Mosha tjeter e te rinjve

Mosha tjeter e te rinjve
Ka gjashtë vjet që Ministria e Kulturës mbështet një Festivali Teatror të të Rinjve. Organizohet pak metra më tej sallës historike të Teatrit Kombëtar, i cili ka kohë që ka hyrë në një regres të thellë.

A përfaqësojnë këta të rinj një opozitë me anën tjetër të oborrit, një farë shprese apo një ecje në vend?

I ngopur dhe monoton. Këto dy cilësi mendohet që një aktor, një regjisor, një njeri i teatrit, t'i veshë rrallë. Por kjo nuk ndodh me ata që bëjnë teatër në një mjedis pa klimë të përshtatshme, domethënë pa konkurrencë, siç është mjedisi shqiptar.

Festivali Teatror i të Rinjve që u mbajt në Teatrin Kombëtar më 16 deri më 23 dhjetor i ngjan kësaj situate që po mundohemi ta prezantojmë në vazhdim.

Regjisorë dhe aktorë që riprodhojnë veten, që nuk lëvizin nga një farë niveli që kanë arritur. Nga një edicion në tjetrin shpresa është që të takosh njerëz të rinj në mënyrën e të punuarit, e të bërit teatër. Ka gjashtë vjet që Ministria e Kulturës e mbështet këtë festival. Organizohet pak metra më tej sallës historike të Teatrit Kombëtar, i cili ka kohë që ka hyrë në një regres të thellë. A përfaqësojnë këta të rinj një opozitë me anën tjetër të oborrit? A sjellin një farë shprese apo është puna e tyre një ecje në vend?

Ka gjashtë vjet që i vetmi kriter që funksionon në këtë festival, i menduar edhe si një formë konkursi, është mosha e pjesëmarrësve: duhet të jenë nën 35 vjeç.

Edhe konkurrentët janë pothuajse të njëjtë.

Alma Hoti, fituesja e çmimit të madh më 2009, me dramën e Lorkës "Shtëpia e Bernarda Albës", pati një prezantim të dobët këtë vit. Ai konkurroi me komedinë "Nusja dhe vjehrra" të Carlo Goldonit, të përkthyer me shumë mangësi na ajo vetë, me një trupë aktorësh komikë që kanë jo pak përvojë në skenë. E megjithatë rezultati ishte i pakënaqshëm.

Vepra të komedianëve dhe dramaturgëve si Goldoni, Strindberg po edhe si Duras, duken zgjedhje të mira, janë tekste që përcjellin një dialog të thellë dhe mesazhe të forta aktualiteti, por trajtimi i tyre, leximi i saktë apo interpretimi dhe prurja e vepër në bashkëkohësi lë shumë për të dëshiruar.

Këtë vit konkurruan bashkë konkurruan me ish-studentë dhe studentë, edhe pedagoget Sonila Ulqinaku e Rozina Kostani.

E sigurt në vetvete, përballë konkurrentëve që merrnin pjesë për herë të parë në festival, Ulqinaku, në ftesat elektronike i ftonte miqtë dhe dashamirësit e teatrit të vinin dhe të shihnin një vepër të Haqif Mulliqit, vënë në skenë "nën mjeshtërinë regjisoriale të Sonila Ulqinakut".

Ndërsa pedagogia Kostani, konkurronte me një ekip që mund ta quajmë profesionist, që kishte në përbërje edhe aktor të Teatrit Kombëtar.

Në të quajturat "synopsis" të veprave dramaturgjike, është e vështirë të gjesh një koncept të saktë, të qartë dhe jo të përkthyer nga "wikipedia".

Kaosin e ideve që paraqesin në juritë e Festivalit, e gjen pastaj në ekzekutimin e veprave në skenë.

Fitues, një spektakël

Megjithatë, publiku e pati një surprizë të këndshme nga spektakli që solli e reja Elma Dorezi. Me veprën "Le të bëjmë seks" i Valentin Krasnogorov-it, një autor bashkëkohor nga Rusia, Dorezi konkurroi në festival. Titulli komercial nuk sugjeron aspak një vepër komerciale.

Një çift, një profesor dhe një vajzë e re, dialogojnë për dy orë rresht për seksin. Në fakt janë vetëm disa qenie të vetmuara, të pakënaqura që vuajnë, që duan vetëm t'ia mbathin. Personazhet e Krasnogoriv-it përfundojnë të gjithë në një çmendinë, duke gjetur qetësi vetëm te mjekimet.

Vepra rrok edhe probleme të tjera, tradhtia, homoseksualiteti, vetmia.

Ekipi i Elmës, aktorët: Marsela Lena, Cubi Metka, Liza Kujofsa, Devis Muka, Klodian Hoxha ishte një ekip punëtor. Të pestë sollën energji, dinamizëm, ritëm në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar dhe ia arritën qëllimit: e bënë publikun të reflektonte. Për një moment gjithkush i ka thënë vetes në sallë: Sa e zbrazët është jeta kur u besohet kënaqësive të shkurtra.

Një nga arsyet pse Elma i shfrytëzoi gjithë energjitë e saj për shfaqjen është se e sheh "si të vetmen mundësi që të tregojë njohuritë që ka mbledhur gjatë katër viteve në Akademinë e Arteve". Regjisorja u ndje e lumtur që për herë të parë iu dha mundësia ta kishte të gjithën për vete sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Po t'i referohemi fjalëve të saj, "rehatia dhe siguria të velin shpejt dhe t'i shteron idetë".

Shihej pasiguria në sytë e regjisores së re. Ndjeu frikë kur kontaktoi për herë të parë me autorin përmes postës elektronike, se mos ai nuk do t'i përgjigjej për të drejtën e autorit. U ndje e pasigurt edhe kur në dialog me të për konceptin mbi veprën, por pastaj ranë në një mendje: "T'i ofronim publikut një proces çmendurie live".

Pasi vuri në vijë këtë anë, Elma bashkë me stafin, filloi të mbledhë materiale. "Kemi bërë kërkimin tonë në terren për t'i njohur njerëz që bartin shqetësimet dhe problemet e personazheve të Valentin Krasnogorov-it. Kemi reflektuar mbi këtë lëndë."
Ndoshta nga kaq pak varet edhe suksesi i një shfaqjeje. Të ndalosh një hop dhe të reflektosh.

"Le të bëjmë seks" fitoi tri çmime: çmimin si shfaqja më e mirë, çmimin e skenografisë më të mirë, që e mori skenografi Drini Shehu dhe aktorja më e mirë joprotagoniste, çmim që i takoi Cubi Metkës.

Asnjë argument juria

Asnjë motivacion, asnjë argument nga juria për çmimet që akordoi të enjten në mbrëmje, në fund të edicionit VI të Festivalit Teatror të të Rinjve. Madje edhe fituesit nuk ishin fort të bindur një ditë më vonë përse kishin fituar. Përse fitoi Eftiola Laçka, e cila prej dhjetë vjetësh luan me trupa profesioniste, sidomos me teatrin kombëtar?

Përse fitoi Nik Xhelilaj që hynte në këtë festival me duart me çmime për rolin e tij të fundit në kinema?

Edhe kjo lloj finaleje i shkon gjithë panoramës monotone të festivalit.

Festivali teatror i të rinjve u themelua me një qëllim të mirë. Pastaj idealet u lanë rrugës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama