Ministria e Kulturës, në vitin 2011, akordoi 102 milionë lekë për përmirësimin rrënjësor të muzeut, dhe koha e parashikuar për përfundimin e punimeve ishte 240 ditë, pra tetë muaj.
Pas gati katër vitesh rikonstruksioni, duke dyfishuar kohën e përfundimit të rikonstruksionit, Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një nga pikat më të rëndësishme për sa i përket trashëgimisë historike dhe shpirtërore të qytetit, pritet të përfundojë punimet brenda muajit gusht. E ftuar në emisionin “Shqip” në “Top Channel”, që këtë herë ishte zhvendosur në ambientet e këtij muzeu, për të paralajmëruar dhe hapjen e dyerve të tij, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, tha se punimet pritet të përfundojnë shumë shpejt, dhe brenda muajit gusht, vizitorët do të mund të kenë mundësi të vizitojnë ambientet e këtij muzeu. Pothuajse të gjitha objektet arkeologjike dhe monumentet që ndodhen brenda hapësirës së muzeut i janë nënshtruar restaurimit. Për drejtorin e ri të këtij institucioni, Ledion Lako, muzeu do të vijë i rikonceptuar, duke mbartur brenda tij periudhat e rëndësishme të historisë dhe arkeologjisë së qytetit. Në hyrje të krahut të majtë të muzeut pritet të ekspozohet periudha ilire dhe greke e hershme në tri fazat e saj, në atë të parë, klasike dhe më vonë apo siç quhet ajo e Aleksandrisë. Në pjesën ballore, përtej gjetjeve arkeologjike të përmasave të mëdha që janë vendosur në qendër të muzeut, fillon periudha romake nga ajo e hershme deri te periudha e ndërtimeve në krahun e djathtë të katit të parë. Në katin e dytë do të jetë periudha e mesjetës. Puna e specialistëve është fokusuar dhe në mirëmbajtjen dhe rritjen e standardeve të ekspozimit.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit vlerësohet si një ndër më të pasurit në rajon për sa u përket objekteve arkeologjike. Punimet për rikonstruktimin e tij kanë nisur në shtator të vitit 2011, dhe ishin parashikuar të përfundonin më herët. Gjatë gjithë këtyre viteve, muzeu ka qenë i mbyllur për vizitorët e ndryshëm që vizitonin qytetin. Bashkë me rikonstruktimin, muzeu pritet të ketë dhe një pamje tjetër dhe në oborrin e tij, i cili këto vite ka qenë në një gjendje që të lë për të dëshiruar estetikisht. Sipas projektit të rikonstruktimit, oborri pritet të kthehet në një minipark, ku do të mbizotërojnë objektet e mëdha arkeologjike që do të ndërthuren me gjelbërimin e pemëve dekorative. Muzeu Arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. I ndërtuar mbi bazën e një projekti të hartuar që në vitin 1982, ai është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh, që drejtoheshin me pasion dhe kompetencë nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi. Ishte meritë e arkeologut të shquar Toçi, krijimi i këtij muzeu në vitin 1951, e më pas edhe zbulimi i monumenteve të njohura, si: amfiteatri antik (1966), termat romake (1963), mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (1959) dhe ai i hipokampit (1947), e plot monumente të tjera në qendër dhe në periferi të qytetit. Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër, në vilën pranë shëtitores “Taulantia”, u zhvendosën në vitin 2002 në muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njëjtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës ndodhen rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4 të erës sonë.
Një projekt që zgjati gati 20 vjet dhe që më në fund i dha qytetit antik atë që meritonte prej kohësh: një hapësirë muzeore për ekspozimin e qindra e mijëra objekteve, dëshmi e një trashëgimie të pasur kulturore, sociale dhe ekonomike të pandërprerë në shekuj. Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj. Një vëmendje më e madhe ndaj këtyre burimeve të rëndësishme për qytetin do t’i kishte dhënë muzeut dhe objekteve të tjera historike dhe arkeologjike në Durrës shifra të larta vizitorësh, njëlloj si muzeu historik kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Krujë, i cili çdo vit mikpret rreth 100 mijë vizitorë. Vendimi i qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e muzeut daton në janar të vitit 2011. Ministria e Kulturës në atë kohë akordoi 102 milionë lekë për përmirësimin rrënjësor të muzeut dhe koha e parashikuar për përfundimin e punimeve ishte 240 ditë, pra tetë muaj.