Muzeu Historik Kombetar pa pavijon etnografie

Muzeu Historik Kombetar pa pavijon etnografie
Ndërtimi i një pavijoni etnografik ka qenë një nga projektet për të cilin ka vite që është folur. Ky pavijon, i cili do të jetë brenda Muzeut Historik Kombëtar, do të përmbajë objekte nga të gjitha trojet shqiptare. Por mesa duket edhe në këtë 100-vjetor, ky pavijon nuk do të jetë gati për vizitorët. Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, pavijoni etnografik është drejt përfundimit, por problemet me tenderët kanë vonuar procesin e ndërtimit të tij. Pavijoni i etnografisë është një projekt i cili ka pasur mbështetjen e qeverisë shqiptare, si dhe PNUD-it. Pavijoni është konceptuar dhe organizuar nga Instituti i Kulturës Popullore, si dhe i miratuar nga Komisioni Shtetëror i Muzeve.

“Pavijonin e etnografisë ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm për muzeun, sepse do të paraqes para vizitorit të gjithë larminë e veshjeve dhe pasurisë kombëtare që disponojnë institucionet e shtetit shqiptar. Puna kishte ngelur, sepse nuk organizoheshin nga PNUD-i tenderët, dy tenderët e parë nuk dolën me sukses, ndërsa i treti u realizua”, shprehet Luan Malltezi. Ky pavijon i shumëpërfolur, do të përmbajë materiale të kulturës sonë të grumbulluara me dhjetëvjeçar nga etnografët shqiptarë. Pavijoni do të pasqyrojë jetën e fshatit dhe të qytetit në një sipërfaqe prej 1200 m katror. Sipas drejtorit të Muzeut Kombëtar, ky pavijon tregon vlerat më vitale të popullit tonë, pasi objektet me vlera etnografike, na kanë shoqëruar deri vonë.

Objektet e përzgjedhura synojnë të zënë një shtrirje gjeografike nga Veriu në Jug, për të krijuar një ide të plotë të pasurisë etnografike të popullit shqiptar. Të gjitha objektet që do të ekspozohen janë origjinale, ndërkohë që specialistët kanë zgjedhur ato më të spikaturat. Pavijoni parashikohet të ketë të gjitha kushtet klimatike për ruajtjen e objekteve. Ky pavijon vjen si zgjidhje pas dështimit të idesë për të ngritur një muze të etnografisë më vete. Elementi etnografik i ka munguar për vite me radhë Muzeut Kombëtar, i cili në shumicën e rasteve kompensohej me ndonjë ekspozitë të kulturës popullore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama