Muret e Editit

Muret e Editit
Një përvojë kërkimi në artin bashkëkohor. Edit Pulaj lë Akademinë në një kohë të artë, vitet 1992-96, për të eksperimentuar dhe njohur kufijtë e saj në një ambient të huaj. Puna me pikturën nis gjithmonë në një sfond të zi dhe më tej vërshojnë ngjyrat, mbivendosen, shtresëzohen, derisa "krijohet një nocion estetik". Kështu punon Edit Pulaj, një artiste e larguar me një bursë studimi nga Akademia e Arteve drejt Anglisë në vitin 1996. Gjatë procesit të shtresëzimit të ngjyrave vepra del nga errësira në dritë, artistja arrin vetëpërmbushjen dhe dorëzohet. Me zor i shkëputen Editit këto fjalë për procesin e krijimit, kur ende nuk ka mbaruar me vendosjen e punëve në ekspozitë dhe afër pragut të hyrjes në Galerisë "FAP" në Akademinë e Arteve shihet një tavolinë që mban sipër shishe uji të zbrazura, kuti boje të shpërndara, llamba ndriçimi, paketa duhani të mbaruara.

Ekspozita e Edit Pulajt e hapur deri më 17 mars te "FAP" prezanton pikturat dhe instalacionet e realizuara tri vitet e fundit. "Letrat e Murit", quhet një seri "panelesh" të larta, me gjithfarë ngjyrash ku të josh syrin e kuqërremta, kafja, jeshilja e mbyllur, okra dhe bluja. Editit i intereson tonaliteti i çdo ngjyre. Në rastin e ciklit me 22 punë të teknikës vaj në letër, dimensioni i paneleve merr rëndësinë që ka ngjyra në pikturat e tjera. Ai që e sheh duhet të ketë ndjesinë e pafuqisë, asfiksisë, marrjes së frymës, kur je para një muri, një pengese, ndalese. "Muri është gjithmonë më i madh se ne dhe ne ndihemi të vegjël përballë tij". Cikli i dytë i punëve të 37-vjeçares janë 23 piktura, akrilik në letër, akrilik në kanavacë. Vazhdon loja me ngjyrën, me ndjeshmërinë, kërkimi personal i artistes, për të arritur në tonalitetet që ajo kërkon.

Relievet që krijojnë ngjyrat e ngacmojnë dhe atë që i sheh pikturat që të ftojnë, të falin ndjesi edhe jashtë çdo konteksti logjik. "Ndjeshmëria humbet kur shpjegon gjithçka". Për Editin as simbolet që përdor në pikturë nuk fshehin një kuptim.

Në katër punë, akrilik në letër, disa shkronja të shpërndara dhe të fshehura në ngjyrën e zezë ftojnë të hulumtosh brenda tyre. Nuk i bashkon asgjë. Shkronjat për Editin i krijojnë pikërisht këtë ndjesi konfuzioni që shpërfaqet në kanavacë. Është si mësimi i një gjuhe tjetër dhe thellimi në njohjen e saj. Asaj vetë i ka ndodhur të mendojë anglisht, të ëndërrojë italisht.

Piktorja e sheh te këto ndjesi personale forcën e artit për të komunikuar, gjëra të vogla, ndonjëherë të padukshme. Gjithçka nis nga vetja. Sfungjerët i krijojnë ndjesinë e çlodhjes, rehatisë, qetësisë dhe këtë material e integron në ekspozitë. Në instalacione me një lojë dominoje, hapësira ku vendosen gurët janë copa sfungjerësh (që në fakt gurët janë bohçe çaji jeshil, që po t'i hedhësh ujë çelin lule). Në instalacionin tjetër, sfungjeri nuk shërben më si mbushje e një kolltuku, por është nxjerrë jashtë tij dhe është varur nëpër mure. Për Editin këto janë forma anatomike, mund të jenë një shpatull, një dorë, një këmbë.

E vetmja gjë për të cilën ajo flet çlirët është koha e studimeve, vitet 1992-1996, në Akademinë e Arteve. Ka qenë studente e pedagogëve: Edi Rama, Edi Hila, Edi Muka, Najada Hamza, Vladimir Myrtezai, ka studiuar bashkë me Anri Salën.

Atëherë Akademia jetonte një kohë të artë: "U thyen hierarkitë mes pedagogëve dhe studentëve. U përballëm me artin kontemporan dhe u gjendëm të gjithë mes atij ngërçi të tmerrshëm të formimit të Akademisë Klasike. Të gjithë kishin nevojë për të shpërthyer dhe shpërthyem. Ishte një kohë ku gjeneroheshin ide dhe eksperimentohej me to. Kemi bërë ekspozita në të gjitha ambientet, uzurponim hapësirat e Akademisë, pa u ndalur nga strukturat". Pas 1996-ës, pasi kishte mbaruar studimet për Pikturë Monumentale, Edit Pulaj fitoi një bursë për të marrë pjesë në një Rezidencë të mbështetur nga Komuniteti Evropian për Artistët e Rinj. Duhej të zgjidhte: në Noruiç, Angli apo Grenobël, Francë. Editi zgjodhi Noruiçin. Iu dha mundësia të punojë në mënyrë të pavarur, pa instruktorë dhe mbikëqyrës, dhe të njohë mundësitë e saj. Një eksperiencë e tillë i ndryshoi mendësinë mbi artin dhe i krijoi një raport tjetër me veten. Pas rezidencës arriti të fitojë të drejtën për të ndjekur studimet master në "Byam Shaw School of Art and Design", pjesë e kolegjit San Martins.

Në të njëjtën kohë merrej me pikturë dhe bënte edhe punë të tjera. Qëndroi një kohë të gjatë në Angli, derisa një moment ndjeu se duhej të shkëputej. Përse?

"Do të doja të shkëputesha, ta rivlerësoja edhe njëherë Shqipërinë dhe rikthimin me kohë të plotë te arti. Unë vazhdoj të kem një ndjesi kërkimi. Nuk jam në kërkim të lumturisë, por është lumturia e të kërkuarit", kjo është motoja në art e Editit që reflektohet kudo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama