NO BEL PRIZE/ Perse nuk e mori Kadare?

NO BEL PRIZE/ Perse nuk e mori Kadare?

Rudolf Marku: Gjykojeni Nobelin nga munguesit e mëdhenj

Ashtu siç ndodh që kriteri i vlerësimit të një Antologjie Letrare bëhet jo nëpërmjet autorëve që janë përfshirë në Antologji, sesa nga autorët që nuk janë përfshirë, po ashtu dhe çmimi “Nobel” do të duhej të gjykohej nga munguesit e mëdhenj të tij. Në vitin e hershëm 1901, për herën e parë çmimi “Nobel” i jepet Sully Prudhomme-it, një poet dhe eseist francez. Dhe të mos harrojmë që asokohe dy gjigantë të letërsisë botërore, që peshojnë sa 1000 Prudhomme të marrë së bashku- Lev Tolstoj dhe Anton Checkov- janë të gjallë dhe u mohohet çmimi. Jashtë çmimit “Nobel” kanë mbetur po ashtu dhe Henrik Ibsen, Mark Twain, August Strindberg (të cilit iu dha ironikisht një çmim anti-Nobel nga admiruesit e tij të shumtë), Marcel Proust, Franc Kafka, Cavafy, Ezra Pound, James Joyce, W.H. Auden, R.M.Rilke, L.F. Cèline, Pessoa, E. Waugh, Salinger, John Updike, R. Bolâno, Ismail Kadare…

 

Më e drejtë se këta shkrimtarë të shquar kanë mbetur jashtë çmimit “Nobel”, do ishte të thuhej se në të vërtetë është çmimi “Nobel” që ka mbetur jashtë tyre…Fatkeqësisht, balanca e shkrimtarëve të shquar që nuk e kanë marrë çmimin “Nobel” peshon shumë më tepër nga shkrimtarët shpesh mesatarë, madje ndonjëherë edhe të panjohur, që janë nderuar me këtë çmim. Shumë pak e dinë se një shkrimtar finlandez i quajtur Frans Eemil Sillanpää, apo një shkrimtare amerikane e quajtur Pearl Buck, janë fitues të çmimit “Nobel”. Në vitin 1917, “Nobel”-i iu dha madje dy shkrimtarëve njëherësh, sikur Akademia të qe e vetëdijshme se asnjëri prej tyre veçmas nuk përbënte një shkrimtar me aq dinjitet sa të meritonte çmimin prestigjioz (Karl Adolp Gjellerup, poet dhe Henrik Pontoppidan, prozator danez).

 

Kritikët e çmimit “Nobel” kanë folur për konjukturat politike në përzgjedhjen e fituesve të “Nobel”-it. Akademia suedeze, e cila shpeshherë është një refleks i psikës socialdemokrate suedeze të political correctness, ka refuzuar të përkrahë shkrimtarin e shquar Salman Rushdie në vitin 1989, pasi Ayatollah Khomeini lëshoi fatwa-në famëkeqe për vrasjen e shkrimtarit. Dy anëtarë të Akademisë, në shenjë proteste, patën dhënë dorëheqjen. Zgjedhja e vitit 2005 ndoshta mund të ketë qenë njëra ndër zgjedhjet më të këqija, së bashku me zgjedhjen e italianit Dario Fo. Harold Pinter është një dramaturg pa origjinalitet dhe pa forcë, një shkrimtar që, për nga format shprehëse, endet mes S.Becket-it dhe E. Jonescos, por pa patur imagjinatën dhe forcën e sarkazmës së asnjërit prej tyre. Shumëkush e shpjegoi zgjedhjen e tij për arsyen e kundërshtisë skenike që Pinter i pat bërë pushtimit të Irakut dhe politikës së jashtme amerikane. Ndërsa zgjedhja e artistit performativ italian, Dario Fo, vetëm e vetëm pse ai është kundër katolicizmit, është shpërblimi më i dyshimtë i mediokritetit artistik.

 


Dy vite më parë çmimi iu dha shkrimtarit kinez Mo Yan. Është në nderin e shkrimtares gjermane, Herta Muller (edhe ajo fituese e “Nobel”-it) të tallej për këtë zgjedhje. Shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges ka qenë i nominuar disa herë për çmimin “Nobel”, por Akademia ia ka refuzuar dhënien e çmimit për shkak të përkrahjes që ai i paska dhënë të djathtës kiliane (e pavërtetuar kurrë), në një kohë që po kjo Akademi ka nominuar shkrimtarë që haptazi kanë përkrahur Stalinin dhe diktatura të majta (rasti i Sartre, Nerudës dhe Shollohov)…Krijimtaria e shkrimtarit Ismail Kadare e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”, dhe kjo nuk përbën më asnjë sekret për njohësit e mirë të letërsisë. Por fakti se shkrimtarëve më të mëdhenj iu është mohuar ky çmim, shpjegon arsyet përse një shkrimtari si Kadare,vepra e të cilit i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një zë sa origjinal aq dhe të fuqishëm njeriut të sotëm modern, i mohohet përsëri çmimi “Nobel”.

 

Kadare ka folur dhe vazhdon të flasë nga një vend dhe nga një gadishull i mbushur me tragjedi njerëzore, nga një vend që paragjykohet- me dashje dhe padashje- në mediat e botës, duke u bërë pre e ca stereotipeve të mendësisë së klasit të katërt. Dhe në krijimin e këtyre stereotipeve kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë me një zell të frikshëm dhe ne shqiptarët, me snobizmin tonë provincial, tek besojmë se të gjitha fatkeqësitë ndodhin vetëm në shtëpinë tonë, dhe se vetëm shkrimtarët që marrin çmimin “Nobel” janë vërtet shkrimtarët më të mëdhenj, dhe se vetëm shkrimtarët që kanë emra të huaj janë shkrimtarët më të shquar…

 

Ylljet Aliçka: Ne, jo Kadare, kemi nevojë për këtë çmim

Më duket e pamundur  të gjejmë apo gjykojmë arsyen se pse Kadare apo çdokush tjetër kandidat nuk e fiton çmimin “Nobel”.

Por, nëse na duhet të kërkojmë anën pozitive të humbjes së radhës, them se kjo gjendet te fakti që për dekada me radhë, një autor shqiptar që shkruan në gjuhën shqipe është i pranishëm në listën e të nominuarve për çmimin “Nobel”.

Veçse për ne shqiptarët, zhgënjimi do ishte më i madh, nëse (është thjesht hamendësim) mosdhënia nuk buron nga vlerësimi estetik apo nga ajo që Komisioni Nobel nderoi shkrimtarin Modiano, pra “nga arti i kujtesës që zbulon universin e pushtimit” (nuk di që kjo vlerë t’i ketë munguar ndonjëherë veprës së Kadaresë), por nga ndonjë paragjykim i mundshëm.

Hamendje e tillë më vjen ndër mend kur kujtoj se çmimi “Nobel” i është dhënë dhe një shkrimtari që, as më shumë e as më pak, propozoi “ndarjen e Shqipërisë mes Italisë dhe Jugosllavisë dhe shpërnguljen e shqiptarëve myslimanë në Turqi” (Bogdan krizman:1977, L’analyse  du Dr Ivo Andriç sur l’albanie de l’anne 1939, vol 2, Zagreb, P.77-89).

Vetë historia e çmimit “Nobel” është karakterizuar nga polemika dhe kontestime të nxehta, ku jo rrallë kriteri i “idealizmit”, i fiksuar në testamentin e Alfred Nobel-it, është kompromentuar nga konsiderata politike apo gjeografike.

Sipas shkrimtarit Philippe Roth, çmimi “Nobel” më shumë bazohet te “vlera e perceptuar e drejtësisë shoqërore, sesa te cilësia letrare”, ndërkohë që sipas kritikut të njohur Laroche “çmimi Nobel po merr një dimension të theksuar diplomatik”.

Vetë përfaqësuesit e Akademisë mbrohen se “ne mbështetemi te vlera letrare, por është opinioni publik e ai mediatik që bën interpretime të tilla politike”.

Sidoqoftë, njihet fakti se Akademia Nobel pranon që ka gabuar jo rrallë me disa monumente të letërsisë universale si: Prust, Lorka, Rilke, apo me motive jashtë sferës letrare, të tilla si: aksh shkrimtar është përkrahës i së djathtës, (Ezra Pound, Borhes), një tjetër përkrahës i së majtës (Gorki), dikush antisemit (Celine) apo një tjetër ithtar i eksentrizmit fetar (Tolstoi…).

Në mbyllje, them se ne s’kemi gjë në dorë të ndikojmë te komisioni gati hermetik i çmimit “Nobel”, as t’i themi Kadaresë shkruaj më mirë që t’i bindësh anëtarët e Komisionit, por të paktën kemi mundësi të mos e shajmë lart e poshtë, pasi më shumë se Kadare, jemi ne shqiptarët e tjerë që kemi nevojë për këtë çmim.

