Mungesa e kritikes letrare mungon diskutimi profesionist

Mungesa e kritikes letrare, mungon diskutimi profesionist
Mungesa e kritikës letrare është cilësuar një ndër ngërçet më të mëdha të letërsisë në dy dekadat e Shqipërisë së tranzicionit, të një vendi të zaptuar nga letërsia e realizmit socialist së cilës i vishej doemos edhe kritika e që s’mund të dilte nga kornizat. Një sërë çështjesh që lidhen me kritikën, mungesën e saj në nivelet e një diskutimi profesionist ishin në qendër të një forumi që shtroi për diskutim problemet e mëdha me të cilat përballet kritika. Dhurata Shehri, një ndër studiueset e specializuara edhe në fushën e kritikës letrare, vë theksin në faktin që mendimi kritik nuk mungon.

“Diskutimet për kritikën letrare nuk mungojnë, por cilësia e tyre pasohet nga një pikëpyetje e madhe. Në Shqipëri mungon një media e specializuar për kritikën, kjo është një dëshmi e madhe e gjendjes sonë. Dhe jo vetëm kaq, edhe në ato media ku diskutohet për kritikën, flasin njerëz që nuk janë kritikë”- thekson studiuesja në fjalën e saj.

Ngërç jo më i vogël janë përkthimet, cilësia e të cilave në dekatat e lirisë së botimit, vihet jo rrallë në pikëpyetje. Mirala Kumbaro flet e cilëson këtë një problem tepër të madh, çështje për të cilën zëri është ngritur jo rrallë.

Përkthyesja Mirela Kumbaro, një ndër personalitetet e fushës tepër aktive vë theksin në faktin se përkthimi jo vetëm është i një cilësie të dobët, por përtej kësaj, nuk konsiderohet aspak.

“Nëse për kritikën letrare flitet, diskutohet për mungesë apo gjithfarë çështjesh që kanë lidhje me të, me përkthimin nuk ndodh asgjë, sepse përkthimi konsiderohet si zanat. Dua të theksoj këtu që në fakt përkthimi zë volumin më të madh të botimeve, dhe jo profesionalizmi dëmton shumë”- theksoi shqipëruesja Kumbaro.

E për një gjë mund të flitet me siguri, që edhe ajo traditë e gjithëpranuar e kritikës letrare në Shqipërinë komuniste, me gjithë kornizat që diktonte sistemi i para viteve ‘90-të, nuk është më! Tani letërsia shqipe përballet me mungesën thuajse tërësore të saj, madje përtej këtij fakti, letërsia dhe përkthimi në Shqipëri përballen me të ashtuquajturën kritikë që sikundër u theksua në këtë forum të mbajtur, pranojnë të flasin për kritikën dhe pranojnë gjithaq që në nisje, se nuk e kanë lexuar librin dhe se nuk janë kritikë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama