Mucaj Organizatoret e festivaleve shkaterrojne Butrintin dhe Apolonine

Mucaj: Organizatoret e festivaleve, shkaterrojne Butrintin dhe Apolonine

Arkeologu i njohur Skënder Muçaj rreshtohet përkrah mendimit të anëtarëve të Forumit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, për festivalet që  zhvillohen sipër monumeteve të kulturës në teatrin e Butrintit apo të Apolonisë kur dihet që kanë një kapacitet të kufizuar vendesh.

Auron Tare ka reaguar duke u shprehur se “teatri antik ka një kriter tjetër për mirëpritjen e spektatorëve dhe mban vetëm 400 veta, ndërsa ka konstatuar se nuk ka më kritere ruajtëse për Monumentin e Kulturës”.

Duke bërë apel që shteti t’u kërkojë organizatorëve të kujdesen për monumentet, Tare ka nxjerrë në dritë dhjetëra pasoja që vijnë në Monumentet e Kulturës gjatë ose pas mbarimit të festivalit, si gozhdët në mure, kamionët me tonazh të rëndë dhe dëmet që vijnë nga mbingarkesa e shkallëve që shkon deri në 1500 spektatorë.

Ndërsa organizatorët e festivalit të Butrintit dhe Apolonisë mendojnë se kjo është një shprehje e suksesit të festivalit, arkeologu Skënder Muçaj thotë se shteti duhet të bëjë kontrata të forta me marrësit në përdorim të monumentit dhe të mos ketë pasoja..

“Unë nuk jam për atë që monumentet e hapura që janë për t’u përdorur të mos të përdoren. Nuk jam as kundër zhvillimit të një festivali, por problemi është se këto festivale nuk menaxhohen mirë nga ata që marrin me qira ose ata që kryejnë aktivitete. Prandaj institucionet shtetërore duhet të kenë sanksione shumë të forta për palën që e merr në përdorim monumentin dhe për personin përgjegjës që e merr përsipër gjatë ditëve të aktivitetit. Në qoftë se kjo kontratë realizohet, nuk do të ketë prishje të monumentit dhe askush nuk merr në përgjegjësi një monument dhe ta përdor atë për ta shkatërruar. Nëse vendosen gjoba, personi që drejton një festival do të jetë shumë i kujdesshëm të mos të shkatërrojë asnjë gjë. Këtë e bëjnë edhe shumë shoqëri private që e sipërmarrin në përdorim monumentin, por kontrata me institucionin shtetëror e vë secilin përballë një përgjegjësie të madhe ligjore”, shprehet Muçaj.

Ai rrëfen se  më shumë ka parë pisllëqe sesa shkatërrime.

“Kam parë pisllëqe ku u zhvillua festivali i Iso-polifonisë në Bylis, ku pjesëmarrësit kanë në ikur dhe kanë lënë shumë qese, pra problemi më i madh është i pisllëkut që lihet pas dhe shteti duhet të paguajë të pastrohet” , shprehet ai për “Shqiptarja.com”.

Muçaj pranon që në Butrint nuk është e mundur të vijnë 1500 spektatorë, sepse nuk mund të akomodohen pa bërë dëme në atë terren.

“Ashtu siç bëhet për kinemanë, etj, ashtu të bëhet edhe për teatrot. Ai persona që shkon duhet që të presë edhe bileta. Bileta e klasifikuara nuk lejojnë të hyjë në Butrint ose Apoloni kush të dojë. Madje festivali që bëhet në këto teatro është i tillë që duhet parë nga një publik i zgjedhur dhe njohës e specialistë të teatrit. Jo të themi “hajde ta bëjnë sa për të thënë”. Ne nuk jemi as në sheshin Nënë Tereza, as në sheshin Skënderbej, që t’i themi publikut se po bëjmë teatro të hapura. Këto mund t’i bëjmë kur të duam, por nuk duhet harruar që atje larg qytetit është një qendër arkeologjike me rëndësi të veçantë dhe atje duhet patjetër të shkojë edhe një spektator i zgjedhur. Teatri i Butrintit nuk është teatër kukullash që të shkojnë fëmijët. Unë i di se çfarë shfaqjesh jepen aty dhe ato shfaqje nuk kanë lidhje as konceptualisht me fëmijët. Ndaj drejtuesit duhet të bëjnë një aktivitet të rëndësisë që pretendojnë dhe për të bërë të njohur monumentet e Butrintit apo Apolonisë’, nënvizon Muçaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama