Matteo Mandalà/Universiteti i Palermos, Itali
Nicolò Borgia lindi në fshatin Hora e Arbëreshëve në Sicili, më 1 janar 1870. Më 6 tetor 1883, kur ishte trembëdhjetë vjeç, hyri në manastirin e Grottaferrata-s që asokohe përbënte një nga qendrat kryesore të ritit bizantin në Itali dhe një nga pikat e referimit për arbëreshët e Italisë. Me sa duket, Nicolò bënte pjesë në një grup arbëreshësh të ftuar nga Papa në Grottaferrata për të forcuar radhët e murgjve bazilianë, që në atë periudhë rrezikonin të zhdukeshin. Fakti është që, pasi hyri në manastir, Nicolò nuk doli më prej tij, duke ia kushtuar tërë jetën dhe mundin lartësimit të asaj qendre të mirënjohur kulturore. Më 17 mars të vitit 1894, me rastin e shugurimit, murgu i ri vendosi të merrte emrin “Nilo”, për nder të Shën Nilo di Rossano, themeluesit të urdhrit të Shën Bazilit në Itali. Pas dhjetë vjetësh, më vitin 1904, murgu ynë u emërua bibliotekar i abacisë, detyrë me prestigj të madh që ai do ta nderojë me kulturën dhe finesën e tij prej studiuesi. Falë famës si ekspert i bibliotekonomisë, ai u emërua inspektor bibliografik për komunat Marino, Rocca di Papa dhe Grottaferrata. Me emërimin e At Nilos si abat i manastirit të Grottaferrata-s më 31 dhjetor 1907, zunë fill një sërë nismash që, me gjithë peripecitë dhe problemet që iu desh të përballonte, lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kulturore të manastirit bazilian.
Nisma e parë e rëndësishme ka të bëjë me hapjen në shtator të vitit 1909 të një shtypshkronje, së cilës i vuri emrin “San Nilo”. Ky ishte hapi i parë që do ta shndërronte abacinë në një qendër të rëndësishme editoriale dhe librare për të gjithë mjedisin e ritit bizantin në Itali. Nisma e dytë u mor në mbështetje të përpjekjeve të Vatikanit për të rigjallëruar studimet dhe kërkimet në lëmin e bizantinistikës, të ritit liturgjik lindor dhe përgjithësisht të kulturës greke. Studimet në lëmin e bizantinologjisë dhe të liturgjisë orientale nuk lanë në hije interesat albanologjike që At Nilo ushqeu dhe kultivoi me pasion të madh. Ndër shkrimet e shumta në këtë lëmë përmendim kontributin që i dha në vitin 1927 çështjes së gjuhës letrare shqipe, duke propozuar rigjallërimin e fjalëve të lashta shqipe që dëshmoheshin në të folmet arbëreshe. Mbi të gjitha punimet e tij albanologjike spikat studimi i mirënjohur “Pericope Evangelica in lingua albanese del sec. XIV da un manoscritto greco della Biblioteca Ambrosiana”, që u botua në Grottaferrata në vitin 1930, ku transkriptohet dhe komentohet ky monument i vjetër i shqipes që përfshihej në një dorëshkrim që sot mendohet se i takon shekullit XV. Ky studim në llojin e tij përfaqëson jo vetëm një shembull paradigmatik të fazës së parë të historisë së filologjisë tekstore shqipe, por na dëshmon qartë, siç e ka vënë në dukje Eqrem Çabej, interesin shkencor të At Nilos për albanologjinë: “Borxha e kaloi pothuajse gjithë jetën e tij në Grottaferrata afër Romës. Ishte një gjë prekëse të shihje këtë plak sa interesohej për gjuhën e të parëve dhe për studimin e saj gjer në ditët e fundit të jetës së tij. Me zell të madh gjurmonte nëpër arkiva dokumentet që i përkasin Shqipërisë dhe monumentet e vjetra gjuhësore. Gjatë një bisede aty nga viti 1940 ai i kumtoi shkruesit të këtyre rreshtave se kishte zbuluar në arkivat e Vatikanit një dokument gjuhësor shqip të vjetër, më të vjetër se ato që dihen gjer tani. Vdekja mjerisht e ndaloi atë të na jepte të dhëna më konkrete rreth kësaj çështjeje me rëndësi themelore për gjuhësinë shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në lëmin e albanistikës”.
Borgia vdiq në Grottaferrata më 3 mars të vitit 1942. Vdekja e papritur e pengoi jo vetëm të bënte të njohur publikisht vendndodhjen e saktë të dokumentit që kishte zbuluar, por edhe të shihte të botuar vëllimin e dytë që kurorëzonte projektin historiografik që nisi në vitin 1935 kur botoi vëllimin e parë të “Shënimeve mbi murgjit bazilianë në Shqipëri”. Vëllimi i dytë u botua pas vdekjes së autorit në dhjetor 1942. Me atë botim si vëllezërit e tij bazilianë synonin të nderonin kujtimin e autorit, por, ndoshta, nuk ua merrte mendja se njëherësh po nxirrnin në dritë një vepër me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë.
“Shënimet e historisë misionare” qenë fryt i një pune të gjatë kërkimore që synonte jo vetëm të nderonte kujtimin e murgjve bazilianë në Shqipëri, por, mbi të gjitha, të theksonte vijimësinë mes dy fazave të aksionit ungjillëzues që ata zhvilluan në trojet ballkanike: nga njëra anë, faza e parë që zuri fill gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII dhe përfshiu pjesën me të madhe të shek. XVIII, nga ana tjetër, faza e dytë që pati si protagonist pikërisht Nilo Borgia-n qysh nga vitet e para ’20 të shekullit të shkuar. Premisa e dy vëllimeve ka të bëjë pikërisht me një periudhë të ngjeshur të jetës së autorit, i cili dy 10-vjeçarët e fundit të jetës së tij ia kushtoi projektit të ringjalljes së misioneve baziliane në Shqipëri. Për këtë qëllim murgu plak doli për të parën herë nga manastiri, ku kishte kaluar gjithë jetën, dhe shkoi t’i shihte me sytë e tij vendet (fillimisht Durrës dhe Elbasan, pastaj edhe Tiranë, Fier e Berat), ku, sikurse thotë në një dokument që ruhet në bibliotekën e Grottaferratës, do të ndërtonte “një mision bashkimi dhe paqeje”.
Gjatë udhëtimeve që ndërmori nëpër Shqipëri, ai mblodhi të dhëna që shërbyen për ta konkretizuar projektin misionar që zuri fill në Elbasan, ku, falë tij, u ngrit një bashkësi katoliko-bizantine me prejardhje arbëreshe. Suksesi i asaj ndërmarrjeje i detyrohej edhe kontributit që kishin dhënë ndërkohë studimet e Émile Legrand në vitin 1899 dhe të Cirillo Korolevskij në vitet 1911-12, ku përshkruheshin misionet e vjetra në Himarë. Kërkimet arkivore të këtyre studiuesve të shquar patën meritën se jo vetëm nxorën në dritë një pjesë të dokumenteve që ruhen në arkivat e Propagandës Fide dhe të manastirit bazilian të Mezzoiuso-s në Sicili, por edhe se gjatë viteve që pasuan arritën dy rezultate të jashtëzakonshme. Së pari, i dhanë Borgia-s shtysën të gjente pika lidhjeje mes përvojës së shek. XVII-XVIII dhe asaj të viteve njëzetë e tridhjetë të shek. XX që po lindte në hullinë e një kujtese historike dhe përtëritjeje vikiane. Së dyti, na dhanë neve mundësinë të kemi një kuadër historik të qartë për të shqyrtuar me sy kritik zhvillimet kulturore shqiptare dhe veçanërisht marrëdhëniet e pandërprera mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.
Borgia e ndau historinë misionare të shek. XVII dhe XVIII në dy faza të cilave u kushtoi nga një vëllim. Në vëllimin e parë rindërtoi fillimet e vështira të veprimtarisë ungjillëzuese që ndërmori Neofito Rodinò, e që u vijua më pas nga Simeone Lascaris dhe Onofrio Costantini, për t’u përsosur së fundi nga Giuseppe De Camillis dhe Arcadio Stanila, thuajse të gjithë këta nxënës të Kolegjit grek të Romës, që u themelua aty nga fundi i shek. XVI e që ishte e para shkollë që garantonte një formim të lartë shkencor, kulturor dhe fetar për arbëreshët. Borgia shfrytëzoi materialet e shumta arkivore, letërkëmbime, kujtime, relacione që misionarët u dërgonin autoriteteve të Vatikanit. Në këto dokumente të botuara e të pabotuara, që përmblidhnin dëshmitë e misionarëve, rrëfeheshin jo vetëm vështirësitë e shumta që u duhej të përballonin, por përshkruheshin edhe “kushtet politike e morale të Himarës”, një krahinë kjo ku takohej dhe ndeshej tradita ortodokse me ndikimin e islamit.
Kufiri i prerë që vuri Borgia mes fundit të fazës së parë dhe fillimit të së dytës përbën më shumë se një kalim stafete mes dy brezave të murgjve bazilianë. Në fakt, me Nilo Catalano-n dhe Filoteo Zassi-n misionet baziliane në Himarë u morën në duart e arbëreshëve, sidomos të atyre që ishin formuar në manastirin e fshatit arbëresh Mezzoiuso në Sicili që ishte themeluar në vitin 1609 nga Andrea Reres. Pasi u ngrit si manastir lindor për të nderuar amanetin e këtij bamirësi, në vitin 1647 aty u vendosën murgj që vinin të gjithë nga Kreta dhe që e mbajtën manastirin për disa dekada. Në vitin 1664 Kongregata e Shenjtë e Ipershkëve në Romë vendosi kalimin e varësisë së manastirit nga dioqeza latine nën juridiksionin e Abatit të përgjithshëm të bazilianëve të Italisë, duke ndryshuar kështu thelbësisht jo vetëm praktikat liturgjike (të cilat linin mënjanë rregullat disiplinore ortodokse që kishin ndjekur deri atëherë murgjit kretas dhe u afroheshin praktikave të uniatizmit), por edhe orientimin e ardhshëm të këtij instituti murgjëror. Me mbrojtjen e veçantisë kulturore dhe fetare të arbëreshëve, atyre iu njoh edhe njëfarë autonomie administrative nga ipeshkëvitë e ritit latin, çka krijoi kushtet për hapjen e disa shkollave të rëndësishme fetare. Prej këtej vëmendja u kthye në rrafshin e ekumenizmit dhe të promovimit të uniatizmit në trojet ballkanike që dergjeshin mes islamizmit dhe ortodoksisë. Në këtë mes një rol vendimtar luajti manastiri i Mezzoiuso-s, sidomos në formimin e përshpirtshëm, fetar dhe kulturor të murgjve që destinoheshin për misionet përtej Adriatikut. Këtu e ka burimin edhe afirmimi, mes fundit të shek. XVII dhe gjysmës së parë të shek. XVIII, i një stine të frytshme rilindjeje kulturore të komuniteteve arbëreshe dhe arritja e rezultateve të rëndësishme, si konceptimi i një procesi origjinal të krijimit të traditës dhe të identitetit, i panjohur më parë në kulturën shqiptare këtej dhe andej Adriatikut. Kjo stinë që u zhvillua përgjatë gjithë shek. XVIII me epiqendër komunitetet arbëreshe të Sicilisë, jo vetëm që parapriu kronologjikisht Rilindjen romantike, por i hapi asaj rrugën nga pikëpamja e historisë së ideve, ngjizi dhe i dha të gatshme paradigmat mitike e vizionet utopike, e pajisi me atë ideologji risore që përcaktoi krijimin e “kombësisë” dhe të identitetit shqiptar, duke i mundësuar kështu të hynte sinkronikisht në proceset komplekse që karakterizuan shekullin e nacionalizmave.
Tërësia e këtyre shndërrimeve të rëndësishme solli edhe një kthesë vendimtare ndaj shekujve XVI dhe XVII, si edhe theu në mënyrë të prerë dhe përfundimtare kufijtë e një izolimi kulturor që ndër arbëreshët zgjati disa shekuj. Lëvizja e shekullit XVIII nuk u kufizua vetëm me mbrojtjen e identitetit fetar të arbëreshëve: kjo arsye u bë shkasi që, me largpamësi, i dha udhë ëndrrës për t’i rikthyer një populli të tërë sensin e historisë, vetëdijen e rolit të tij shoqëror, dinjitetin e gjuhës, talentin për të prodhuar letërsi, me fjalë të tjera, krenarinë e etnosit. Nuk është rasti këtu të ndalemi hollësisht në këtë fazë të jashtëzakonshme të historisë, por duhet së paku të kujtojmë se ata murgj që përmend Borgia në vëllimin e dytë nuk ishin vetëm “misionarë”, por edhe njerëz të letrave, intelektualë dhe studiues. Nuk është e rastit që pikërisht në Mezzoiuso Nikollë Filja në fillim të shek. XVIII shkruante Kodikun e Kieutit. Nga disa dokumente që ruhen në arkivin e Kongregatës së Propagandës Fide mësojmë se i lartpërmenduri Neofito Rodinò kishte përkthyer një katekizëm në shqip që mbeti i pabotuar. Në Mezzoiuso kaloi shumë vite të jetës, para se të hidhej në Himarë, edhe Nilo Catalano, i cili përveç tri poezive që përfshihen te Kodiku i Kieutit shkroi edhe një fjalor e një gramatikë të gjuhës shqipe, sot të humbura, që i kishte në zotërim poeti arbëresh Zef Skiro. Një tjetër Zef Skiro nga Hora e Arbëreshëve, që jetoi në shek. XVIII, nxënës i At Gjergj Guxetës, i shuguruar murg në manastirin e Mezzoiuso-s para se të nisej si misionar me Basilio Matrangën për në Himarë, na ka lënë në dorëshkrim një doktrinë të krishterë në greqisht dhe në shqip, përveç teksteve në shqip dhe në latinisht të disa lutjeve që i dërgoi Papës. Këto të fundit kanë veçantinë se, për herë të parë në historinë e saj, shqipja përdoret si gjuhë zyrtare, duke shoqëruar dhe plotësuar latinishten që ishte e vetmja gjuhë që pranohej nga zyrat e Vatikanit.
Me fjalë të tjera, figura si murgjit Nilo Catalano, Filoteo Zassi, Basilio Matranga, Giuseppe Schirò, veprës së të cilëve u kushtohet gjithë vëllimi i dytë i historisë së Borgia-s, morën pjesë aktivisht në lëvizjen kulturore të shek. XVIII. Njohja dhe studimi i kësaj lëvizje është e domosdoshme për të kuptuar zanafillën e romantizmit shqiptar, që deri më sot është përshkruar si një pemë madhështore pa rrënjë. Nga kjo pikëpamje merita e parë e veprës së Borgia-s, me gjithë ndonjë kufizim metodologjik, qëndron në faktin se ajo përshkruan një ndër periudhat më të dendura të kulturës mbarëshqiptare, e cila patjetër duhet thelluar e studiuar më tej, duke mbetur një imperativ për historiografinë e sotme shqiptare. Merita e dytë ka të bëjë me kontributin e jashtëzakonshëm të njohurive që jepen nga burimet arkivore dhe dokumentet e shumta që botohen për të parën herë. Dokumentacioni i përpunuar nga misionarët dhe nga Borgia përbën një burim të rëndësishëm që i lejon historianët dhe studiuesit të rindërtojnë, edhe pse me rezervat që rrjedhin natyrshëm nga dëshmi të tilla, dinamikën e disa zhvillimeve në trevat jugore të Shqipërisë ku më shumë se gjetkë është ndier pesha e konflikteve etnike, sociale dhe fetare. Nëse Himara e shek. XVIII gëzon privilegjin të jetë përshkruar gjatë periudhës historike të tranzicionit të vështirë kulturor dhe fetar, kjo u detyrohet misionarëve bazilianë që punuan aty, por edhe historianit që disa shekuj më vonë e ringjalli veprën e tyre të jashtëzakonshme.
(Nga parathënia e librit të Nilo Borgia-s: “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri-Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII”, botimet “Naimi, përktheu prej origjinalit në gjuhën shqipe: Mimoza Hysa, redaktor: Prof. Shaban Sinani, recensues: Prof. Matteo Mandalà, Prof. Pëllumb Xhufi )