Muzeu Historik i Fierit

Muzeu Historik i Fierit
Fondi i antikuarëve të Muzeut Historik të Fierit kërkon restaurim të menjëhershëm. Apeli i specialistit Nuri Plaku vjen për të disatën herë. Librat, më i vjetri prej tyre i përket vitit 1831, por edhe objekte të ndryshme me mjaft vlerë për historinë e zonës, janë në rrezik. Sipas specialistit, ndërhyrja për ruajtjen e antikuarëve është harruar si proces, ndërkohë që e menjëhershme është ndërhyrja me investime në godinën e muzeut.

Për herë të fundit, godina e Muzeut Historik të Fierit është restauruar në vitin 1979. Kanë kaluar plot 31 vjet që atëherë. Me vitet, degradimi i godinës sa vjen e rëndohet. Lagështira, suvaja e mureve e rrëzuar, çatia e prishur, janë vetëm disa prej problemeve të muzeut të Fierit, thënë ndryshe problemet e dukshme të tij. Por ka më shumë akoma. Objektet, ato më rëndësishmet se një godinë, janë të rrezikuara. Janë antikuarë me vlerë, të rëndësishme jo vetëm për zonën, por edhe vendin e më tej edhe për rajonin. Librat, më i vjetri prej të cilëve i përket vitit 1831, por edhe objekte të tjera mesjetare, janë dëmtuar e kërkojnë restaurim të menjëhershëm. Sipas specialistit të muzeut, Nuri Plaku, ndërhyrja për ruajtjen e antikuarëve është harruar si proces, ndërkohë që e menjëhershme është ndërhyrja me investime në godinën e muzeut. “Muzeu sot paraqet kushte kritike për nga pikëpamja infrastrukturore. Shumë objekte me vlerë rrezikojnë dëmtimin edhe si shkak i mungesës së kushteve të ambientit. Ne kemi kërkuar shpesh herë që të investohet për godinën në radhë të parë, por deri më tani vetëm premtime. Tavani i katit të dytë është në prag të rrëzimit. Duhet menduar menjëherë për izolimin e tij. Mund të shembet në çdo moment”, shprehet specialisti, i cili edhe më parë ka bërë apel për kushtet e mjerueshme në të cilat gjendet Muzeu i Fierit. Plaku thotë se në muze gjenden objekte me vlerë, që mbajnë të dhëna autentike e vlera të mëdha historike, e që për fat të keq sot po përballen me rrezikun e shkatërrimit. “Indiferenca po na çon dalëngadalë drejt errësimit të fakteve historike të kulturës dhe identitetit tonë”, shton më tej ai. Edhe më parë Nuri Plaku ka thënë se për nga fondet që ekzistojnë dhe zhvillimin që ka pasur qyteti i Fierit, kërkohet një muze i përmasave më të mëdha. Ai sugjeron edhe hapjen e një muzeu në natyrë, si dhe prezantimin e vlerave historike të trevës së Myzeqesë edhe në ambiente të tjera.

Librat, objektet më të rrezikuara të muzeut, janë kryesisht fetarë, që u përkasin besimeve të ndryshme. Më të shumtit i përkasin besimit ortodoks. Në disa prej tyre ndodhen edhe mjaft shënime në gjuhën shqipe. Po kështu, mes librave të vendosur në fondin e antikuarëve gjenden edhe ata që kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë së trevës së Myzeqesë.

Specialisti Nuri Plaku shpjegon se librat e parë dhe më të vjetrit janë në gjuhën greke. “Ato janë psalme të ndryshme dhe me një natyrë fetare. Por unë shpreh mendimin se pavarësisht këtyre librave dhe vjetërsisë së tyre, ka edhe mjaft objekte të tjera që futen në fondin e antikuarëve dhe që kërkojnë mirëmbajtje të menjëhershme”, vijon më tej specialisti. Ndërkaq ai shton se edhe një libër tjetër me vlerë dhe me domosdoshmëri në mirëmbajtje është “Dodona pellazgjishte”, me autor studiuesin Perikli Ikonomin. Ky libër ka pësuar dëmtime si shkak i kushteve atmosferike që pasqyrohen lehtësisht në godinën e muzeut të Fierit, i cili përballet me rrezikun e shembjes. Një tjetër problem që u shtohet kushteve të këqija në të cilat gjenden këta libra është edhe mungesa e stendave ekspozuese. Të vendosura aty-këtu, kjo nuk është veçse një rëndesë e gjendjes së tyre.

Më tej, Nuri Plaku tregon se edhe fondi i armëve të zjarrit që i përkasin periudhës së Mesjetës është në po të njëjtën gjendje. Edhe ato kërkojnë mirëmbajtje e restaurim. Armët dhe materialet përbërëse të tyre prej vitesh kanë shfaqur shenjat e dekompozimit si shkak i mosruajtjes në kushtet e domosdoshme. Gjithashtu objekte të tjera që kërkojnë restaurim urgjent janë pushkët dhe koburet e strallit. Nuri Plaku shpjegon se këto objekte në rrezik janë krijime të zejtarëve të ndryshëm, të cilët vinin prej qendrave të njohura në këtë fushë. Ai shton se këto zeje të cilat kanë ardhur deri në ditët tona e ruhen ende në Muzeun e Fierit, vijnë nga Berati, Elbasani, Prizreni etj. Më së shumti bëhet fjalë për objekte dekorative, të cilat kanë qenë pronë e myzeqarëve të pasur të kohës. Kanë qenë kryesisht bejlerët ata që kishin në pronësi të tilla objekte, të cilat u kanë mbijetuar viteve e kanë mbërritur deri te ne. Në Muzeun e Fierit ka një regjistër të plotë për antikuarët dhe objektet e ndryshme që gjenden aty, qofshin të ekspozuara apo jo. Ajo që kërkohet me qëllim ruajtjen e renditjes së regjistrit është investimi i menjëhershëm. Kambana e alarmit për gjendjen në të cilën ndodhet Muzeu Historik i Fierit, për ndërhyrje në godinë dhe në objekte, është dhënë edhe më parë, por asnjëherë pushteti vendor, bashkia prej së cilës ky muze varet, nuk është shqetësuar për të realizuar investime. Shpesh, faji u është hedhur përplasjeve politike që pasqyrohen në këshillin bashkiak dhe në projektet që duhet të përmbushë administrata e bashkisë. Por për këto përplasje për interesa të ngushta, pak i duhen historisë. Ajo që ka rëndësi është që dikush të mendojë për ruajtjen e saj.
Një historik i muzeut

Përpjekjet e para për ngritjen e një muzeu në Fier lidhen me arkeologun e njohur Leon Rei në vitin 1936. Ky muze do të ishte i karakterit arkeologjik, me objektet e zbuluara gjatë gërmimeve në qytetin antik të Apolonisë, por nuk u realizua. Ngritja e muzeut u bë realitet vetëm pas çlirimit. Si hap i parë shërbeu një ekspozitë për faunën dhe florën e rrethit, si dhe një ekspozitë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me fotografi, dokumente, kujtime, objekte dëshmorësh etj., që u ekspozuan në një mjedis prej dy dhomash në një godinë pranë ish-turizmit. Në vitin 1951 muzeu u transferua në lagjen “Liri”, në një mjedis prej tri dhomash, nga të cilat njëra dhomë ishte për LANÇ, njëra për etnografinë, tjetra për faunën dhe florën dhe korridori për objektet arkeologjike. Një zhvendosje e dytë u krye në vitin 1953, ku muzeu u vendos në një godinë dykatëshe, sot lagjja “Apolonia”.

Që nga 18 korriku i vitit 1978, muzeu historik u vendos në ndërtesën dykatëshe që është edhe sot në lagjen “Kastriot”. Për ngritjen e tij punuan profesor Neritan Ceka; Myzafer Korkuti, arkeolog; prof. Paskal Milo, historian; dr. Iljaz Gogaj, historian; Kleanthi Dedej, studiues; piktori Vilson Kilica; arkitekti Mauricio Bega etj. Në përbërje të tij, muzeu ka pavijonin e arkeologjisë, ku mbi 70% janë objekte origjinale; pavijonin para dhe pas shpalljes së pavarësisë deri në vitin 1939 dhe eksponatin etnografik (ku paraqiten veshjet e trevës dhe objekte të përdorimit të përditshëm prej balte, hekuri, xunkthi, druri etj). Ka një fond të pasur arkivor në kujtime, ngjarje e data historike për LANÇ, studime historike, objekte të dëshmorëve dhe heronjve, veteranëve, armë mesjetare, të Rilindjes, të Luftës së Parë e të Dytë Botërore, si dhe një fototekë e filmotekë të pasur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama