Përgatitjet e djeshme të Teutës janë fokusuar kryesisht tek ushtrimet me top, ku është improvizuar edhe një ndeshje brenda grupit. Trajneri Magani e ka ndarë ekipin në dy skuadra dhe ka zhvilluar një minindeshje kontrolli, ku ka zhvilluar skema të ndryshme ndërmjet reparteve. Njëshi i pankinës durrsake u kërkoi lojtarëve që të mos gabojnë, aq më tepër në repartin defensiv. Pas përfundimit të seancës stërvitore, në aneksin e stadiumit kanë qëndruar disa lojtarë, Moçka, Xhonatan, E. Hoxha, Lukiç, Lamçja, Magani dhe Musta, që kanë qenë nën mbikëqyrjen e trajnerëve Dervishi, Ahmataj dhe Kapllani.
Këta lojtarë janë përgatitur edhe 30 minuta më shumë, ku vunë në zbatim skema të ndryshme. Kryesisht u punua me kroset, por dhe me goditjet në portë. Për "Panorama Sport" elbasanasi Mustsa shprehet se ndeshja e radhës ka marrë vlerësimin maksimal.
"Po stërvitemi me ritme të larta dhe nuk kemi kohë për të humbur, pasi takimi me Tërbunin po afron dhe ne e kemi vlerësuar gjatë gjithë këtyre ditëve. Ajo çfarë duhet të bëjmë, është që të shkojmë në Pukë me mendjen te Kupat e Europës. Nuk duhet të gabojmë në këtë sfidë, që është shumë delikate për ecurinë tonë. Pukjanët luajnë në shtëpinë e tyre dhe pa presion, prandaj dhe ne nuk e shikojmë aspak si ndeshje të lehtë, madje vlerësimi ynë është maksimal për kundërshtarin. Duhet që ajo ndeshje të mos ketë surpriza të pakëndshme për ne", ka mbyllur shkurtimisht Emiljano Musta.
Përgatiti: Jeton Rexhmati