berberi, Baristi) që të kujtojnë teatrin e absurdit, për mjetet butaforike, të cilat i shërbejnë shfaqjes si nëntekste simbolike, për efektet e ndriçimit, për efektet muzikore etj.
Të gjitha këto vihen re te pjesa e Çapalikut, por jo të gjitha pikëzimet ideore kanë arritur që të përcillen nëpërmjet disa aktorëve, për shkak se logjika ideore e autorit nuk është ndërfutur në logjikën e aktorëve dhe për rrjedhojë kumtimi i batutave nuk ka mundur të harmonizohet me lojën e duhur dhe me njësitë e caktuara interpretative.
Bernardi, është një personazh, i cili, ashtu siç janë disa mjete butaforike spirale, nis të identifikohet spiralisht; pra nga një moment në tjetrin duke ndërtuar atë spirale graduale, që të shpie në fundin e shfaqjes.
Ai është një personazh, i cili ruan një gjakftohtësi të qëndrueshme dhe karakterizohet nga racionaliteti - qoftë edhe në momentin kur dehet - duke e vënë kësodore në paralelizëm me figurat e pushtetit të së kaluarës dhe me identitetin e saktë të tyre.
Figura, tekembramja, që janë rrekur të plazmohen nga autori dhe aktori. Është një personazh, që pak a shumë ruan të njëjtën njëtrajtshmëri të tempo-ritmit interpretues. Nga ana e kostumografisë paraqitet mjaft nëntekstual si personazh.
Ai ka një kostum të ngjyer me të kuqe, një palë këpucë të kuqe, dhe në çastin që heq xhaketën, këmisha e tij e bardhë i ka parakrahët të ngjyer po me të kuqe. Pra, ai del si një njeri, i cili është i tëri i lyer në gjak.
Që tekefundit është e kaluara e gjakshme komuniste. Aktori, i cili luan këtë rol, di të sinkronizojë mendimin me artikulimin e duhur, me gjestet, dhe situatat që krijohen në shfaqje, duke përcjellë një efekt psiko-emocional tek spektatori. Ai di të hyjë në çdo ind kuptimor të pjesës dhe të artikulojë fjalët me natyrshmëri të pëlqyeshme. Berberi, me veshjen dhe pamjen e tij nuk është se i ngjan një berberi, por më shumë duket se është një person ekleziastik a dishepull, njëkohësisht edhe si i çakërdisur. Ai mban një mjekër të gjatë ardhur fytyre dhe flokët e tij janë të rritura e të shprishura, çka lë një përshtypje prej absurdi, pasi një person i tillë dhe i veshur në atë mënyrë, duket më fort si kishtar i çartur sesa si berber.
Ky personazh së bashku me Baristin, duke rrotulluar pjesën e skenografisë (çka lipset për të realizuar skenat) në mënyrë të vazhdueshme, analogjikisht na dalin si Sizifi, i cili në mënyrë të pandërprerë, rutinore, të pashpresë, të përcaktuar asodore nga fati, rrokulliste gurin e tij. Andaj edhe simbolika e kurthit është - mbase - një paralelizëm me mitin e Sizifit dhe me kredon e filozofisë së absurdit, gjë që na e ka demonstruar mjaft mirë Kamyja.
Ky personazh kryen tri etapa shndërrimi të cilat përcillen dukshëm tek spektatori. E para: përjeton një marrëdhënie në dialog me Bernardin, aty në punishten e tij. Dialogu është i zhdërvjellët dhe i natyrshëm.
E dyta: kur futet përmes vrimës së kurthit dhe kalon nga Baristi, ku ky i fundit është bashkë me Bernardin. Aty kërkon të pijë, sepse e ka lënë e shoqja. Situata është komike aq sa edhe dramatike. Marrin pjesë tonet impulsive. Skena veçohet për batutat e saj me humor.
E treta: kur shpërthen në çastin që merr vesh për vdekjen e dajës dhe kërkon të vrasë Bernardin (i cili nuk është më ai personi me emrin e stërgjatë nga Santa Cruz/Bolivia, por Përparimi, njeriu që kishte gisht në vrasjet e shumë njerëzve gjatë diktaturës) por as pistoleta e grabitësit nuk i hyn në punë, pasi ajo ishte e rreme, loje pra, e as brisku i tij i rrojës, ngase atë e lëshojnë këmbët dhe bie. Skena përshkohet nga shndërrimi tërësor i këtij personazhi, dhe nga një rritje e ngarkesës emocionale dhe e lojës aktoriale.
Aktori përçon mirë theksimet, nëntekstet ideore të pjesës dhe harmonizon gjykimin tekstor/autorial me komunikimin me spektatorin. Di të ndërtojë lidhjen empatike mes dhënësit e marrësit. Ka probleme në rastet kur ngre zërin në dialog dhe kur rritet temperamenti gjykues i situatës.
Në performancat plastike të shfaqjes është mjaft mirë.
Baristi, është një personazh që prodhon të qeshura në sallë, dhe peshën e Sizifit e mban qoftë në rastin e shpalosjes rutinore të tij, qoftë në artikulimin e të vetmes ligjësi kanunore: Miku nuk pritet në besë. Ku këtu (në këtë skenë, pra) natyrisht që shfaqet një ndër idetë qendrore të autorit, e cila lidhet me atmosferën aktuale politike, dhe referencialiteti mëshohet tek mosvështrimi i së kaluarës, mosgjykimi i saj.
Dhe sidoqoftë, këto figura të së kaluarës vijojnë të gjallojnë rehat e të pafriguar, ngaqë është mendësia e pazë e shoqërisë sonë dhe kryesisht e institucioneve, e cila s'i nget ato. Ky personazh mbart problematika reale, qesharake e absurde të jetës shqiptare. Dallohet për sinkronizimin e alogjikes së vet me logjikën e procedimeve situative, çka shpie edhe në reagime nga salla.
Aktori prodhon humor e situata qesharake, të cilat i shkojnë për shtat edhe me natyrën e vet aktoriale. Por ç'është e vërteta ai duket se po plazmon personazhet e veta të mëparshme, nga fondi i roleve vetjake.
Ligjërimi i tij është si i ndarë me thikë, dhe krijon pauza jo të këndshme. Kjo mbase për shkak të një niveli e kërkese tjetër që ka shfaqja. Pra, u tha edhe më lart, kjo pjesë është në antitezë me realisten, të drejtpërdrejtën.
Grabitësi-Behija, është personazhi më i koklavitur.
Hyn për të grabitur - motivi mesa duket: nevoja për para. Më pas vjen rasti të hiqen maskat. Personazhi hetohet sapo hyn në skenë që është femër. Maskimi/mbulimi/fshehja e zërit nuk realizohet. Andaj edhe zgjidhja (nëse mund të quhet e tillë) çalon.
Shpesh nuk është konsekuente në dialogë.
Në çastet e fundit të pjesës, kur Bernardit i është kërkuar që të rrëfejë për torturat e pushtetit diktatorial të së shkuarës, mëtohet që të katër personazhet të përplotësojnë qëllimin artistik, regjisorial edhe pse secili është në përjetimet e veta.
Është çasti, kur Behija (tashmë e ka rrëfyer emrin e vet dhe ka hequr maskën) është e futur në spirale, e veshur në këmishë nate, dhe thotë: E ndien? Për spektatorin kjo batutë është paksa e paperceptueshme.
Pikësëpari asaj nuk i kapet lidhja me pjesët pararendëse të skenarit, - ku Behija tregon një ëndërr, në të cilën kishte parë se po zhvirgjërohej me të fejuarin, - sepse është një batutë e vetme, gjë që e vështirëson bashkëlidhjen.
Shkurt, është e largët. Dhe së dyti, aktorja duket se këtë batutë më shumë ia komunikon ajrit sesa spektatorit. Roli i së dehurës shpeshherë i del fals dhe i shoqëruar me zgërdhina si të tepruara. Përmbush mirë përvijimet plastike të shfaqjes.
Tashti çka ngjet me spektatorin shkodran? - Natyrisht që kjo shfaqje nuk e ka të lehtë të depërtojë dhe të rroket nga publiku. Por publiku diti të reagojë pëlqyeshëm, gjithsesi. Pjesa më komike ishte kur spektatorët e rreshtave të para, duke qenë shumë afër më skenën, morën guximin dhe filluan të largojnë mjetet skenografike, për shkak se i pengonin pamjen.
Dhe aktorët u detyruan ta bënin pjesën, aty ku ua përcaktoi spektatori. Kështu që, jo vetëm aktorët dinë të prodhojnë të qeshura, por edhe spektatorët njëkohësisht!
Rast tjetër ishte po në rreshtin e parë, kur aktori Guliem Radoja u detyrua t'i afrohet njërit prej spektatorëve, dhe t'i komunikojë batutat e tekstit.
Kur e pa se as kjo nuk po e bënte të heshtte, i vuri gishtin gojës dhe iu drejtua si nëpër dhëmbë: pusho!
Gjithsesi, kjo është një shfaqje që rri në kundërshti me shfaqjet realiste që fokusojnë jetën shqiptare, të rëndomtë, të gëzuar a sido që të jetë, dhe është një nga më të realizuarat në Teatrin "Migjeni", këto vitet e mbrame.
Teatër, i cili duhet me ngut që të ndryshojë strategjinë e funksionimit të tij: të ketë një repertor, të angazhojë aktorë të rinj.
Letargjia e Teatrit "Migjeni", për fat të keq nuk njihet. Çdokush e gjen fajin te tjetri dhe janë aq të shumta fajet dhe fajtorët sa sa ta shmangin rrugën e së vërtetës.
Fotot Tristan Sherifi
Nga : Gazeta Shekulli