TIRANË, 22 Nëntor/ATSH/.- Nisur nga situata e reshjeve të rëna me intensitet orët e fundit në shumë zona të vendit dhe ndërprerjes së energjise elektrike si pasojë e kushteve të motit, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri urdhëroi mbledhjen urgjente të gjithë Shtabeve të Emergjencave Civile në çdo qark, nga Prefektët.
"Janë angazhuar të gjitha strukturat e Emergjencave për të përballur çdo situatë të vështirë dhe për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët i ftojmë të telefonojnë në numrin falas të Policisë së Shtetit 129", thuhet në një njoftim për shtyp të ministrisë së Brendshme.
Për shkak të situatës së rënduar në kryeqytet, Prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi ka mbledhur pak më parë Shtabin e Emergjencave, i cili ka diskutuar për koordinimin e punës në terren dhe rritjen e gatishmërisë.
"Prioritet është jeta e qytetarëve dhe parandalimi i katastrofave. Të garantohet kalueshmëria rrugore dhe rëndësi e veçante t'u jepet ujëmbledhësve", tha Vorpsi gjatë mbledhjes./m.m/