Muzeu i Vuajtjeve Diktatures ne Shkoder gati per vizitoret

Muzeu i Vuajtjeve Diktatures ne Shkoder, gati per vizitoret

Muzeu i Krimeve të Komunizmit në Shkodër ka përfunduar. Tashmë po bëhet vetëm kompletimi me objekte që i përkasin kohës së diktaturës. Bashkia e Shkodrës u ka bërë thirrje familjeve të persekutuara nga diktatura komuniste që të ndihmojnë me materiale Muzeun e Vuajtjeve të Diktaturës Komuniste. Për të arritur këtë qëllim duhen objekte dhe dokumente të individëve që janë prekur nga diktatura. “Ky muze, ndër të tjera, ka dhe stenda ku ekspozohen objektet apo dokumentet e ndryshme që flasin për periudhën e torturës dhe të dhunës ndaj individit. Prandaj të gjithë individët apo familjarët që ruajnë objekte dhe kanë dëshirë që të kontribuojnë në pasurimin e këtij muzeu, janë të lutur të kontaktojnë në Bashkin e Shkodrës, me qëllim sistemimin dhe pasurimin e tij me sa më shumë fakte që vërtetojnë tmerrin e kaluar gjatë diktaturës”, është shprehur për median kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka.

Muzeu ka një galeri hyrëse prej betoni rreth 80 metra të gjatë, prej së cilës mund të mbërrish te zona e ishburgut, me 40 birucat e tmerrshme, që dikur shërbenin për izolimin e të burgosurve. Pjesë e muzeut janë edhe mjedise të tjera të jashtme, sikurse oborri i ajrimit, anekse të tjera plotësuese, si dhe pajisje, shkrime dhe të dhëna origjinale të asaj kohe, të cituara nga të burgosurit politikë. Drejtuesi i punimeve, Mark Gjeka thotë se : “Kanë përfunduar punimet dhe këto ditë pritet përurimi i Muzeut të Vuajtjeve të Diktaturës Komuniste”. Sipas tij, çdo gjë është realizuar sipas projektit të arkitektit Viktor Dhimgjini, por janë bërë dhe konsultime dhe me ish të burgosur të kësaj periudhe.

Kurse më tej ai shton se janë ruajtur strukturat e qelive dhe dëshmitë e mbetura nga ajo periudhë. “Ambientet e ish-burgut dhe selisë së Sigurimit që ndodhen në të majtë të ndërtesës janë ruajtur të paprekura. Edhe ndërhyrjet që janë bërë, janë të gjitha në funksion të projektit. Kalimi nga njëri ambient në tjetrin në formë rrethore bëhet me elemente që të kujtojnë prangat apo me elemente që kanë shërbyer si pjesë të torturave. Janë ruajtur të paprekura shënimet në mure që janë bërë nga të burgosurit asokohe” shton Gjeka. Ky muze do të tregojë vuajtjet, torturat dhe ekzekutimet me e pa gjyq të qindra shkodranëve, të cilët në përpjekje për të kundërshtuar regjimin komunist dhe ideologjinë e tij, ranë viktima të terrorit dhe dhunës komuniste. Godina në qendër të qytetit të Shkodrës i ka ende të qarta gjurmët e torturave që u janë bërë intelektualëve dhe njerëzve të pafajshëm nga regjimi komunist, edhe pse kanë kaluar rreth 50 vite. Kjo ndërtesë ka qenë burgu famëkeq i viteve të pas ‘44-s.

Shkodranët e ruajnë ende në kujtesën e tyre tmerrin e kësaj ndërtese. Madje akoma edhe sot ajo shërben si pikë referimi. Drejtoresha e kulturës në Shkodër, Elena Doda thotë se “Deri tani janë mbledhur materiale, dëshmi penaliteti që tregojnë se si është zhvilluar gjyqi, letra burgu dhe korrespondenca apo dhe shumë objekte që jaën ekspozuar në muze”. Sipas Dodës, të gjitha këto materiale janë fotokopjuar nga origjinalja që posedojnë personat e prekur nga ky sistem dhe do të ekspozohen në muze gjatë ditëve në vijim. Muzeu i Krimeve të Diktaturës është një projekt i përbashkët mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Shkodrës. Për të janë akorduar 53 milonë lekë. Kurse arkitekti që marrë me hartimin e këtij projekti dy vjet rresht është Viktor Dhimgjini. Është muzeu i parë i këtij lloji në Shqipëri, pas Pavijonit të Genocidit, të hapur vitet e fundit në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës. Projekti ishte menduar që do të ishte gati me rastin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe më pas do të nisnin punimet për një muze në Spaç, por mesa duket këtë të dytin as mund ta mendojmë për ca kohë.

Ambientet e objektit, pronësi e klerikëve

 Gjerësia e galerisë, rrugë kalimi dhe hapësirë muzeale"

 Muzeu për krimet e komunizmit ose "Muzeu i Vuajtjeve të diktaturës " në Shkodër, emërtim ky me të cilin arkitekti, Viktor Dhimgjini, e ka prezantuar qysh në kopertinën e projektit sipas propozimit të intelektualëve shkodranë dhe klerikut françeskan të Shkodrës, Pater Gazmendi tashmë është gati. Sipas Dhimgjinit, trajtën e Muzeut e ka marrë godina e qelive të burgut të Shkodrës si edhe ajo e ish-degës së brendshme në kohën e regjimit totalitar. Ambientet e këtyre objekteve janë nën pronësinë e klerikëve françeskanë. Distanca e objekteve është prej rreth 80m dhe përshkohet nëpërmjet një galerie me konstruksion b/a, e trajtuar me elementë të thjeshtë arkitektonik. Sipas arkitekt Viktor Dhimngjinit, përzgjedhja e këtyre elementeve tenton të rikujtojë ngarkesën dhe dhunën e fortë psikologjike që shkaktonte "rruga" nga hetuesia në qeli. “Gjerësia e galerisë është e tillë që të shërbejë si rrugë kalimi njëkohësisht dhe si hapësirë muzeale, por përpjekjet tona janë që muzeu të flasë edhe kur të jetë "i zbrazur". Për pasurimin e kësaj ideje ne kemi parashikuar që në fazën e shfrytëzimit. Kalimi nëpër galeri do të shoqërohet me efekte audio, fonia sterio do të shpërndajë lehtë fragmente origjinale thirrjesh të burgosurve, deponime, rënkime, lutje, heshtje etj...” Ky muze tregon vuajtjet, torturat dhe ekzekutimet me e pa gjyq të qindra shkodranëve të cilët në përpjekje për të kundërshtuar regjimin komunist e ideologjinë e tij, ranë viktima të terrorit dhe dhunës komuniste.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama