Moska dore te lire te sekretet e Perendimit

Moska, dorë të lirë te sekretet e Perëndimit
Për vite të tëra, një qeveritar estonian ka gjetur mënyrën për të pasur akses te sekretet më të rëndësishme të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, për t‘ua kaluar rusëve. Rasti përbën një katastrofë të vërtetë për Brukselin. Komunikimet mes të dyshuarit për spiunazh dhe oficerit me të cilin mbante kontakte të pandërprera duken më shumë si një kthim në epokën e Luftës së Ftohtë. Hetuesit thonë se për t‘ia transmetuar mesazhet kontaktit rus, 61-vjeçari Herman Sim përdorte një radio të vjetër, të konvertuar në radiotransmetuese. Por e vjetër në gjithë këtë histori mbetet vetëm kasa e radios së përdorur nga Simi, një oficer i rangut të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes së Estonisë, sepse informacionet e dërguara përmes saj janë ndër më të rejat dhe ç‘është më e rëndësishmja, më sekretet.

Megjithëse Sim është arrestuar bashkë me të shoqen, Hita, që më 21 shtator, kjo histori e mirëfilltë spiunazhi është mbajtur nën sekret të plotë deri këto ditë. Në qendër të saj gjenden të dhëna top sekret që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian dhe veçanërisht me NATO-n. Duke qenë se 61-vjeçari Herman Sim ishte përgjegjës për trajtimin e materialeve të klasifikuara në Talin, kishte akses te thuajse çdo lloj dokumenti që këmbehej mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Zyrtarët që janë të përfshirë brenda kësaj çështjeje pohojnë se "virtualisht gjithçka" që qarkullon mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian i kalohej Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse, SVR-së. Bëhet fjalë për dokumente tepër të rëndësishme, ku përfshihen analizat e NATO-s mbi krizën e Kosovës, luftën në Gjeorgji, madje edhe të dhëna kyçe mbi programin e mbrojtjes kundër raketave.

Ndërkaq, për Estoninë, skandali është kthyer në pikën e rënies së një historie politike që kishte shënuar veç suksese. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm skuadrash investigative nga Bashkimi Evropian dhe NATO kanë vërshuar në Talin për të kuptuar shtrirjen e katastrofës së shkaktuar nga spiuni rus. Investigimet kryesohen nga Zyra e Sigurisë së NATO-s, e cila drejtohet prej një oficeri amerikan. Teksa hetuesit janë në punë e sipër, vazhdojnë të shtien në duar prova që flasin për përmasat katastrofike të tradhtisë. Një zyrtar i lartë gjerman e quajti situatën me një fjalë të vetme, "katastrofë, ndërkohë që Janush Rahumagi, anëtar i Parlamentit estonian, i cili kryeson komisionin parlamentar për agjencinë qeveritare të sigurisë, foli për "dëme me përmasa historike".

Zyrtarë të lartë të NATO-s e krahasuan rastin e spiunazhit të Simit me atë të Aldrih Eims, ish-agjent i CIA-s, i cili furnizoi për vite me radhë KGB-në sovjetike me informacione shumë të rëndësishme. Gjithsesi, për nga shtrirja e sasisë dhe përmbajtjes së informacionit që ka rrjedhur për llogari të rusëve, ky është skandali më i rëndë i spiunazhit që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Rasti konkret tregon shumë mirë se sa e brishtë është tashmë kjo aleancë në kuadrin e zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian drejt Evropës Lindore. Kur në vitin 2004 u mor vendimi për përfshirjen në NATO dhe në Bashkimin Evropian të Estonisë - shtet shumë i vogël, me 1.4 milionë banorë - dhe gjashtë vendeve të tjera, shumë shtete u shprehën të lumtura për zgjerimin e mëtejshëm të Evropës.

Talini po e vuan së tepërmi këtë skandal, i cili vjen pas një serie të gjatë suksesesh politike. Brenda aleancës, Estonia nuk trajtohet shumë ndryshe nga Italia apo Gjermania, kur vjen fjala për informacionet e rëndësisë kritike. Për një fuqi të madhe si Rusia, e cila i ka pasur përherë të vështira raportet me NATO-n dhe e sheh që në fillim vëngër zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Lindjes, gjetja e një burimi informacioni në vendet baltike për të hedhur një sy në zemër të Brukselit ishte mënyra e përsosur për ta arritur këtë manivelë të pranueshme rreziku. Falë ndihmës së Simit, thonë hetuesit, Rusia ia arriti më së miri këtij qëllimi.

Hetuesit mendojnë se lidhjet e Simit me shërbimet e fshehta ruse shtrihen në fundin e viteve tetëdhjetë. Në atë kohë, Estonia përpiqej të shkëputej nga Moska dhe për Kremlinin qe e qartë se shpejt do humbiste Republikat Baltike. Për Rusinë, vendosja e njerëzve të vet në poste delikate qe shumë e rëndësishme. "Kur mundësia e anëtarësimit në NATO të Estonisë u diskutua për herë të parë, në mesin e viteve nëntëdhjetë, Sim qe zyrtarisht i rekrutuar nga qeveria ruse", bën me dije parlamentari Rahumagi. Ka prova se raporti i Simit me shërbimet e fshehta ruse në atë kohë është thuajse inekzistent. Ka të ngjarë që pasardhësja e KGB-së, SVR-ja, të ketë vendosur ta trajtojë si agjent "të fjetur".

Simi bëri përpara me shpejtësi në karrierë dhe në vitin 1994 u bë shef i policisë së Estonisë. Më pas u transferua me detyrën e shefit të një departamenti në Ministrinë e Mbrojtjes, ku qe përgjegjës për koordinimin e marrëdhënieve sekrete mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në çastin kur Talini u bë pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2004, pozicioni i tij u bë tepër i rëndësishëm për Moskën. Mbetet për t‘u parë nëse Sim i ka kaluar informacionet në drejtim të Moskës në këmbim të parave, apo për ndonjë motivacion tjetër. Ajo që dihet me saktësi deri tani janë pronat e shumta të zyrtarit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ku përfshihet një fermë pranë bregdetit baltik dhe një rezidencë e bukur dhe e sapo rikonstruktuar në qytetin Saue pranë Talinit.

Hetuesit e përqendruan vëmendjen pikërisht te kjo shtëpi në çastin kur nisën të formëzoheshin dyshimet se ishte Simi njeriu që furnizonte Moskën me informacion të rëndësisë kritike përmes një kontakti me të cilin komunikonte pikërisht aty. Hetuesit besojnë se kontakti në fjalë është një agjent i SVR-së, që lëviz nëpër Evropë me pasaportë të rremë spanjolle. Ndërkaq, zyra e Prokurorisë së Përgjithshme estoneze shpreson të mund të nisë procedimin penal kundër Simit në fillim të vitit të ardhshëm. Tani për tani, NATO po përpiqet të kuptojë planin e plotë të Rusisë, bënë me dije burime nga Brukseli. Po punohet gjithashtu edhe për të ndryshuar rrënjësisht mënyrën si trajtohet materiali i klasifikuar brenda aleancës. Po hetohet edhe për të çara të tjera të mundshme nga ku mund të ketë rrjedhur informacion drejt Moskës. "Na duhet ta marrim me mend, tha një zyrtar i lartë në Bruksel, se paratifoja i inteligjencës ruse mund të ketë një numër të madh Sim-ësh nëpër shtetet baltike".


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama