Na kanë premtuar që hapësirën që zënë këto dy struktura, do të na e kompensojnë me një tjetër hapësirë brenda muzeut”, thotë specialistja etnologe, Afërdita Onuzi, e cila prej shumë vitesh ëndërron të ngrejë një muze etnografik bashkëkohor. Sigurisht, Onuzi do të kishte dashur që ky muze të ishte në një ndërtesë më vete, në një godinë karakteristike, por në pamundësi të kësaj, premton të bëjë më të mirën e mundshme edhe brenda hapësirave të MHK-së. “Puna do të vazhdojë. Tani kemi porositur vitrinat dhe, me të ardhur ato, ne jemi gati që të vendosim objektet”, thotë Onuzi, e cila, së bashku me specialistë të tjerë kanë përzgjedhur objektet që do të ekspozohen në muze dhe madje po i restaurojnë ato, me qëllim që t’i paraqiten publikut në një gjendje optimale, edhe pse siç thotë ajo, puna për mirëmbajtjen e objekteve nuk përfundon kurrë. Ajo e pranon se konflikti me firmën ndërtuese i ka zvarritur punët. “Por në 100-vjetor muzeu do të jetë gati”, thotë ajo.
Përmbajtja
Muzeu Etnografik mendohet të shtrihet në një hapësirë prej 1200 metrash katrorë (me gjithë devijimet e fundit) dhe është parashikuar që të shpalosë rreth 1500 objekte, 1100 prej të cilave i përkasin Institutit të Kulturës Popullore dhe pjesa tjetër do të dalë nga fondet e Muzeut Historik Kombëtar. Përzgjedhja e këtyre objekteve nuk ka qenë e thjeshtë, po të kemi parasysh se Instituti i Kulturës Popullore ruan rreth 32 mijë objekte në fondin e tij. Zotësia ishte të qëmtoheshin objektet më të mira dhe më përfaqësuese për të gjitha krahinat e Shqipërisë. Procesi ka qenë i përqendruar në përzgjedhjen e objekteve të duhura, në mënyrë që të paraqitej i gjithë spektri i jetës shqiptare, si jeta e fshatit, ashtu edhe ajo e qytetit, duke filluar që nga veshjet, banesat, ekonomia, arti popullor, folklori, mjeshtëritë. Por, në mes të një pasurie të jashtëzakonshme, kjo nuk ka qenë e thjeshtë. Mjaft të përmendim që numërohen plot 80 mjeshtëri, që kanë ushtruar shqiptarët e prej tyre janë zgjedhur vetëm disa, si argjendaria, qëndistaria, punimi i veshjeve popullore apo i drurit. E këto nuk do të vijnë thjesht përmes stendash e fotografive, por specialistja Afërdita Onuzi ka menduar që ato të vijnë përmes ambienteve të veçanta, të ngritura mbi modelet e punishteve të dikurshme. Me qëllim që asgjë të mos mungojë, ndër objektet e përzgjedhura përfshihen që nga orenditë, tek takëmet dhe enët e kuzhinës, veglat e punës, veshjet popullore, që nga xhamadanët e xhubletat e Veriut tek fustanellat, kollanët e shamitë e kokës. Nuk mungojnë armët e brezit e ato për zbukurim, të gdhendura në ar e argjend, me mbishkrime, emra e betime, vegla muzikore etj.. Këto objekte i përkasin më së shumti shekullit XIX apo fundshekullit XVIII. Nga këto të fundit janë kryesisht objekte të drunjta, të përdorura në odat e burrave, në Veri. Krahas shumësisë së objekteve, nuk do të mungojnë edhe dëshmitë e jetës shqiptare përmes materialeve audiovizuale, ku të mund të shihen e të dëgjohen këngë, valle, rite etj.
Restaurimi
Ndryshe nga krijimi i infrastrukturës së Muzeut, restaurimi i objekteve ka ecur me ritme më të shpejta. Nga njëra anë janë specialistët e Institutit të Kulturës Popullore dhe, nga ana tjetër, restauratorët e Muzeut Historik Kombëtar dhe Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit. Këta të fundit janë duke i dhënë dorën e fundit një tavani të drunjtë, i vitit 1873, marrë nga një shtëpi karakteristike beratase, e cila ka përfaqësuar kulturën shqiptare edhe në ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj”, të hapur në Paris në vitin 1974. Ka përfunduar puna me trapazanin 200-vjeçar nga Shkodra e po punohet për restaurimin e një biblioteke. Për restaurimin e këtyre objekteve, të cilat për vetë përmasat dhe problematikën që paraqisnin, kërkonin një punë kolosale, ka kontribuar financiarisht edhe PNUD-i. Vetë restauratorëve u vjen për shtat shtyrja e afatit të hapjes së Muzeut Etnografik, meqenëse puna që duhet bërë me objektet që do të ekspozohen është e madhe.