“Apokalipsi” titullohet ekspozita e piktorit dhe restauruesit Mustafa Arapi që është hapur në Muzeun Historik Kombëtar. Janë 22 tablo të realizuara në grafikë, me tonalitete të errëta dhe një figuracion që pashmangshmërisht të çon në atmosferën e fundit të botës. Jo më kot, artisti e ka lënë të hapur deri më 21 dhjetor, kur kalendari Maja e shënon si ditën e fundit. Nga “Darka e gabuar”, ku në një tryezë mungojnë njerëzit po duken kupat e përmbysura, te një objekt pa formë të përcaktuar, te një meteor që i afrohet një qyteti të betonuar, te froni për pushtet, sëmundje e kahershme e njerëzimit, deri te shprehje alienësh, kjo ekspozitë krijon një atmosferë të apokalipsit.
Por më shumë se sa fuqi të panjohura, Mustafa Arapi e sheh apokalipsin të lidhur me njeriun dhe shkatërrimin që ai vetë po i bën natyrës, ndonëse nuk beson në fundin e botës. Kjo ekspozitë, e katërta personale e piktorit, pas tri të tillave të hapura në Galerinë Kombëtare të Arteve, shënon përmbylljen e një cikli që Arapi e ka nisur 8 vjet më parë. Nuk u ka vendosur titull asnjë prej pikturave, duke dashur që çdokush të përfitojë përjetimin personal. Në intervistën e mëposhtme, piktori na tregon më shumë për këtë nxitje.
Kjo ekspozitë mbi Apokalipsin vjen pikërisht në momentin që po diskutohet kaq shumë për fundin e botës. Është e rastësishme apo e qëllimshme zgjedhja juaj?
Kjo ekspozitë ka filluar që para 8 vjetësh, kohë gjatë së cilës janë krijuar 22 veprat e paraqitura, sigurisht duke u shkëputur për angazhimet e mia pedagogjike, për trajtime të peizazhit apo edhe grafikave të tjera. Unë përfitova nga rasti që ta kompletoja këtë cikël, duke qenë se gjithnjë e më shumë po flitet për fundin e botës. Në fakt, ekspozita do të qëndrojë deri më 21 dhjetor, e cila sipas kalendarit Maja duhet të jetë edhe dita e fundit e botës. Kjo fjalë e ka shoqëruar që herët njerëzimin, që nga grekët e lashtë që e quanin “Kataklizmos” apo edhe romakët. Të pasqyruar në vepra arti, këtë fenomen e shohim që në pikturat e vjetra para bizantine të shek. XII. Në kishën e Shën Kollit në Voskopojë kam parë një skenë të Zoografëve që tregon rrënimin e një qyteti e ku shënohet “kataklizmos”.
Në tablotë tuaja, përmes simbolikave duket se “faji” i mbetet njeriut. Ka një perceptim të tillë?
Unë nuk besoj se Apokalipsi është diçka që do të na vijë nga lart. Njerëzit i janë trembur natyrës sepse janë shumë të vegjël dhe kanë njohjet minimale. Më kujtohet që 30 vjet më parë kam parë një film të Stanley Kubrick, “Odise në hapësirë”, ku tregon se njeriu, që nga më i hershmi deri te kozmonautët kanë frikën e mosnjohjes së natyrës. Apokalipsi mund të jetë shkatërrimi që vetë njeriu po i bën natyrës apo pasojë e veprimeve të tij, siç mund të jetë lufta bërthamore. Ndaj në një prej tablove unë kam paraqitur një meteor që po i afrohet një qyteti, i cili nuk ka qytetërim, por është tërësisht i betonizuar. Por sot vazhdon të aludohet që Apokalipsi mund të vijë edhe nga fuqi të tjera që ne nuk i njohim, prandaj hasen edhe forma jashtëtokësore në këto tablo.
Ju e besoni fundin e botës?
Nuk e besoj, por ishte shtysë që të krijoja këto tablo. Mendoj se nuk do të ketë fund bote, ne duhet të kujdesemi nga ajo që po i shkaktojmë vetë rruzullit.
Atmosfera e Apokalipsit vjen në tablotë tuaja edhe përmes figurave metafizike dhe simbolike. Cila është referenca për krijimin e tyre?
Matisse thotë se artisti matet me shenjat personale dhe figuracionet e veta, ndaj edhe unë kam synuar origjinalitetin tim. Në përfytyrimet e mia ka figura që paraqiten herë si shpend, herë si mbetje kockore, herë si objekte metalike të panjohura. paraqitet edhe si metal, si shpend, figura jashtë logjikës sonë. Janë figura që prodhohen nga subkoshienca, për të cilat kam pasur pikësynimin që të jenë sa më origjinale e të mos kenë adresim.
Ju keni një përvojë të gjatë në restaurimin dhe studimin e ikonave. Sa ka ndikuar kjo eksperiencë në shprehjen tuaj artistike?
E quaj privilegj të madh që jam marrë 30 vjet me restaurimin, ndërkohë që të tjerët kanë ardhur e kanë ikur. Përveç kësaj i kam studiuar gjatë ikonat, kam përgatitur artikuj shkencorë, një monografi mbi Onufër Qipriotin, kam qenë autor i katalogëve që janë prezantuar në Munih, Romë, Vicenza për ikonografinë bizantine, duke bërë të mundur që ikonografia shqiptare të njihej. Jam munduar të mos riprodhoj ikonat, por të marr elementë që i fus në laborator e krijoj figuracionin tim. Me dhimbje e them që këto vitet e fundit, te ne ikonografia është e nënvlerësuar. Në Muzeun Kombëtar janë më shumë se 700 objekte ikonografike që po shkatërrohen dhe nuk merret askush. Mund të realizohen 2-3 ikona në vit dhe të tjerat po shkatërrohen. E kam ngritur këtë problem në disa intervista dhe jam dorëzuar, nuk merrem më. Ka nënvlerësim total.