“Unë përdora fotografitë e mia personale dhe objekte që paraqiten sikur janë të personazhit të librit. Nuk është lehtë t`i identifikosh, kështu që në Muzeun e Pafajësisë, ashtu si edhe në roman, kufiri mes botës reale dhe asaj imagjinare nuk është gjithmonë i qartë. I gjithë arti i këtij romani qëndron tek pyetja që lexesit i bëjnë vetvetes: a e ka jetuar autori këtë, apo e ka imagjinuar? Pak a shumë unë bëra të njëjtën gjë me muzeun” thekson Pamuk. Suksesi letrar në shkallë botërore i Pamukut, i atribuohet aftësisë së tij për të përshkruar përmes personazheve të tij melankolinë e Stambollit, dikur një kryeqytet perandorie, lavdia e të cilit u venit më pas. Por vendndodhja e muzeut rrëfen një histori tjetër, atë të transformimit të Stambollit.
Kur Pamuk bleu ndërtesën para 15 vjetësh, zona ishte e rrënuar dhe e varfër. Tani po bëhet me shpejtësi një nga zonat më moderne të qytetit, me galeri artesh dhe çmime të larta të godinave. Edhe politika ka ndryshuar për periudhën që përshkruan muzeu. Më së shumti ishte nën hijen e regjimit ushtarak. Sot gjeneralët e ushtrisë janë në gjyq për grushte shteti dhe konspiracion. Pamuku vetë ka qenë dikur në shënjestër të një komploti, ku sipas prokurorëve organizatorët donin ta vrisnin për pikëpamjet e tij liberale.