Mosha kur duhet te fillojne te lexojne femijet? Gjashte muajsh

Mosha kur duhet të fillojnë të lexojnë fëmijët? Gjashtë muajsh
Që në muajin e gjashtë të lindjes, një fëmijë fillon të ketë interes për librat, mjafton të jenë të mbushur me figura. Në moshën 1-vjeçare këshillohen përrallat e ilustruara me figura. Të dashur prindër, librat duhen lexuar së bashku me fëmijët! Nuk duhet t‘i lini të vegjlit para televizorit duke parë filma vizatimorë. Ato që e shtyjnë fëmijën t‘i dojë figurat, rimën, librin, janë prindërit. Kjo është edhe një mundësi që prindërit t‘u qëndrojnë pranë fëmijëve, të kujdesen për ta. Në këtë mënyrë, fëmijët do të mësojnë t‘i duan librat, sepse duan shumë prindërit e tyre", shpjegon një pediatër.

Përrallat

Kur duhet që një fëmijë të fillojë t‘i lexojë librat me përralla? Rreth moshës 5-vjeçare. Përrallat duhet të jenë në formë më të thjeshtuar. Ja përse shumë pediatër këshillojnë një katalog me 30 tituj, ku sugjerohen librat më të mirë për të gjitha moshat.

Kush duhet t‘i lexojë përrallat, nëna apo babai?

Do të ishte mirë që t‘i lexonin bashkë, sepse në këtë mënyrë krijohet një moment magjik, i cili më pas shndërrohet në një ritual dhe nuk ka rëndësi nëse zgjat vetëm një minutë.

"Të thuash që të lexuarit ndihmon zhvillimin intelektual, është një banalitet", thotë një docente psikologjie në Universitetin e Parmës. "Studimet e viteve ‘60 kanë treguar se lexuesit e hershëm zhvillojnë një leksik më të mirë dhe kanë një progres njohës më të shpejtë. Gjithashtu, një rol domethënës kanë edhe librat prenatalë".

A vlen një libër?

"Gjithçka mund të shërbejë për t‘u afruar me librin. Nuk është e rëndësishme vetëm zgjedhja e librit, por e gjithë përmbajtja e tij, brenda të cilit mund të planifikosh edhe një rrugëtim. Të gjithë ne përpiqemi të bëjmë diçka pasi na ka pëlqyer ajo çfarë kemi lexuar. Kështu, nëse na ka lënë mbresa një libër me aventura, do të lexojmë një të dytë dhe të tretë; nga ana tjetër dashuria kundrejt diçkaje i nxit të bëjnë një aktivitet eksplorues dhe ka gjasa që pas leximit të librave me aventura, fëmijët të tërhiqen prej tyre dhe kështu është më e thjeshtë të mbushet bagazhi i tyre kulturor", thotë psikiatri.

A ka libra që nuk këshillohen sepse prindërit nuk i kanë lexuar?

"Mundësitë për t‘u edukuar janë të shumta në jetë, por kjo nuk duhet të krijojë një alibi për prindërit dembelë: ka rregulla që duhen respektuar. Sigurisht që mund të rikuperohen me kalimin e kohës, por nuk është e lehtë".

Fëmijët nga 0 deri në 3 vjeç kanë nevojë për libra argëtues. Librat e "muajve të parë" janë ata ku shfaqen personazhet e gjithë botës, që fëmija përpiqet t‘i zbulojë vetë: babai dhe nëna, kafshët e shtëpisë, fëmijët e tjerë që qeshin, qajnë dhe luajnë me njëri-tjetrin. Librat e parë që fëmija sheh (sigurisht të komentuar nga nëna dhe babai) nuk janë gjë tjetër veçse një pasqyrë e realitetit ku ai jeton. Shpesh herë personazhet e librave bëhen për fëmijën një model, që e udhëheqin dhe i japin siguri në zbulimet e para. Zakonisht këta libra janë prej kartoni, me figura shumë të mëdha, ose në reliev. Gjithashtu fëmijët pëlqejnë vjershat e shkruara për ta, sepse e kanë më të lehtë të fiksojnë fjalët.

Gjatë leximit të librave të parë, një rol të rëndësishëm luajnë prindërit. Ata duhet të ndalen në veçanti te figurat dhe përshkrimi i personazheve, por në të njëjtën kohë duke e lënë të lirë fantazinë e fëmijës. Pasi tregimi ka përfunduar, prindi duhet t‘i kërkojë përshtypjet për atë që lexoi. Janë prindërit ata që me durim dhe vendosmëri e nxisin fëmijën ta dojë librin. Nëse prindërit arrijnë ta bindin fëmijën ta dojë librin, atëherë ka gjasa që kur të rritet ky i fundit të bëhet një lexues i rregullt. Zgjedhja e librit është mirë që t‘i lihet në dorë fëmijës, pasi e tërheq më shumë. Më shumë se të rriturit, fëmijët udhëhiqen nga instinkti dhe zakonisht kjo gjë nuk i gënjen.

Librat që u shërbejnë fëmijëve janë edhe ata të krijuar nga "Blue Ribbon Press", një shtëpi botuese që i ka publikuar rreth viteve ‘30. Kohët e fundit ky libër për fëmijë ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Fillimisht është shpërndarë në Angli, pastaj në disa shtete të tjera europiane. Këto lloj librash kanë përmasa më të mëdha se librat e zakonshëm, ndërsa faqja është në reliev. Në këtë mënyrë fëmija mund të luajë, sikur të ishte në një teatër me shumë personazhe për t‘i zbuluar.

Për fëmijët që nuk kanë mësuar ende të lexojnë, këshillohen librat me përralla për t‘u ngjyrosur. Këto lloj librash janë të dobishëm për të nxitur shkathtësinë te fëmijët dhe që ata të njohin botën e përrallave. Shumë botime shoqërohen me lapsa dhe me ngjyra për të vizatuar dhe ngjyrosur personazhet e ilustruar, duke i kopjuar.

Librat që duhet të lexojnë fëmijët

Një sondazh i fundit i bërë në Britaninë e Madhe tregon se vetëm 20 për qind e fëmijëve nga 5 deri në 16 vjeç lexon një libër çdo ditë; ndërsa 53 për qind lexon një herë në javë. Shifrat tregojnë një tendencë të ngjashme në pjesën më të madhe të vendeve europiane dhe në Amerikë. Kohët e fundit, faqet e internetit, të cilat sugjerojnë si të nxisësh te të vegjlit dashurinë për librin, po mbijnë si kërpudhat pas shiut, por paradoksi është se pikërisht interneti, bashkë me televizorin dhe videolojërat, konkurron librin dhe gjithnjë e më shpesh është web-i ai që e fiton sfidën. Por çfarë duhet të lexojnë fëmijët, që tek ata të rritet dashuria për librin? Për t‘i ndihmuar mësuesit dhe prindërit të zgjedhin, gazeta britanike "Telegraph" ofron listën e saj.

a cilët janë njëqind librat e mrekullueshëm që këshillohen për fëmijët nën moshën 15-vjeçare.

Disa nga librat që duhet të lexojnë fëmijët: "Historia e lepurit Piter", "Uini Puh", "Tregimet e vëllezërve Grim", "Piter Pan", "Pipi çorapegjata". Librat për adoleshentë: "Thirrja e pyllit", "Ishulli i thesarit", "Liza në botën e çudirave", "Aventurat e Tom Sojerit", "Oliver Tuist", "Kim", "Gratë e vogla", "Ditari i Ana Frankut", "Princi i vogël", "Tre musketjerët", "Lordi Xhim", "Robinson Cruzo" dhe për ta mbyllur, "Djemtë e rrugës Pal". Problemi është se si t‘i inkurajojmë fëmijët dhe adoleshentët t‘i lexojnë këta libra dhe a është e vërtetë se kjo listë mund të nxisë dashurinë për librat. Të lexuarit me pasion që në moshë të vogël, ndihmon të bëjmë të njëjtën gjë edhe kur të rritemi, por nuk përjashtohet mundësia që të fillojë leximi në moshë të madhe, kur tashmë jemi pjekur. Gjithsesi nuk është e thënë që dashuria për librat duhet të lindë në bankat e shkollës.




Artikujt e fundit


Reklama

Reklama