Muslimanet manifestojne pro familjes dhe pro moralit (Foto)

Muslimanet manifestojne pro familjes dhe pro moralit (Foto)
Disa dhjetëra qytetarë të thirrur nga disa shoqata muslimanësh manifestuan sot në Tiranë me sloganin pro familjes dhe pro jetës, në kundërpërgjigje të 17 majit, ditës ndërkombëtare  kundër homofobisë. Të organizuar përgjithësisht përmes përdorimit të rrjeteve sociale si Facebook, protestuesit parakaluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke mbajtur një parrullë ku shkruhej “Pro Familjes, Pro Moralit”.

“Manifestimi ynë nuk synon kundër protestë, as një kundërpërgjigje vulgare për paradën e këtij komuniteti, por ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar dhe ruajtur me fanatizëm vlerat morale të familjes, bërthamës së çdo shoqërie. Duke iu referuar axhendës, mendojmë që marshimi të nisë fillimisht me një përshëndetje të shkurtër, ndërsa në duar do të kemi një banderolë ku shkruhet: Pro familjes, pro moralit, pro jetës. Nuk synojmë të pengojmë paradën, as të krijojmë situata konfliktuale, sepse i kemi instruktuar të gjithë pjesëmarrësit që të mos kenë në duar banderola fyese”, tha Roald Hysa sekretari i Forumit Mysliman për gazetën “Shqip”.

Manifestimi paqësor u organizua si një reagim ndaj aktiviteteve të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të komunitetit LGBT (Lesbike, Homoseksualë, Biseksualë dhe Transseksualë). Shoqatat që luftojnë diskriminimin e minorancave seksuale organizuan gjatë ditëve të fundit disa aktivitete kundër homofobisë, ku njëri prej tyre përfundoi me një incident të vogël ndërsa të tjerat shkuan normalisht.

Gjatë një ekspozite të titulluar “Kukafshehti” në qendrën kulturore Tirana Express, të mërkurën në mbrëmje Xheni Karaj, një nga aktivistet për të drejat e komunitetit LGBT tha se aktivitetet kundër homofobisë këtë vit qenë të suksesshme.

“Them se kemi bërë hapin e parë për të thënë se ne nuk jemi duke jetuar më fshehurazi,” tha Karaj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama