Muca Titullin e vendosim ne

Muça: Titullin e vendosim ne

Nga Bylisi te Bylisi. Gentian Muça rikthehet aty ku e la. Pas dy muajsh larg fushave, gjiganti i mbrojtjes bardheblu do ta nisë si titullar. mucaRastësia bën që bashkë me të të kthehen edhe tifozët, që mungonin prej javësh. Dhe zv.kapiteni garanton se Tirana do bëjë gjithçka për t'i dhuruar lojtarit të 12-të një fitore të bukur. Gjatë intervistës së dhënë për mediat, ai e cilëson vendimtare ndeshjen me Bylisin, ndërsa nuk heziton që të "thumbojë" indirekt rivalin e përjetshëm për garën e titullit.

Pas dy muajsh riktheheni në fushë, si ka qenë kjo periudhë larg Tiranës?

Nuk kam qenë larg Tiranës, aq më tepër Tirana larg meje. Kam pasur mbështetjen e të gjithë klubit, stafit dhe shokëve të ekipit. Nuk ka qenë një periudhë e lehtë, këtë duhet ta pranoj, pasi dihet që çdo dëmtim ka pasojat e veta.

Sa përcaktuese është ndeshja e nesërme (sotme)?

Është shumë e rëndë- sishme për ne, pasi përcakton objektivat sezonale. Pastaj, dihet që kundërshtari është tejet i mobilizuar, pasi rrezikon mbijetesën. E dimë që na pret një duel i luftuar, por ne në Ballsh shkojmë vetëm për tri pikët.

Mungesa juaj ka përkuar edhe me një ecuri negative të ekipit...

Më vjen keq që ecuria nuk ka qenë e duhura për ne. Por në dy javët e fundit jemi rikthyer disi dhe hapësira ime është mbuluar më së miri nga djemtë e rinj që kanë luajtur, përfshi këtu edhe Deliajn, të cilin e falënderoj. Dëshira ime ishte që të rikthehesha sa më shpejt, por duke qenë i nevojshëm për ekipin dhe pa i prishur punë. Rikthehet Muça, por rikthehen edhe tifozët.

Rastësi apo keni pasur ju ndonjë ndikim, si "Fanatics" i deklaruar që jeni?

Unë mund të them se kam qenë një nga personat që e ka ndier më tepër këtë histori, pasi i kuptoj mendimet e tifozëve dhe kam qenë mes dy zjarreve, klubit dhe tifozëve. Më vjen mirë që u arrit një marrëveshje sa më shpejt e aq më tepër para një ndeshjeje të tillë delikate dhe shpresojmë që me rikthimin në shkallët e stadiumit t'u dhurojmë një fitore.

Një ndër kërkesat e shumta të tifozëve, ka qenë edhe fitorja në derbi...

Jo thjesht fitorja në derbi, por paraqitje dinjitoze në total. Dihet që topi është i rrumbullakët dhe nuk i dihet. Ndodh që nuk mund të fitosh, por ne jemi munduar gjithnjë që ta respektojmë fanellën e Tiranës, ashtu sikundër ata kanë kërkuar. Shpresojmë që këtej e tutje t'ua plotësojnë pritshmëritë tifozëve.

Mungesat kanë ndikuar në rezultat, por a mund të konsiderohet arritje fitimi i të rinjve?

Është e vërtetë. Kot nuk thonë, çdo e keqe e ka një të mirë. Lojtarët e rinj e kanë gjithnjë vendin e hapur te Tirana, pasi edhe vetë trajneri Daja ka politikë të atillë që t'i afrojë këta elementë. Ai nuk shikon emrat, pasi ai që jep maksimumin në stërvitje dhe në fushë do të fitojë edhe besimin.

Sa e vështirë është kjo transfertë, kur dihet që ballshiotët rrezikojnë rënien?

Shumë e vështirë. Jemi përgatitur për një ndeshje të luftuar, pasi e dimë çfarë pretendimesh ka Bylisi. Por, sikundër e thashë, ne na bën punë vetëm fitorja.

Ndaj nuk do të shkojmë kurrsesi në Ballsh për t'u mbrojtur. Prisnit ndonjë "dhuratë" nga Teuta-Kukësi?

Dhurata më e bukur për ne do të ishte fitorja nesër (sot), pastaj se si do dalin të tjerat është dytësore. Por, gjithsesi, nuk mund ta mohojmë faktin që i kemi paksa sytë nga kundërshtarët. Por nëse ne marrim pikët e plota nesër (sot), do të na ndihmojë shumë këtë javë.

Do vendoset Europa nga përballjet direkte?

Po, besoj se po. Por mendoj se më vendimtarja do të jetë ajo me Teutën, pasi deri te Kukësi do të jenë ndarë objektivat.

Si e sheh Muça garën e titullit, fiton Skënderbeu apo Partizani?

Hëm, besoj se do të luajmë edhe në një rol. Duke qenë se ndeshemi me të dy kundërshtarët.

Dhe çfarë roli do të luajë Tirana?

Rol pozitiv për Tiranën sigurisht dhe negativ për kundërshtarët.

Përgatiti: ADELA MERKO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama