Mungesat gjimnazistet i shfrytezojne deri ne limit

Mungesat, gjimnazistët i shfrytëzojnë deri në limit
Pra ata ezaurojnë 43 mungesa, duke i dhënë kështu vetes mundësinë e “aktiviteteve të lira” gjatë kohës së orëve të mësimit. Në këtë mënyrë edhe gjejnë hapësira për t’u argëtuar dhe i shpëtojnë provimit. Më i preferuari ndër këto aktivitete është pirja e kafesë në lokalet rrotull shkollës, apo diku më larg vështrimeve të të njohurve. Kjo mundësisht nën shoqërinë e miqve apo mikeshave të ngushta dhe padyshim edhe të tymit të cigares e shpesh edhe të alkoolit. Ky i fundit u shërbehet pa asnjë kufizim të rinjve nën moshën 18 vjeç në çdo lokal që ata frekuentojnë, ndonëse ligji e ndalon një gjë të tillë. Gjatë orëve të paradites, por edhe pasditeve, lokalet rreth shkollave të mesme gumëzhijnë nga të rinjtë. Në një pjesë të gjimnazeve në qytetin e Tiranës, shkollat funksionojnë me “dy turne”, paraditeve, por edhe pasditeve. Kjo për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe përpjekjes për të ulur numrin e tyre nëpër klasa, që deri pak vite më parë ka qenë tejet i ekzagjeruar. Tanimë edhe në gjimnazet me numrin më të lartë të të rinjve të regjistruar, maksimumi i tyre në një klasë mësohet se është rreth 40 nxënës.

Në numrin e lartë të mungesave që kryejnë të rinjtë e gjimnazeve nuk ka funksionuar as mesazhi dërguar prindërve. Kjo nismë e iniciuar nga Ministria e Arsimit pak vite më parë nuk arriti që të merrte përmasë dhe të mirëfunksiononte në gjimnaze më tepër për arsye teknike. Nga ana tjetër, vetë mësuesit ankohen se në klasat e tyre ka shumë nxënës që thjesht paraqiten fizikisht, por thuajse nuk janë pjesë e orës së mësimit. Ata nuk marrin me vete as libra dhe as fletore. Ndonjëri arrin që të kalojë klasën, duke u sjellë “mirë”, pra nuk i hap probleme mësuesve gjatë orëve të mësimit. Ky është kontingjenti “më i preferuar” nga nxënësit që vijnë në shkollë thjesht për të marrë një notë kaluese. Por ka edhe nga ata që cilësohen si problematikë, që jo vetëm nuk nxënë për vete, por pengojnë edhe të tjerët që gjatë mësimit të mund të përqendrohen në shpjegimin e mësuesve, apo në zgjidhjen e detyrave të klasës. Por sërish edhe me këtë kategori nxënësish puna e mësuesve bëhet shumë e vështirë. Kjo për faktin se edhe metoda e “kërcënimit” me ngelje në klasë nuk funksionon. Vetë mësuesit pohojnë se i kanë duart të lidhura. Ata nuk mund të nxjerrin shumë nxënës ngelës për klasë. Një gjë e tillë do të konsiderohej si punë e dobët e tyre nga drejtuesit e shkollës. Ndërkohë që ata vetë pohojnë se me nxënës të tillë, që nuk kanë asnjë interes për të mësuar, por vijnë në shkollë thjesht për të kaluar kohën me argëtime e shoqëri, është shumë e vështirë për të vepruar. Ka pasur raste kur përplasjet e këtyre nxënësve me mësuesit kanë qenë edhe të dhunshme.

Data 20 shkurt ka shënuar edhe afatin e fundit që drejtoritë arsimore në të gjithë vendin kanë pasur për të përpunuar të dhënat e semestrit të parë për kalueshmërinë, mungesat dhe rezultatet e nxënësve në çdo shkollë publike. Këto të dhëna do të paraqiten në Ministrinë e Arsimit për të realizuar më pas analizat e përvitshme, me qëllim mbajtjen e statistikave, por veçanërisht hartimin e politikave të reja.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama