- Komisioni i Ligjeve miraton nenin 13 të riformuluar -
TIRANË, 28 Tetor/ATSH/.- Personat që kanë detyrimin të lëshojnë kuponin tatimor, në rastet e mospërmbushjes së tij, fillimisht do të ndëshkohen me masën administrative që parashikon gjobë në vlerën e 500 mijë lekëve, ndërsa në rast përsëritje, me masë penale, dënim me burg deri në tre vjet.
Debateve dhe kontestimeve të deputetëve të komisionit të Ligjeve një ditë më parë, për ndryshimet në Kodin Penal, përfaqësuesit e qeverisë iu përgjigjën sot me riformulimin e neneve të kundërshtuara, ku më i debatuari ishte neni 13, që e konsideronte vepër penale 'moslëshimin e kuponit tatimor". Ky rast në nenin e riformuluar, fillimisht do të ndëshkohet me gjobë në vlerën e 500 mijë lekëve, ndërsa në rast përsëritje me dënim me burg deri në tre vjet.
Neni i riformuluar, i paraqitur në komision nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, parashikonte një masë paralajmëruese për personat që nuk e lëshojnë kuponin, duke i dhënë më parë masë administrative dhe në rast përsëritje dënimin me burg.
Deputetët e opozitës u shprehën kundër përcaktimit 'vepër penale' të aktit të moslëshimit të kuponit tatimor, ndërsa kërkuan që kjo të konsiderohet kundravajtje administrative. "E barazuat me aktin e vjedhjes. Më të ashpër po tregoheni me biznesin se sa me hajdutët', deklaroi deputeti i PD-së, Eduard Halimi.
Ministrja Felaj në përgjigjen e saj tha se "të mos lëshosh kuponin sot do të thotë t'i fshehësh të ardhurat shtetit dhe kjo përbën krim. Qeveria nuk po bën asgjë të çuditshme, vetëm po lufton informalitetin".
Pas debatesh, me votat e deputetëve të maxhorancës u miratuan nenet e riformuluara nga qeveria, ndërkohë që opozita votoi kundër.
Ashpërsimi i masave në luftën kundër kontrabandës dhe informalitetit është qëllimi i ndryshimeve në Kodin Penal, të depozituara në parlament në muajin korrik. I hartuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Financave, ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, paketa ligjore përcakton dispozita të reja në dënimin e veprave penale të rënda në fushën e tatimtaksave dhe shkeljeve doganore.
Në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve deputetët u njohën me raportin e nënkomisionit "Për të drejtat e njeriut" lidhur me kandidaturat për anëtarë të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Kryetarja e nënkomisionit, Vasilika Hysi, duke prezantuar raportin, tha se në seancat dëgjimore u paraqitën kandidatët: Altin Hoxha, Darjet Sina, Daut Gumeni, Durim Grabova, Ermira Shtino, Gjon Fierza, Haqif Hysni Gjana, Marenglen Kasmi, Petrit Karabina, Selami Zallim dhe Simon Mirakaj. /a.s//m.m/