Myler Qava ne 2012-en te shtunen do te qajne italianet

Myler: Qava në 2012-ën, të shtunën do të qajnë italianët

Tomas Myler është plot vetëbesim. Sot, dhimbja e ka bërë më të fortë. Nuk e ka harruar ende eliminimin në gjysmëfinale në Europianin e 2012- ës, ku Italia kaloi çdo pritshmëri dhe hodhi Gjermaninë në nokaut me dy goditje të Mario Balotelit. Dhe, për këtë arsye, ai premton se Gjermania do të kërkojë revanshin për eliminimin e papritur në Varshavë.

Myler

Lotët e 2012-ës

Bomberi i kampionëve të botës, i cili nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës këtë Europian, edhe pse turnetë janë fusha e tij e preferuar, pranon se ndoshta për herë të parë në karrierën e tij ajo humbje e 4 viteve më parë e ka bërë të derdhë lot. "Isha shumë i zhgënjyer në atë moment, edhe për faktin se hyra në fushë si zëvendësues dhe për faktin se kishim shans ta kthenim atë ndeshje. Qava në fund të ndeshjes, por nuk më vjen aspak turp që e bëra", tregon gjatë një interviste për "Sport Bild" 26-vjeçari.

"Do qajë Italia"

Por ata lot do jenë motivimi më i mirë që historia të ketë një tjetër fund të shtunën në Bordo, atje ku në orën 21:00 "Stade de Bordeaux" do të shndërrohet në skenën e asaj që mund të konsiderohet finalja e parakohshme e turneut. "Unë isha i zhgënjyer dhe i derdha ata lot, por në 2016-ën nuk do të ketë lot", shtoi Myler.

Myler

"Vijmë më të fortë"

Sulmuesi thotë se nuk është optimist për shkak të ndjesive personale, por ka fakte për të besuar te kualifikimi i Gjermanisë në gjysmëfinale. "Kemi treguar se jemi gati për të tilla sfida me eliminim direkt. Mbrojtja jonë është solide (e vetmja skuadër që nuk ka pësuar ende gol) dhe skuadra është shumë e bashkuar. Pastaj, nuk do jetë çerekfinalja ndeshja jonë e fundit e këtij turneu. Jam optimist se mund të bëjmë hapa të tjerë përpara".

Pranon vështirësitë

Megjithatë, Myler e pranon se "klasikja" me Italinë mbetet gjithnjë një ndeshje e vështirë për t'u fituar. "Ndeshja do të jetë e vështirë pa diskutim, por është e kalueshme. Të gjithë janë duke folur për mbrojtjen italiane, e cila bazohet te blloku i lojtarëve të Juventusit. Por mbrojtja e tyre nuk është e pathyeshme dhe Europiani e ka treguar këtë gjë: çdo mbrojtje është e thyeshme, përfshirë edhe ajo italiane", përfundoi Myler.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama