Mungesa e higjienes me vrastare se lufta

Mungesa e higjienës, më vrastare se lufta
Por, këtë fatkeqësisht, si fëmijët ashtu dhe të rriturit, nuk e kuptojnë", shprehet zëdhënësja OKB-së për fëmijët. UNICEF ka llogaritur se uji i rrjedhshëm dhe sapuni mund t‘u shpëtojnë çdo ditë jetën 2500 fëmijëve. Gjysma prej tyre vdesin që në moshën 5-vjeçare për shkak të diarresë, ose sëmundjeve të tjera infektive që lidhen me mungesën e higjienës. "Një në dy fëmijë mund të shpëtojë jetën e tij, thjesht duke bërë zakon larjen e duarve me sapun, para se të hanë bukë dhe pasi të kenë kryer nevojat personale", shpjegon zëdhënësja.

OKB-ja dëshiron të sensibilizojë opinionin publik, duke dhënë një mesazh shumë domethënës, që ky gjest i thjeshtë rutinë, është një nga mënyrat më të mira për parandalimin e sëmundjeve vdekjeprurëse, sepse, pothuajse gjysma e popullsisë së botës, nuk i jep rëndësi shërbimeve të duhura hijeno-sanitare.

UNICEF organizoi para pak ditësh "Ditën për duart e pastra", në 60 vende mes Afrikës dhe Azisë, dy kontinentet më të dëmtuara nga mungesa e higjienës. Por, një studim anglez, i quajtur "Studimi mbi duart e pista", ka treguar se edhe Perëndimi ka disa probleme me viruset dhe bakteret. Në pesë qytete të Britanisë së Madhe "Shkolla e Higjienës së Londrës dhe Mjekësisë Tropikale" bëri një test mbi higjienën personale. Më shumë se 400 këmbësorë nga 5 qytete angleze u është dashur të tregojnë pëllëmbët e duarve të tyre dhe t‘u nënshtrohen disa analizave për të parë bakteret që qëndrojnë në trupin e tyre. Së bashku me miliona lloje mikrobesh që jetojnë në sipërfaqen e trupit tonë, në më shumë se një në katër raste (28 për qind e tyre), studiuesit gjetën edhe mikrobe fekale. Një shenjë kjo e cila tregon se, pasi këmbësorët kishin kryer nevojat personale, as që i ishin afruar lavamanit. "Prisnim një shifër rreth 10 përqindëshit. Të gjenim kaq shumë njerëz që nuk lajnë duart, na habiti me të vërtetë", është shprehur një nga kërkueset, e cila e publikoi studimin ditën kur UNICEF organizoi "Global handwashing day".

Sipas studiueses, këmbësorët që lëvizin me autobus, janë më pak të kujdesëm se ata që udhëtojnë me tren. Në këtë rast, femrat kanë bërë figurë më të keqe se meshkujt, ndërkohë që studentët dhe profesionistët morën një mësim pastërtie nga këmbësorët. Edhe pse asnjë prej baktereve të gjetura mbi lëkurën e këmbësorëve (baktere që mund të mbijetojnë në mjetet e transportit për tre ose katër orë) nuk është në gjendje të shkaktojë sëmundje të rënda, shtrëngimi i duarve me personat që janë me grip është cilësuar si një nga rrugët e kontaktit më të preferuara nga viruset. "Problemi nuk qëndron vetëm te larja e duarve me ujë të rrjedhshëm e sapun. Nuk mjafton një larje e shpejtë. Duhet ta lajmë mirë e me kujdes edhe hapësirën mes gishtave. Gjithashtu, duhet të presim edhe thonjtë. Zakoni i mirë nuk vlen vetëm për fëmijët që jetojnë në vendet në zhvillim, por për të gjithë, sidomos nëse jetojmë pranë njerëzve të cilët mund të transmetojnë sëmundje infektive", thekson drejtori i departamentit të sëmundjeve infektive.

Problemi i larjes së duarve me ujë e sapun bëhet edhe më serioz në momentin kur hymë në një spital, pasi infeksionet mes korridoreve dhe sallave të operacionit janë përgjegjëse (ose gjysmë përgjegjëse) për vdekjen e rreth 5 mijë pacientëve çdo vit. Në 2006-ën, Shoqata Mjekësore e Britanisë së Madhe u kishte rekomanduar këmishëve të bardha të Anglisë jo vetëm që t‘i lanin duart me kujdes të madh, por edhe të hiqnin kravatën gjatë vizitave mjekësore. Regjistrimi i baktereve mbi këtë veshje kishte shfaqur të dhëna shqetësuese. Sipas një studimi të publikuar te "Journal of Infection" në vitin 2005, mes vendeve publike më të ndotura kanë rezultuar doreza e telefonit, çelësi i dritës, doreza e derës dhe rubineti i ujit në banjë.




Studimi:

409 këmbësorë nga 5 qytete angleze, të cilëve u janë ekzaminuar duart
25% e personave kishin gjurmë të baktereve fekale në duar

Bota e baktereve

Disa miliarda - llojet e baktereve të regjistruara
1500 - bakteret e rrezikshme për njeriun
200 - llojet e baktereve të pranishme në duar (këtu 6 janë të përbashkët te të gjithë individët)
300 - llojet që jetojnë në zorrë në simbiozë me njeriun

Vendet e preferuara të baktereve

Doreza e karrocës në supermarket
‘Mouse‘ i kompjuterit në internet kafe
Doreza mbajtëse në autobus
Doreza e derës së një banje publike
Numrat pulsantë të ashensorit

Ana e mirë e baktereve

Bakteret jo vrasëse mbajnë larg ato të rrezikshmet

Ana e keqe e baktereve


Nëpër spitale, bakteret mund të shkaktojnë infeksione të rënda

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama