Z. Zifla, a u ndjetë mirë me trajtimin që i bëri regjisori personazhit së Alfredit te “Vizita e damës plakë”?
Po. Londo u përpoq ta sjellë pjesën sa më afër aspektit njerëzor. Gjithë marrëdhënia që u ndërtua mes personazheve bazohej te njerëzorja. Ishte qasje interesante.
A ishte e vështirë loja në një skenë pa objekte?
Mungesa e dekorit e bën të vështirë interpretimin. Problemi qëndron deri sa kuptohet trajtimi regjisorial, kuptohet logjika e regjisorit, dhe pastaj nuk ka më pengesa. Regjisori e ka zhveshur nga dekori për të treguar të vërtetën e asaj që ndodhi.
Në prezantimin e shfaqjes pohuat që teatri këto kohë është më afër filmit…
Mendoj se loja e aktorit në teatër tashmë nuk ka më nevojë për shumë artifice për të komunikuar me publikun. Ka ikur koha e asaj lojës së vjetër me të cilën jemi mësuar.
Përse jeni parë pak në teatër? Zgjedhje e juaja kjo, apo mungojnë ofertat nga regjisorët?
Nuk kam pasur mundësi. Së pari nuk kam qenë këtu. Kur kam mbaruar shkollën-ka qenë koha e emërimeve atëherë- nuk kam qenë i emëruar në teatër. Ika në Tepelenë, ku punova në Shtëpinë e Kulturës, pastaj kam qenë në Greqi deri në vitet 2000.
A bëhet teatër në rrethe?
Nëse bëhet fjalë për Tepelenën, jo.
Po në teatrin “Bylis” ku ju punoni prej tri vitesh? A funksionon siç duhet teatri, me një kalendar shfaqjesh, me një publik që ndjek rregullisht shfaqjet?
Nuk ka një normë. Bëhet 1 premierë në vit, ndodh të mos bëhen fare. Fieri ka një publik interesant që e ndjek teatrin. Të ndalojnë në rrugë e të thonë, na ka marrë malli të shohim teatër.
A mund të bëni një krahasim me shkollën shqiptare të filmit dhe asaj greke, duke u bazuar te përvoja e bashkëpunimit me kinemanë greke për filmat?
Nga kontaktet që kam pasur, mendoj që shkolla këtu është më e mirë. Këtu merren me detajin, me etydin, ndërsa atje kjo mungon. Për mua ky është deficit shumë i madh. Po atje ekziston një klimë artistike më e mirë, qoftë në teatër, qoftë në kinema. Këtu kjo klimë mungon. Nuk ka dashamirësi për artin. Aktorët paguhen keq. Për të parë një shfaqje, spektatori paguan 2-3 mijë lekë. Ka një mungesë interesi për artin në përgjithësi.
Përse u larguat nga Greqia?
Nuk kam menduar ndonjëherë të rri atje.
Edhe pse keni punuar në një klimë më të favorshme?
Më pëlqen të jetoj këtu. Profesioni është një pjesë e jetës, pjesë shumë e vogël ndonjëherë.