Vjen "match point" i parë për Golden Steit. Kampionët në fuqi të NBA-së kanë bërë ligjin në "Quicken Loans Arena" duke e mbyllur finalen e katërt në favor 108-97 kundër Klivlend Kavaliers dhe duke e çuar serinë në avantazh 3- 1.
Tashmë Uoriors janë në prag të rikonfirmimit si kampionë të Amerikës të martën, pikërisht përballë publikut vendës. Për të arritur te suksesi vlejti një super-Stefen Kurri, por edhe Klei Tompson.
Pas tri finaleve të para jo shumë produktive, tek e katërta "Splash Brothers" janë rikthyer duke shkëlqyer, sikurse bënë përgjatë sezonit të rregullt duke shënuar 63 pikët nga 108 në total.
MVP ka "veshur" sërish rrobat e një lideri të jashtëzakonshëm me një shfaqje prej 38 pikësh (7 trepikësha), duke përfshirë 13 në periodën e fundit, gjithashtu edhe 6 asiste dhe 5 topa në tabelë. I rëndësishëm ka qenë edhe kontributi i Grin, i cili ka neutralizuar në çdo mënyrë rrezikun e rivalëve, duke përfshirë edhe yllin e tyre LeBron Xhejms.
Ndeshja ka qenë e ekuilibruar dhe shkoi pikë më pikë për t'u vendosur nga miqtë pikërisht në fundin e saj. Një minutë nga fundi i periodës së tretë tabela elektronike tregon një përmbysje të rezultatit 79-73 për kampionët.
Xhejms dhe shokët e tij nuk u dorëzuan dhe 11 minuta nga fundi i krejt finales rikuperojnë në -2 pikë (81-79) me një avantazh të shkëlqyer të pjesshëm.
Fundi ka qenë fatal për vendësit që gabojnë 9 gjuajtje radhazi dhe Golden Steit shkëputet. 3'22" nga fundit Kurri u jep qetësinë të vetëve 96-86, epërsi që e menaxhojnë me qetësi.
OLGERT SERANI