Muzeu i Cokollates ne Köln

Muzeu i Cokollates ne Köln
Muzeu i Çokollatës në Köln është një atraksion i vërtetë. Në vit atë e vizitojnë 650 mijë njerëz dhe për këtë është njëri nga 10 muzetë më të vizituar në Gjermani. Shefi i dikurshëm i Stollwerck, kompanisë së madhe për prodhimin e ushqimit, Hans Imhof, më 1993 ia plotësoi vetes një dëshirë të kamotshme dhe me 53 milionë marka gjermane hapi një muze jo fort të zakonshëm ku çdo gjë ka të bëjë me çokollatën. Në objektin trekatësh është e ekspozuar krejt bota e çokollatës e cila ofron një udhëtim në historinë trimijëvjeçare duke filluar nga ushqimi hyjnor Asteka e deri në prodhimtarinë e industrisë moderne, shkruan Deutsche Welle.

Udhëtim nis te druri i kakaos, emri botanik i të cilit është “Theobroma cacao” (greqisht: ushqimi i zotëve). Vizitorët mund të shohin se si prodhohet kakaoja dhe si duket “udhëtimi” i tij deri të çokollata. Posaçërisht është interesante e ashtuquajtura “shtëpi tropikale” një serrë prej xhami ku mund të shihet druri origjinal i kakaos dhe mund të ndihet klima tropikale. Rruga shpie deri te prodhimet bimore, më saktësisht deri te prodhuesi zviceran i çokollatës “Lindt & Sprüngli”, e cila kompani prej vitit 2006 është partnere e Muzeut të Çokollatës. Në një hapësirë jo fort të madhe është e montuar një fabrikë e vogël e çokollatës. Vizitorët në vendin e ngjarjes mund të mësojnë krejt procesin e prodhimit të çokollatës.

Atraksioni kryesor i këtij muzeu unik është fontana e çokollatës, tri metra e lartë. Para saj gjithmonë është një punonjëse e muzeut e cila shpërndan biskota të cilat i spërkat me “ujin” e fontanës. Gjithkush mund të llogarisë në një biskotë të freskët me çokollatë. Madje, punonjësit e Muzeut nuk do të habiten tej mase nëse hasin në vizitorin e cili dy herë e më shumë i është ofruar fontanës.

Në katin e dytë vizitorët mund të mësojnë më shumë për fillet e historisë kulturore të çokollatës 3 mijë vjet më parë në Amerikën e Qendrore. Të parët që përdorën farat e kakaos për çokollatën e lëngshme qenë ulmekët, popull i vjetër indian. Më vonë këtë e vazhduan edhe fiset Maya dhe Asteka. Pas zbulimit të Amerikës, spanjollët e sollën kakaon në Kontinentin e Vjetër. Edhe pse në fillim çokollata ishte një produkt luksoz i cili shërbehej vetëm në pallatet mbretërore evropiane, kakaoja me kalimin e kohës u bë e përballueshme për të gjithë. Sot s’mund të paramendohet mungesa e çokollatës

Në katin e fundit çdo gjë ka të bëjë me produktet e çokollatës duke filluar prej çokollatës në forme të veze, njeriut prej çokollate e deri te ajo me mbështjellësin ngjyrë vjollce ku është e “pikturuar” lopa e Milkës Në Muzeun e Çokollatës, në kinemanë e vogël emetohen reklamat e produkteve të çokollatës prej vitit 1926 e deri në ditët e sotme, të cilat dëshmojnë se si ka ndryshuar moda, por edhe fryma e kohës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama