Muzika kauntri e The Ranchhands mberrin ne Shqiperi

Muzika kauntri e
Në kuadrin e një sezoni turistik që synon të sjellë përveç diellit, detit dhe rërës, edhe shumë argëtim, bashkia e qytetit bregdetar ka premtuar dhe një varg aktivitetesh artistiko-kulturore, përfshirë këtu dhe koncerte me grupe muzikore tepër të njohura nga bota. Një nga këto grupe, i cili ka në repertorin e tij muzikën kauntri, ka planifikuar ndalesën e vet në Durrës, përgjatë turit që ka ndërmarrë në vende të ndryshme të Evropës. Grupi ka planifikuar të japë një koncert të madh në sheshin bregdetar "Taulantia" në Durrës, për të vijuar më pas në një disko në Vlorë dhe me një tjetër koncert në Akademinë e Arteve të Bukura. Ditën e djeshme anëtarët e grupit "The Ranchhands" nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Ai u tha anëtarëve të grupit se bashkia që drejton e ka mbështetur këtë grup për arsye të vetë rrymës muzikore të veçantë që ai ka në repertor dhe që me siguri ka interes për artdashësit durrsakë dhe pushuesit e ardhur nga rrethe të tjera, si dhe nga Kosova e Maqedonia. Ndërkaq, nga ana e tyre, pjesëtarët e grupit amerikan kanë falënderuar kryebashkiakun e Durrësit dhe qytetarët për mikpritjen dhe kanë shprehur konsideratat e tyre tepër pozitive për një qytet si Durrësi, të cilin ata e cilësuan si të veçantë. Gjatë pritjes së organizuar për ta në bashki, grupi interpretoi drejtpërdrejt një këngë nga repertori i tyre, duke korrur duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve në pritje. Grupi muzikor "The Ranchhands" përbëhet nga këngëtari kryesor Mickey Kennedy, libretisti dhe kitaristi akustik Chris Tedesco, Charlie Chamberlain në kitarë elektrike, Avery Gardner në bas dhe Emmett Stallings në bateri.

"The Ranchhands" janë të mirënjohur jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Evropë për shfaqjet e tyre me një muzikalitet dhe profesionalizëm të lartë, si dhe tepër energjike. Ata ndërthurin këndshëm stilin klasik të muzikës kauntri me prodhimet moderne të Nashville (zonës në Tenesi nga vijnë dy themeluesit e grupit), si dhe këngët e rifreskuara origjinale, duke bërë për vete të gjithë të pasionuarit e kësaj rryme muzikore, po jo vetëm ata. Grupi është i ri, por krijoi shumë shpejt fansat e vet. Në 2002, djemtë e grupit nxorën albumin e tyre të parë, që mban emrin e grupit. Dy vjet më vonë ata nxorën albumin tjetër, Back Home", dhe një vit më parë albumin e tyre të tretë, "Driven", që nga vlerësimet e marra është dhe më i miri. Në turin e tyre shqiptar, "The Ranchhands" mbështetet nga ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe nga Bashkia Durrës. Pas Shqipërisë, turi evropian i grupit amerikan do të vijojë koncertet në Francë, Letoni, Bosnjë Hercegovinë dhe sërish në Zvicër në fund të korrikut.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama