“Më keni ngarkuar me një peshë dhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme, duke e fokusuar vëmendjen e këtij projekti tek unë. Por unë jam vetëm një pjesë e gjithë aktivitetit të këtij teatri dhe të kësaj vepre, ku një peshë shumë të madhe kanë të gjithë këngëtarët, edhe ata të episodeve më të vogla. Kontributi im është të ndaj eksperiencën time me kolegët e mi. Nuk kam ardhur të bëj divën në skenë”, tha sopranoja. E kthyer pas një mungese 20-vjeçare, Mula nuk mund ta fshihte emocionin që ndiente, teksa përshkonte korridoret e teatrit, ku nisi karrierën e saj si artiste.
“Kur fillova punën, u ktheva sërish në rininë time, duke punuar në të njëjtat salla, duke prekur të njëjtat instrumente, vetëm se kam gjetur kolegë të rinj, shumë të talentuar”, vazhdoi ajo, duke veçuar mexosopranon Vikena Kamenica, e cila luan rolin e muzës në “Përrallat e Hoffmanit”. Ndonëse sopranoja ka mbajtur lidhje të forta me skenat shqiptare, duke qenë e pranishme nëpër koncerte e spektakle, kjo është hera e parë pas dy dekadash që ajo merr pjesë në një vepër të plotë. Dhe pyetja që lind natyrshëm është pa dyshim: Përse tani?! “Nuk doja të kthehesha në skenën shqiptare me një rol, të cilin e kam luajtur me dhjetëra herë në skenat botërore dhe që e ‘kam në dorë’. Por po kthehem me një rol të trefishtë, që kërkon tri zëra të ndryshëm.
Për mua është një sfidë, një rol për të provuar veten. Në këtë moment të karrierës sime, mendoj se mund ta realizoj”, tha Mula. Në këtë vepër, ajo do të ndryshojë petk, në çdo akt. Do të interpretojë rolet e Olimpias, Antonias dhe Zhulietës. Sopranoja Mula prezantoi për të pranishmit edhe grupin realizues, regjisori Stephane Roche, dirigjentin Andre Bernard, skenografin e artistët e tjerë të ftuar. Duke përfituar nga ky rast, drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, i bëri sopranos një ftesë publike për të festuar vitin e ardhshëm përvjetorin e debutimit të parë në skenën operistike, duke iu përmbajtur të gjitha kushteve që do të vendosë ajo.