Muhaj gjykates Me lini te lire se gruan nuk e vrava me dashje

Muhaj, gjykates: Me lini te lire se gruan nuk e vrava me dashje

“Arrest në burg” ka qenë masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata e Shkallës Fierit ndaj 53-vjeçarit Arben Muhaj, i cili akuzohet se dhunoi barbarisht deri në vdekje bashkëshorten e tij mëngjesin e të dielës. Asnjë prej familjarëve të Arben Muhajt nuk ka shkuar në gjykatë dje gjatë caktimit të masës së sigurisë ndaj tij, madje as tre djemtë. Pasi ka parashtruar provat e siguruara gjatë hetimit disaditor, prokurori i çështjes, Petrit Vukaj i ka kërkuar gjykatës që ta vlerësojë të ligjshëm ndalimin e Arben Muhajt dhe të caktojë ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat. Sipas prokurorit të çështjes, i arrestuari e ka dhunuar të ndjerën Teuta Muhaj derisa i ka shkaktuar vdekjen si pasojë e goditjeve të dhëna.

 

Ndërkohë, prokuroria ka theksuar faktin se Arben Muhaj e ka pranuar krimin e kryer dhe konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye, ka kërkuar lënien në qeli të tij. Ndërkohë, Arben Muhaj ka shprehur pendesë për aktin e kryer dhe është shprehur se nuk ka pasur qëllim që ta vrasë bashkëshorten. Ai ka kërkuar që gjykata të caktojë ndaj tij një masë më të lehtë, atë të detyrimit të paraqitjes duke u justifikuar se vrasjen nuk e kishte bërë me dashje, kështu që nuk kishte probleme me njeri tjetër jashtë. Ndërkohë, ka shtuar edhe një tjetër version rreth konfliktit që kishte pasur me viktimën. “Unë u kam deklaruar edhe hetuesve, se nuk kam pasur si qëllim ta vrisja gruan.

 

Jam penduar dhe po ndihem vërtet keq për atë që kam bërë. Ju lutem të më lini në detyrim paraqitjeje. Nuk mund të më çoni prapë në burg. Unë dhe Teuta kishim dy ditë që grindeshim se gjatë kohës kur kisha qenë në burg ajo kishte prishur disa prej kursimeve që i kisha lënë prej kohës kur punoja si taksist. Unë i kërkoj trupit gjykues të mendojë për mua. Fëmijët tani nuk kanë as nënë dhe unë duhet të kujdesem për ta”, mësohet të ketë deklaruar Arben Muhaj gjatë zhvillimit të seancës së caktimit të masës së sigurisë. Edhe mbrojtësi i të arrestuarit ka kërkuar caktimin e një mase më të lehtë sigurisë nga ajo e arrestit në burg, me argumentimin se klienti i tij nuk e kishte kryer krimin me paramendim. Pasi ka ballafaquar provat gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe ta lërë në burg pa afat 53-vjeçarin Muhaj. Ai është shoqëruar sërish për në qelitë e Burgut të Rrogozhinës prej nga u lirua një javë më parë me vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë, që pezulloi dënimin e tij me tre vjet heqje lirie për plagosje të rëndë me dashje. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës kur Arben Muhaj rrahu deri në vdekje bashkëshorten e tij, Teuta Muhaj. Në deklarimet e dhëna fillimisht në polici ai ishte shprehur se e kishte dhunuar të shoqen pasi dyshonte se ajo e tradhtonte. Kjo, pasi ai e kishte urdhëruar që të mos dilte nga shtëpia në kohën kur kishte qenë në burg.

 

Gjithashtu, ai ka shtuar se në orët e para të mëngjesit të së dielës kur ishte kthyer në shtëpi pasi kishte pirë, e shoqja kishte mbyllur derën nga brenda dhe për këtë arsye ishte bërë xheloz. Në momentin e ngjarjes Arben Muhaj ka qenë i vetëm pasi tre djemtë e tyre jetonin më shumë në shtëpinë e gjyshes sesa në të tyren. Fqinjët janë shprehur se Arbeni ishte njeri i dhunshëm dhe problematik. Ata kanë theksuar faktin se ai e kishte dhunuar edhe më parë bashkëshorten. Ky fakt është bërë me dije edhe nga djemtë e viktimës, të cilët kanë pohuar se prindërit konfliktoheshin herë pas here. Por, viktima nuk kishte kryer asnjëherë kallëzim ndaj bashkëshortit për dhunën që ai ushtronte. Arben Muho ka qenë person me precedent penal edhe para vrasjes së bashkëshortes së tij. Ndonëse ishte dënuar me tre vjet burg, Apeli i Vlorës e liroi me kusht me datë 14 janar, katër ditë para se të kryente krimin e radhës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama