Phnom Pehn
Gratë mund të bëjnë edhe punë që më parë u rezervoheshin meshkujve. Ky është shembull i metamorfozës për një qytet që ka qenë arketip i frikës dhe tmerrit, kur nga viti 1976 deri në 1979 kmerët e kuq kryen në vend masakra të paimagjinueshme. Por që nga ajo kohë, Phnom Pehn dëshiron të bëhet “Parisi i Lindjes”. Në vend janë rizbuluar ndërtesa me arkitekturë të viteve ‘50, ku shembulli më i mirë është “National Sport Center”. “Mao Tse Tung Boulevard”, përgjatë lumit që kalon në qytet, ia shton akoma më shumë bukurinë. Aty gjen me qindra internet kafe, bare, restorante dhe dyqane mode apo arredimesh. “Smateria” është një nga më tipikët me çanta dhe aksesorë të prodhuar me materiale të riciklueshme nga gratë handikape. Në burgun S-21 të Pol Pot, për shembull, sot muze i gjenocidit, dëshmitë dhe kujtimet duken më të gjalla se kurrë. Po ashtu, muzeu i bukur i kmerëve i ndërtuar nga francezët rreth gjysmë shekulli më parë, i gjithi me të kuqe, nuk duhet humbur.
Malmo
Dikur ishte një qytet gri, ashtu si gjithë distriktet industriale të tokës, ndërsa sot është krejtësisht i gjelbër. Ishte një qytet plot fabrika dhe punishte të vendosura kudo. Sot përshkohet nga mijëra biçikleta në ditë, studentë dhe të rinj që këtu kanë universitetin, bibliotekat dhe hapësirat më të bukura të Europës për të praktikuar skateboard. Bojëqielli mbetet ngjyra dominuese e qytetit, sepse deti është protagonist i padiskutueshëm. Deti është njëkohësisht mënyra më e shpejtë për të mbërritur në Malmo: qyteti ekologjik, emblema e një evolucioni urbanistik që i tregon me krenari gjithë botës modelin e tij të turizmit të qëndrueshëm. Ura e inauguruar në vitin 2000 lidh Kopenhagën me Suedinë vetëm për një gjysmë ore. Në zonën post-industriale të Western Harbour ndodhet “Turning Torso”, e ngjashme me një trup njerëzor, e gjatë 190 metra. E ndërtuar në vitin 2005, nuk ka ditë që në këmbë të 147 apartamenteve dhe zyrave të saj të mos gjesh vizitorë, turistë dhe ekspertë të panumërt që përpiqen të kuptojnë se angazhimi ekologjik është kthyer këtu në një stil jetese. Ky qytet me 280 mijë banorë është edhe i pari në Suedi tërësisht ekologjik. Lagjja më ekologjike, Bo01, është ekzemplar nga mënyra se si çdo banesë shfrytëzon ujin, erën, diellin. Ajo është njëkohësisht edhe qendra e restoranteve, butikëve apo kafeve ekologjike. Kafeja, çaji, çokollata dhe sheqeri vijnë nga rrjetet “Fair Trade”.
Marrakesh
Vali Nasr, një docent universitar amerikan, sapo ka publikuar “Forces of Fortune”, përmbajtja e së cilës kërkon të thotë këtë: sa më shumë klasat e mesme të këtyre zhvillohen, aq më i butë bëhet presioni fetar. Kjo tezë vërtetohet plotësisht në Marrakesh. Qyteti dridhet nga gjallëria tregtare dhe kulturore. Prej kohësh vendi i preferuar i udhëtarëve profesionistë, me rihapjen e “La Mamounia”-s u kthye në kopertinat ndërkombëtare. Hoteli superluksoz aq i dashur nga Churchill, respekton bukurinë ekzotike dhe e ndërthur atë me elementë komforti. Spektakolar është sistemimi i kopshtit me ullinj dhe portokalle. Jashtë tij qyteti ofron spektaklin dhe bukurinë e sheshit “Jemaa El Fna”. Vizitoni medresenë “Ban Youssuf”, shkollën e vjetër uranore, por mos ndaloni në qytetin e vjetër: shkoni në Gueliz, vizitoni “Jardin majorrelle”, çlodhuni në “Cafe de la poste” apo në “Cafe du Livre”. Mos harroni të blini vaj argani, të vizitoni “Theatre Royal” dhe të drekoni në një nga restorantet më të mirë të qytetit, “Founddouk”.
Doha
Nuk dëshiron të imitojë fqinjin e saj, Dubain, përkundrazi. Në Doha investimet vazhdojnë të rriten në mënyrë spektakolare. Shembulli më i mirë është NDIA (New Doha International Airport), që do t’i hapë dyert për pasagjerët në vitin 2015. Aty punohet 24 orë në ditë për të përfunduar këtë kolos të arkitekturës së aviacionit civil, i projektuar për të mirëpritur gjigandët “Airbus A380” dhe një fluks prej 380 milionë pasagjerësh në vit. Pas mbërritjes në Doha, vizita duhet të nisë nga muzeu i artit islamik, një kryevepër që mban emrin e arkitektit kinez, Ming Pei, ku janë ekspozuar copëza të rralla të trashëgimisë myslimane të ardhura nga epoka dhe kontinente të ndryshme. Pastaj është pjesa e re e “Qatar Science and Technology Park”, një qendër avangardë në sektorët e biomjekësisë, telekomunikacionit dhe kërkimeve hapësinore. Nga rëra në shkretëtirë është krijuar edhe “Education City”, një qytet universitar, ku gjenden selitë e universiteteve më të mëdha të botës, si “Goprgetown” dhe “Cornell University”. Katari është dhe “shtëpia” e televizionit satelitor “Al Jazeera”, i cili që prej vitit 1996 ka ndryshuar mënyrën e të dhënit informacion në botën arabe. Çdo ditë, nën shoqërinë e gazetarëve, zhvillohen ture për të vizituar studiot e saj. Pas këtyre projekteve ambicioze qëndron një grua, Mozah bint Nasser Al-Missned. Është një nga gratë e sheikut Khalifa Al-Thani, një “firot lady”, e renditur nga revista “Forbes” mes 100 grave më të pushtetshme të planetit. Mozah bint Nasser Al-Missned dëshiron ta shndërrojë vendin në një vend ku kultura dhe arsimimi të ecin përkrah biznesit dhe turizmit. Që prej shtatë vjetësh, pamja e re e Dohas i ngjan gjithnjë e më shumë Dubait. Në Doha, secili ka vendin dhe misionin e tij. Egjiptianët, palestinezët, sirianët merren me administrimin publik; amerikanët, anglezët dhe francezët punojnë në industritë e naftës dhe gazit; filipinasit, indianët, pakistanezët dhe nepalezët punojnë si taksistë ose punëtorë. Këtu kryeqyteti ndërtohet me fuqinë punëtore të huaj, e cila përfaqëson 80% të popullsisë. Doha është një kantier ndërtimi që punon ditë e natë. Jo shumë metra larg këtij kantieri po ndërtohet ishulli artificial, i frymëzuar nga Dubai. Me një shtrirje prej 400 hektarësh, mendohet se ky ishull do të popullohet brenda vitit 2011 me grataçela, vila, hotele, një port turistik, plazhe, dyqane dhe një xhami. Çdo mbrëmje të gjithë njerëzit vizitojnë qendrat tregtare. Në “City Center”, teksa fëmijët zbaviten në pistën e patinazhit, prindërit e tyre pinë kafe në lokalet e kësaj qendre, ndërkohë vajzat e reja e kanë gjetur vendin e përshtatshëm për “të gjuajtur”. Pasi bëjnë pazar dhe mbushin bagazhet, familjet kthehen në shtëpi në “Beverly Hills Garden”, “Samriya Gardens” e “Riviera Gardens”. Dikur beduinë dhe peshkatarë, banorët e Katarit janë bërë VIP-at e shkretëtirës, rezidentë në vila luksoze. Ambicia e emirit është ajo që do ta bëjë Dohan një kryeqytet të kulturës me famë ndërkombëtare, me muze të fotografisë, shkencave natyrore, si dhe me bibliotekë kombëtare. Jo shumë larg prej këtu gjendet një tjetër ndërtesë që imiton xhaminë e Samarras në Irak. Më pas është edhe muzeu orientalist. I fshehur pas një ndërtese, e cila nuk bie shumë në sy, numëron rreth 700 vepra. Slogani i ri i Katarit është: “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Banesat e rrënuara beduine janë zhdukur. Kanë mbetur vetëm tendat që janë bërë me copë sintetike, dyer e dritare alumini dhe ajër të kondicionuar. Edhe udhëtimet me deve janë shumë të përhapura e të preferuara nga njerëzit. Shtatë vjet më parë në Doha kishte vetëm rërë, ndërsa tani këtu vendoset e ardhmja.
Kejptauni
Nuk mund të mos përshkruhet bukuria e tij vetëm pak muaj para fillimit të botërorit të futbollit. Ndaj është më mirë ta nisim me “Green Point Stadium”, stadiumin modern dhe spektakolar që do të mirëpresë evenimentin më të madh të futbollit në botë në muajin qershor. Me një kapacitet prej 68000 vendesh dhe një kosto prej 600 milionë dollarësh, ai është vendosur në qendër të qytetit dhe është i rrethuar nga 60 hektarë park urban. Por Kejptauni i vërtetë gjendet në det. “Robben Island”, ishulli i mrekullueshëm rreth 12 kilometra larg Kejptaunit, është i pushtuar nga lepujt dhe nuk ka dyshim që meriton një xhiro në vendet e burgut të Mandelës. Mbetet i paharrueshëm një udhëtim për të festuar historinë që afrikano-jugorët duan të kujtojnë. “Table mountain” është ai që ndan qytetin e bukur të të bardhëve nga lagjet e varfra të punëtorëve me ngjyrë të paintegruar. “Victoria & Albert Waterfront” është një nga vendet turistike më të bukura ku gjendet “Two Oceans Aquarium”, ku mund të admirosh faunën detare të oqeanit Atlantik dhe atij Indian.
Brukseli
Për Bodlerin ishte kryeqyteti i majmunëve, ndërsa sot për shumë njerëz është simbol i burokracisë dhe i ngjyrës gri të trishtueshme. Por Brukseli nuk është as gri i trishtueshëm dhe as kryeqyteti i majmunëve. Ai është një metropol kozmopolitan, i pasur ekonomikisht, por shumë ekonomik për të jetuar. Është tolerant, i hapur, pa orare, me një jetë nate shumë kurioze dhe aktivitete të dendura kulturore. Kryeqyteti i Belgjikës dhe Europës mund të ofrojë mundësi për të gjitha shtresat dhe shijet. Birrat dhe çokollatat e mrekullueshme janë ndër pikat më të forta të këtij qyteti frenetik. Dhjetëra bare gërshetohen mes shijeve moderne dhe atyre klasike. Këtu nuk mungojnë kurrë festivalet e muzikës, teatrit, kinemasë dhe kërcimit. Në maj “Jaz Marathon”, në fund të qershorit “Couleur Cafe”, ndërsa në tetor “Nuits Botanique”, rrok alternativ dhe muzikë elektronike në një kopsht botanik. Ata që pëlqejnë klubet, mund ta gjejnë veten te “Mirano”, “Fuse” apo “Recylcart”, stacioni i trenave që në fundjavë shndërrohet në diskotekë apo teatër. Për ata që preferojnë një atmosferë më të qetë, netëve mbyllet në “Archiduc” një pikë takimi për artisët që nga vitet ‘30. Për ata që pëlqejnë shopingun, në qendër gjen dyqanet e modës së lartë me çmime të kripura. Po ashtu, një vizitë në Pallatin e Drejtësisë nuk duhet harruar. Për më tepër, në dhjetë vjet prezencat turistike janë rritur me 76 për qind.