Pjesa veriore e vendit do të shënojë edhe temperatura deri në minus 14 gradë celcius. Ndërkohë, temperaturat maksimale në zonat malore nuk do t’i kalojnë minus 2 gradë celcius. Gjithashtu, ajo do të jetë e përfshirë nga reshjet e shumta të dëborës, duke pasur edhe densitetin më të lartë. Në qytetin e Shkodrës pritet që trashësia e borës të arrijë në 4-5 centimetra. Reshjet e dëborës pritet në nisin sot në mbrëmje dhe të zgjasin deri ditën e enjte. Ndërkohë, në zonat e ulëta temperaturat do të kapin kuotat minimale minus 3 dhe maksimale 6 gradë celcius.
Bregdeti do të ketë temperatura minimale minus 1 gradë celcius dhe maksimale deri në 8 gradë celcius. Reshjet e dëborës pritet që të prekin edhe zonat e ulëta dhe ato bregdetare. Ndërkohë, qytete si Durrësi, Vlora, Fieri etj. do t’i shpëtojnë dëborës, por do të karakterizohen nga reshjet e shiut.
Shqetësim shfaq deti, ku deri në largësinë 5 kilometra nga bregdeti, dallgët do të kenë fuqinë 6-7 ballë për pjesën poshtë Durrësit dhe 5 ballë për pjesën sipër Durrësit. Por për sa i përket largësisë deri në 30 kilometra nga bregu i detit, dallgët do të intensifikohen dhe do të kapin shifrat 8-9 ballë.
Temperaturat e ulëta dhe moti i keq do të shoqërojë vendin tonë për një periudhë treditore. Ditën e shtunë pritet që situata të ndryshojë dhe të ketë kthjellim të motit. Në zonat malore temperaturat do të ngrihen duke kapur shifrat 4-5 gradë celsius.
Tirana
Temperaturat në kryeqytet do të vazhdojnë të ulen pasditen e sotme dhe gjatë mëngjesit të ditës së enjte. Gjithashtu janë parashikuar edhe reshjet e dëborës. Sipas Metoalb, pjesa e malit të Dajtit deri në afërsi të zonës së Kinostudios është e sigurt që do të ketë dëborë. Ndërkohë në pjesën tjetër të kryeqytetit, edhe nëse do të ketë flokë dëbore, ato do të shkrijnë shpejt dhe do të zëvendësohen nga shirat.
Evropa nën dëborë, 24 të vdekur
Rrymat ajrore të ftohta që po kalojnë nëpër kontinentin e vjetër kanë sjellë temperatura shumë të ulëta. Vendet më problematike për momentin paraqiten Polonia, Rumania dhe Bullgaria, të cilat po provojnë reshje të dendura dëbore dhe temperatura rekord. Në Rumani temperaturat kanë arritur në minus 27 gradë celcius dhe ky mot i ftohtë ka shkaktuar edhe 24 të vdekur. Polonia ka shënuar temperaturat minus 26 gradë celcius. Ndërkohë, në Turqi bora ka shkaktuar anulimin e plot 200 fluturimeve. Zona e Evropës Lindore është edhe më e prekura nga i gjithë ky mot i ftohtë.
Shkodra në gatishmëri
Situata e pritshme e reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulta në rajonin e Shkodrës ka bërë që Drejtoria Rajonale e Rrugëve të zhvillojë një mbledhje emergjence me të gjitha strukturat e saj. Sipas drejtorit Nesti Kiri, qëllimi është angazhimi total i të gjithëve për të mbajtur të hapura rrugët nacionale pasi parashikohen 15 ditë reshje dëbore, nga të cilat 10 ditë do të jenë edhe në zonat më të ulta të Shkodrës, përfshirë dhe qytetin. Pavarësisht kësaj situate që do të përfshijë qarkun e Shkodrës, sipas drejtuesve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, po merren të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të sigurohen të gjitha mjetet për të mbajtur të hapur akset nacionale duke angazhuar firmat kontraktuese dhe siguruar sasinë e nevojshme të kripës dhe skorjeve. Kiri ka kërkuar bashkëpunim më efikas me të gjithë drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, veçanërisht ato në zonat malore ku izolimi mund të sjellë probleme. A.Dushi
Policia, rrugët me probleme
Nisur nga përkeqësimi i pritshëm i situatës së motit gjatë ditëve në vijim, ku priten reshje shiu dhe dëbore në territorin e vendit, Drejtoria e Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë masa për vënien në efiçencë të plotë të shërbimeve të policisë rrugore në të gjithë vendin.
Në çdo rast qytetarët mund të kontaktojnë me shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin përmes numrit telefonik pa pagesë 129, si dhe numrit 126. Drejtoria e Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët e tjerë për përmbushjen e detyrave, për t’u ardhur sa më mirë në ndihmë qytetarëve.
Të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore janë porositur që të tregojnë kujdes dhe të këshillojnë drejtuesit e mjeteve, sidomos ata të shërbimit publik, për respektimin e normave të shpejtësisë të përcaktuara në sinjalistikën rrugore.
Nga informacionet e marra nga shërbimet e Policisë Rrugore për ditën e djeshme rezulton:
-Në Kukës, aksi rrugor Topojan – Shishtavec është i pakalueshëm, ndërkohë Topojan – Kukës i kalueshëm me zinxhirë. Kalohet me zinxhirë aksi Ujmisht – Lusen – Bushtricë-Kala Dodës në drejtim të Peshkopisë, si dhe aksi Shëmri – Qafë Shllak. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore të këtij qarku.
- Akset rrugore Peshkopi – Sllovë – Kala e Dodës, Reç – Zall – Dardhë – Aras – Muhurr – Peshkopi janë të kalueshme me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka shtresa akulli. Po ashtu akset Bulqizë – Shupenz – Ostren dhe Stëblevë – Librazhd janë të kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë aksi Aras – Lurë është i pakalueshëm, po punohet për pastrimin e këtij aksi. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
- Në rrethin e Malësisë së Madhe ka dëborë në zonat e thella, lëvizet me zinxhirë në aksin Koplik – Razëm. Po ashtu dhe në akset Bogë – Theth, Salcë – Vermosh, po punohet për pastrimin e tyre.
- Në rrethin e Pukës, akset Fushë Arrës – Qafë Mali- Qafë Shllak, Qafë Mali – Dardhë dhe Fushë Arrës – Iballë janë të kalueshme me zinxhirë. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.
- Në akset në zonat e thella të Mirditës në drejtim të Lurës kalohet me zinxhirë.
- Aksi Librazhd – Bulqizë momentalisht është i kalueshëm me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka dhe shtresa akulli. Aktualisht po punohet për pastrimin e këtij aksi.
-Në segmentin rrugor Korçë – Qafa e Qarrit, lëvizja e automjeteve bëhet me zinxhirë; po ashtu dhe në akset rrugor Korçë – Boboshticë – Dardhë dhe Korçë – Voskopojë qarkullohet me zinxhirë.
-Në segmentin rrugor Vlorë – Llogora, lëvizja e automjeteve në disa segmente që kanë shtresa akulli dhe vetëm gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, bëhet me zinxhirë, ndërsa gjatë orëve të mesditës kalohet pa zinxhirë. Aktualisht po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes.