Për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve (18 maj), në Muzeun Historik Kombëtar u çel ekspozita e koleksionistëve shqiptarë, për të prezantuar për publikun thesare të pasurisë sonë kombëtare. Ekspozita nis me një koleksion të pasur që tregojnë historikun e shkollave shqipe. Koleksionisti Shpëtim Sala prezanton dëftesa pjekurie, programe mësimore, tekste, fletore shënimesh, mjete apo edhe artikuj të ndryshëm mësimor, që fillojnë qysh prej vitit 1887 deri më vitin 1944. Janë rreth 200 dëftesa, mbi 10 mijë fotografi dhe mbi 500 mijë libra që i përkasin kësaj periudhe kohore. Niko Xharo, president i Koleksionistëve të Shqipërisë, paraqiste koleksione nga fusha e filatelisë dhe kartolina të hershme me imazhe të kostumeve tradicionale shqiptare. Koleksionisti Lulëzim Perati, prezanton furka, bizhuteri dhe materiale të tjera që i përkasin trashëgimisë sonë kulturore qysh nga viti 1800. Këto furka, që janë mbledhur në mbarë vendin, që nga Malësia e Madhe deri në Konispol, i përkasin një pune 27-vjeçare, por kësaj here prezantohen për herë të parë në MHK.
Luljeta Dano, Edlira Sulaj dhe Linda Spahiu prezantojnë objekte të kulturës materiale kombëtare, që kanë një shtrirje gjeografike në gjithë trevat shqiptare. Secili koleksionist vjen me diçka të re, që nuk e ka ekspozuar më parë. Paja e nuses në zonat rurale, si dhe ajo e zonave urbane, që e kishte prurë Linda Spahiu, të bie në sy për qëndismat që kanë në fije ari. Luljeta Dano për herë të parë ka prezantuar xhubletën e bardhë, një xhublete para 80-vjetëve, që ka të njëjtin motiv me xhubletën që qëndron e ekspozuar në mozaikun e MHK-së. “Xhubleta e bardhë është e vajzës, e cila kur mbushte moshën e të qenit zonjushë e vishte dhe e mbante deri në momentin e martesës. Këtë xhubletë e kam blerë në malësi dhe është e para 80 vjetëve, kopja e vetme që unë e kam në koleksion”, pohon koleksionistja. Koleksionistët kërkojnë ndihmën dhe vëmendjen e shtetit. Rrjeti i koleksionistëve deri më tani ka hapur rreth 30 ekspozita, një pjesë e këtyre materialeve është ekspozuar për herë të parë. Kjo ekspozitë orientohet nga tema e përzgjedhur nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM ): “Muzetë si ura komunikimi” dhe do të qëndrojë në hollin e Muzeut Historik Kombëtar edhe gjatë javës së ardhshme.