Mozaik me kafe Strati drejt rekordit te 6-te Guinness

Mozaik me kafe, Strati drejt rekordit te 6-te Guinness
Një milionë kokrra kafeje për të formësuar një mozaik 25 metra katrorë. Kjo është sfida e radhës e njeriut të mozaikëve, artistit shqiptar Saimir Strati i cili synon rekordin e gjashtë Guinness. Ai nuk kërkon të sfidojë askënd, thjesht ta vendosë atë, duke shënuar edhe një herë emrin e Shqipërisë në librin e Rekordeve Guinness! Ai rrëfen se personalitetet e rekordeve e kanë mirëpritur këtë ide origjinale të tij, për diçka që askush nuk e ka menduar të realizueshme më parë.

Prej pak ditësh Strati ka nisur punën dhe orë pas ore, mozaiku i tij po merr formë dhe ngjyra. Artisti rrëfen se përpos teknikës së veçantë dhe idesë origjinale të një mozaiku me kokrra kafeje, këtë herë ka edhe një mesazh të madh për të përcjellë. Aty gjenden 5 kontinentet…dhe ky mozaik është një lloj harte e cila flet jo nëpërmjet kufijve, por nëpërmjet njerëzve të bërë bashkë! Artisti Strati thekson: “Kam zgjedhur të jap edhe një mesazh, përveçse të krijoj një vepër të bukur arti. Kryefigura, ajo që qëndron më lartë në mozaik është një grua braziliane, pasi kur mendon për kafe, menjëherë mendon Brazilin. Aty gjendet gjithashtu një afrikan, një amerikan, një aziatike dhe një evropian për të përcjellë idenë e bashkëjetesës. Në përfundim personazhet e mi do të lidhen bukur”.

Njeriu i mozaikëve, shqiptari i Rekordeve Guinness përherë ka preferuar që krijimet e tij t’i realizojë në sy të njerëzve, aty ku ata kalojnë çdo ditë, duke i shndërruar gati-gati në dëshmitarë të punimeve të tij. Këtë herë Strati ka zgjedhur hollin e një hoteli për të realizuar mozaikun e tij.

“Është shumë e vështirë të punosh në sy të të tjerëve, por është edhe kënaqësi e veçantë, sepse është bukur të ndjesh se ka shumë njerëz që e pëlqejnë dhe janë me ty gjatë rrugëtimit të një krijimi”-thekson Saimir Strati.

Ndonëse arti që ai bën, i shërben Shqipërisë dhe imazhit të saj, njeriu i mozaikëve, artisti Strati përherë është përballur edhe me telashe financiare. Këtë herë gjithçka është ndryshe. Ky rekord është i mundësuar nga Lori Caffe! Ky është rekordi i gjashtë Gines që artisti shqiptar kërkon të vendosë. Strati është zyrtarisht i pari shqiptar që thyen Rekordin Botëror Guinness për “Mozaikun me gozhdë më të madh në botë” me portretin e Leonardo Da Vinçit në vitin 2006. Çdo vit më pas ka pasur një rekord Gines për të për të mbërritur në rekordin që kërkon të vendosë këtë vit, me këtë mozaik kafeje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama