Muzika e koduar e Shostakovicit

Muzika e koduar e Shostakoviçit
“Kuarteti nr 3” që Dimitri Shostakoviç (1906-1975) shkroi në vitin 1946, luhet për herë të parë në Shqipëri, sonte nga kuarteti harkor i Radio-Televizionit Shqiptar, bashkë me kuartetin nr 19 të Moxartit. Shostakoviç hynte te kompozitorit e ndaluar para viteve ‘90 në vendin tonë dhe muzika e tij luhej rrallë në auditore të mbyllura. Përse? Në njoftimin e koncertit shpjegohet që kuarteti ngjalli polemikë se “mesazhe të koduara të muzikës së tij, ishin kundër Stalinit. Për të mbyllur gojët akuzuese për gjoja formalizëm e elitarizëm, për një muzikë ku mungon gëzimi, ku gjen cinizëm e satirë, Shostakoviç praktikoi në kuartetin e tij të tretë idenë e një programi duke i vendosur titra, secilës prej kohëve”. Ja disa prej titrave të kuartetit: “Injoranca e gëzuar nga kataklizma e ardhshme”, “Zhurmë trazirash e pritje”, “Forcat e luftës po lëshohen”  “Në kujtim të të vdekurve”, “Pyetje e përjetshme, Pse? dhe Për çfarë?”. Është e qartë përse kompozitori u detyrua të përdorte një “gjuhë të koduar” në këtë krijim, pasi ishte shenjuar nga regjimi i kohës si kompozitor me prirje novatore ne muzikës. Atë kohë kishte krijuar operën “Ledi Makbeth” më 1934 dhe gazeta zyrtare e partisë komuniste “Pravda” kishte botuar artikullin “Kaos në vend të muzikës”. Po ç’ndodhi më tej me krijimtarinë? Çfarë gjurmësh la çensura në muzikë e tij? Deri ku u ndërhyr në muzikën e tij dhe të bashkëkohësve? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje profesorja e historisë së muzikës dhe muzikologjisë Zana Shuteriqi Prela. Në fund edhe një analogji me krijimet shqiptare.

Znj. Shuteriqi, përse muzika e Shostakoviçit nuk është luajtur në Shqipëri para viteve ‘90?

Muzika e Shostakoviçit nuk është luajtur përpara ‘90-ës, ose në raste të rralla është luajtur në auditore të mbyllura. Kjo padyshim lidhet me tërë ato kufizime të kohës që u bëheshin autorëve që nuk quheshin të përshtatshëm për kriteret e pranimit të veprave muzikore të kohës. Këtu bënte pjesë Shostakoviçi, Prokofievi etj. Me të dy këta kompozitorë pushteti politik në Ish Bashkimin Sovjetik mbajti qendrime që herë vepronin si trysni mbi krijimtarinë e tyre dhe herë ishin të hapura kundër artit të tyre. Veprimtaria krijuese e Shostakoviçit ka qenë vazhdimisht e lidhur me momente politike të veçanta, ku ka pasur kritika të adresuara për muzikën e tij, kritika të përgjithshme të cilat po ashtu atakonin atë dhe kompozitorë të tjerë të Ish-Bashkimit Sovjetik. Unë po përmend dy momente. I pari është viti 1934, kur Shostakoviçi kompozoi operën e tij “Ledi Makbeth, nga distrikti i Minskut”. Opera u dha premierë në Moskë, pati një sukses të jashtëzakonshëm, por befas, si rrufeja në qiell të hapur, del një artikull me titull “Kaos në vend të muzikës” në gazetën e Partisë Komuniste “Pravda”, që bën një sulm të hapur ndaj operës “Ledi Makbeth”. Opera goditej për libretin e saj negativ, për novacione të karakterit mikroborgjez, për disonancat. Është hera e parë që mbahet një qendrim i tillë publik ndaj Shostakoviçit.

Momenti i dytë është ai i vitit 1948, që nuk lidhet drejtpërdrejtë me Shostakoviçin, lidhet me krejt artin rus. Është koha e dekretit e famshëm të Zhdanovit, i cili përcaktoi disa kritere për letërsinë dhe artet në Rusi dhe në këtë dekret atakohet figura tjetër e madhe, Prokofievi. Dekreti famëkeq padyshim që tkurri tërë energjitë krijuese të artistëve që aspironin zhvillime bashkëkohore dhe të pavarura në atë kohë. Por Shostakoviçi pati fat që jetoi gjatë dhe arriti të jetonte edhe epokën passtaliniane, kur filloi të ndihej një frymë e re në muzikë. Është periudha e Hrushovit dhe arti pati një çlirim të madh. Shostakoviçi, ndryshe nga Prokofievi që u largua nga jeta më 1953, jetoi gjatë dhe rihyri me energji të reja në muzikë, shkroi vepra të mrekullueshme, të cilat renditen ndër kryeveprat e muzikës së shek XX dhe konfirmoi pa padyshim personalitetin e tij si njëri prej kompozitorëve më të medhenj jo vetëm të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe, por të gjithë skenës muzikore të përbotshme.

A la pasoja kjo goditje në muzikën që ai krijoi më vonë, ku bën pjesë edhe kuarteti nr 3 që luhet sonte nga RTSH?

Veprat e para të Shostakoviçit ishin shumë premtuese në pikëpamje të hapjes së rrugëve të reja të eksperimentimit në muzikë. Dhe ky kuartet ishte i asaj periudhe. Por pas vitit 1934, pas një kritike kaq të ashpër, Shostakoviçi u detyrua të tërhiqej dhe të mbante një qendrim autoritik nëpërmjet muzikës. Filloi të thjeshtëzojë gjuhën muzikore, të pranojë sidomos nëpër simfoni edhe programe me një përmbajtje ideologjike.

Kush ishin censuruesit? Si vinin mesazhet e muzikës së Shostakoviçit deri te Stalini? “Pravda” ishte organi i partisë komuniste. Bën analogji me gazetën“Zëri i Popullit” në Shqipëri. Pra, në rast se gazeta e partisë do të shkruante një artikull kaq sulmues, kaq të drejtpërdrejtë ndaj një autoriteti se ishte Shostakoviçi, këtu kuptohet që urdhri vinte nga lart. Asnjë redaktor, apo gazetar nuk mund të cënonte pa një urdhër të tillë. Pa dyshim që edhe aty ka pasur struktura të tjera të censurës, por çështja është më e gjerë sesa kaq. “Ledi Makbeth” nuk është vepra e tij më novatore, por kjo operë duhej marrë si shembull për të frenuar disa procese që regjimit nuk i pëlqenin dhe për të frenuar kompozitorët e tjerë. Artikulli ishte fatal pavarësisht se Shostakoviçi nuk pati pasoja aq të rënda, nuk u internua, përkundrazi bëri një jetë normale në kushtet e regjimit. Por përsa i takon lirisë së tij, përsa i takon kërkimeve të tij në muzikë, ato u frenuan për shkak të një trysnie shumë të fortë politike.

Flitet për një gjuhë të koduar pikërisht për kuartetin nr 3. Çdo kuptojmë me kode në muzikë? Shostakoviçi u formua në Rusinë sovjetike, u formua si muzikant dhe si njeri. Evolucioni i tij i ndërgjegjshëm erdhi me punë graduale, por pa dyshim edhe në veprat e rinisë ku bën pjesë ky kuartet, rebelimi ndaj normave, ndaj skematizmit, pushtetit politik të kohës, siç do lloj diktature ishte një çështje që kishte të bënte me cilësinë e tij personale të një gjeniu. Në këtë kuptim, unë do t’i shpjegoja edhe këto lloj rebelimesh për të cilat flitet, por aspekti i koduar mund të trajtohet më shumë për tërë veprën e tij. Ishte i detyruar të fliste me kode. Në muzikë nuk jemi në letërsi ku fjalët shprehin një domethënie të qartë. Muzika vepron në një formë tjetër, me tinguj. Gjithnjë në diktatura është kërkuar që arti, në rastin tonë muzika, t’i përgjigjet kërkesave të regjimit, duke qenë një art i masave, një art me tipare deklamative, pompoze, me fanfara me gjëra të tilla. Ky lloj arti është prodhuar shumë nga kompozitorët mediokër, por është prodhuar edhe nga kompozitorët e mirë. Në rastet kur një vepre muzikore i mungojnë këto elementë, shprehja muzikore fiton tipare psikologjike, tragjike, ironike dhe atëherë mund të flitet për një gjuhë tingëllore të koduar, një gjuhë tjetër, nëpërmjet së cilës shprehen disa ide personale, jokonform kërkesave të regjimit.

A kemi raste të kompozitorëve që janë përpjekur të krijojnë një muzikë ndryshe?

Janë censuruar dy koncerte të kompozitorit Feim Ibrahimit, “koncerti nr 2,  për piano dhe orkestër”që u pa si një koncert me përmbajtje dramatike dhe u quajt si i papërshtatshëm për kërkesat e realizmit socialist. Bëhet fjalë për vitin 1975. Koncerti i dytë që u censuruar ishte ai i vitit 1981, për oboe. Të dy koncertet u luajtën një herë në koncertet e majit. Nuk u pëlqyen sepse aty pati përpjekje të dukshme për të sjellë një gjuhë të re muzikore. Kur flasim për gjuhë të re muzikore kemi parasysh kërkimet që janë më tipike të shek XX, të cilat ishin të ndaluara për t’u përqafuar nga kompozitorët shqiptarë dhe Feim Ibrahimi është nga këta kompozitorë që bëri përpjekje realisht duke iu referuar disa autorëve të ndaluar të shek XX, midis tyre Stravinski.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama