LeBron Xhejms ka mbajtur premtimin që u kishte dhënë tifozëve të Kliveland Kavaliers duke i dhuruar kësaj skuadre titullin kampion në NBA. Lideri i Kliveland u shpall MVP (lojtari më i vlefshëm) i finaleve, pasi udhëhoqi ekipin e tij në suksesin 4-3 ndaj Golden Steit Uorrios.
Kliveland ishte shumë pranë dështimit në finale për të dytin vit radhazi përballë Uorriors, pasi u gjendën në disavantazhin 3-1 në këtë seri. Por Xhejms udhëhoqi ekipin e tij në një përmbysje epike, të finalizuar me fitoren 93-89 në ndeshjen e 7 dhe të fundit, pikërisht në fushën e Uorriors.
Ylli i Kavaliers realizoi 27 pikë, 11 topa në tabelë dhe 11 asist, duke qenë i pandalshëm në fushën e lojës, ndërsa me të drejtë shpërtheu në lot në momentin kur ra sirena për mbylljen e takimit, pasi kishte vënë si objektiv të karrierës t'i sillte një titull skuadrës së shtetit të Ohaios.
Asnjë ekip i Ohaios nuk fitonte një trofe kombëtar në një prej sporteve kryesore në SHBA prej 52 vitesh, gjë që e bën suksesin e Kliveland edhe më domethënës.