 

Visar Zhiti: Nobeli, nuk i jepet vetëm shkrimtarit…?

Nuk do të doja ta komentoja çmimin “Nobel” pasi shpallet, nuk ka kuptim, sipas meje, nuk ndryshon asgjë, edhe kur shkon atje ku nuk pritej. Është e drejta supreme e atyre që e japin, por meqenëse jam pyetur, po vazhdoj të them diçka, lidhen me të tjerë dhe, i mendoj më me interes se ajo që mund të thosha vetë.

Jam ndodhur në shtëpinë e akademikut, piktorit Ibrahim Kodra në Milano, kur atij i vjen letra akademike që të propozonte me shkrim një emër për Nobelin e atij viti. “Do propozoj dy, – tha maestro Kodra, – Ismail Kadare dhe Carbo Bo… Kadare është djalë i talentuar”, po shpjegonte gjithë dashamirësi dhe duke qenë i moshuar, i shkonte ajo e folur. Ishte viti 1991 dhe bëja një kurs specializimi në gazetën “Corriere della Sera”, mbaj mend kur e gjithë salla e “insertit kulturor” priste me padurim shpalljen e Nobelit të atij viti. Bënin si tifozët e sportit. Gazetari i njohur Cesare Medail, në çantën e tij të shpinës kishte futur libra të autorëve mëtues të çmimit, t’i kishte gati për ç’mund t’i duhej, kur të bënte shkrimin me ngut. Kishte dhe Kadarenë në çantë. – Hë, si thua, do ta merrni? – m’u drejtua mua me zë të lartë nga kreu i sallës, teksa po hapte kompjuterin e tij. – Ne, italianët, nuk kemi këtë vit…– E meritojmë, – i thashë.

Po prisnin orën, kur një gazetare e vjetër klithi: – Një grua më së fundi, pas kaq vitesh, Nadine Gordimer. Ndoshta ngaqë u trishtova që nuk iu dha Nobeli bashkatdhetarit tim, gazetari Cesare Medail më tha që ta zgjidhja unë fotografinë e shkrimtares jugafrikane Gordimer që do të shoqëronte artikullin. Zgjodha një ku ajo ishte me qenin e saj dhe i dukeshin gjunjët, kështu është botuar atëherë në “Corriere della Sera” dhe ai, Cesare Medail, duke u ndjerë mik me mua, më tha me zë të ulët: Kadare e meriton, por aq sa i jepet shkrimtarit, i jepet dhe popullit të tij. Ju nuk jeni gati…  Shtanga. Ai si italian ndoshta kishte parasysh ikjet masive të shqiptarëve në ambasada, me ato anijet-fantazma, stadiumet ku i mbyllën si në kampe përqendrimi. Arrita t’i them pak a shumë kështu që, sipas tij, ne qenkëshim gati vetëm për të mos e marrë Nobelin, por kjo është një lloj padrejtësie. Ai qeshi hidhur. S’e kam harruar, megjithëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet e ne prapë nuk qenkemi gati?! Të jetë vërtet kështu? Që populli ka shkrimtarët që meriton dhe e anasjellta, që shkrimtarët kanë popullin që meritojnë? Të dy palët bëjnë njëri-tjetrin? Dëshpërohem nga mendime të tilla, por të gjithëve na duhet letërsia e mirë dhe me mundime, duke pritur me shekuj, po e kemi.

Në fund të fundit, çmimi “Nobel” paradoksalisht është dhe i padrejtë, se e meritojnë shumë e më shumë shkrimtarë nëpër botë, një pjesë e meriton më shumë se fituesit, sipas një pjese, por e merr vetëm njëri, i cili nuk ia “rrëmben” askujt dhe nuk mposht “kurrkënd”, siç ndodh dhe të trajtohet ndonjëherë.

Rishoh motivacionin e botuar për shkrimtarin e 2014, Patrick Modiano:“Për artin e të kujtuarit… O Zot, mos ne jemi popull që harrojmë më shumë?… ka evokuar fatet njerëzore më të vështirët për t’u kuptuar…pra letërsia është e atyre që e pësojnë historinë dhe jo e atyre që e bëjnë historinë. Jo në anën e më të fortëve, të fitimtarëve, të shtetit. Po letërsia është letërsi, ç’punë ka me halle të tilla? Është fjala për frymën e saj… dhe ka zbuluar universin e pushtimit… atë nazist të Francës, kështu po thuhet, por sipas meje të çdo pushtimi, dhe të atij nga vetvetja, më e keqe, nga diktaturat.

 

Agron Gjekmarkaj: Kadare, një klasik që bën edhe pa Nobelin

Të gjykosh Nobelin rrezikon të konsiderohesh delirant, diletant duke i siguruar vetes një shumicë absolute kundra. Pyetja ‘kush je ti?’ ‘kush është ky?’ të bie mbi kokë me lehtësinë e një shikimi!? Kjo gjithandej, ndërsa në Shqipëri pak më tepër për faktin se një shkrimtar shqiptar qysh nga fundi i viteve ‘70 diskutohet për këtë çmim. Fituesin e shpallur të enjten, një shkrimtar francez, nuk e njoh. E kisha dëgjuar si emër, por si shumë të tjerë që në momentin e parë nuk ke ndonjë interes t’i memorizosh dhe di që ka një libër të botuar në shqip. Natyrisht, kjo mosnjohje nga ana ime nuk e ka penguar atë të marrë Nobelin.

 

Rastësi, paragjykim, mungesë informacioni apo të gjitha bashkë, nuk e kishin bërë të njohur për mua. Ky fakt nuk u heq asgjë cilësive të këtij shkrimtari, që më sa duket, Akademia e Nobelit ia ka njohur nëpërmjet aktit të saj. Stokholmi befasoi në zgjedhje sepse zakonisht ruan disa kritere gjeografike, kontinentale le t’i quajmë. Pak vite më parë një tjetër shkrimtar francez, Le Klezio ishte nderuar me çmimin e madh e të paktën për mua ishte shumë më i njohur sesa Modiano, ndonëse edhe për atë pat një ndjesi surprize. Pra Franca, dy herë në harkun e pak viteve.

 

Natyrisht, vendimi i jurisë më nxit t’i gjej dhe t’i lexoj sa më parë veprat kryesore të këtij autori. Kam bërë të njëjtën gjë kur u shpall nobelist edhe shkrimtari kinez Mo Yan, i cili në gjykimin tim ishte një shkrimtar interesant, por jo në atë lartësi përfytyrimi që kemi për Nobelin. Enigmatike janë shfaqur ndonjëherë vlerësimet e jurisë së famshme suedeze. Tolstoi nuk e ka marrë për shembull çmimin “Nobel”, ndërsa Karduci e Grazia Deleda me shumë më pak peshë dhe ndikim, po. Prusti jo e Prudom po, një habi kjo për vetë francezët. Xhoisi, Kafka, jo e Curcill me kujtimet e tij po (kujtime të mrekullueshme, por çmimin e ka marrë në letërsi). Lui Borges, Kortasar, Fuentes, Sabato, shkrimtarë të përbotshëm jo, është gjetur gjithmonë një vjegë për të justifikuar mosdhënien, ndërsa Dario Fo, një dramaturg jo aq i rëndësishëm po, ndërkohë që italianët do kishin preferuar ku e ku më shumë Dino Buzatin, Alberto Moravian, Mario Luzin, Sanguinetin etj.

 

Pritshmëria e lexuesve duke gjykuar nga çmimet ndërkombëtare, botimet, përkthimet, opinionet kritike, fama pse jo edhe bastet nëse duam, prej disa vitesh shkonte te Kadare, Kundera, Murakami, Filip Roth, Amos Oz, Adonis a ndonjë tjetër, por nuk mbërrinte te Modiano. Por ajo që ne shqiptarëve na intereson më tepër është raporti ynë me këtë çmim, dmth raporti i Kadaresë. Ky shkrimtar i përfolur qysh nga fundi i viteve ’70, pra prej disa dekadash, duket sikur çdo vit ka bërë “faj” që nuk e merr! Por harrojmë të mendojmë se gjatë këtyre dekadave kultura shqipe, letërsia e saj, më i rëndësishmi shkrimtar i saj është aty, prezent në tavolinën e vogël në majë të diskutimit. Cilat janë arsyet që kurora nuk mbërrin? Me siguri nuk mund ta dimë kurrë, por të hamendësojmë nuk e kemi të ndaluar.

 

Një gjë është e qartë për çdo lexues të emancipuar: vepra e Ismail Kadaresë si cilësi letrare dhe si kontribut për mendimin njerëzor prej kohësh mund ta kishte fituar atë, e thënë kjo në raport me historinë e letërsisë, apo me fitues të ndryshëm. Gjuha shqipe si një gjuhë e vjetër e këtij kontinenti e meritonte Nobelin e saj. Por, ajme, gjuhë e vogël e një shteti të vogël shpesh ngatërrestar e të paorientuar qartë gjatë historisë, nga ato shtete të gjykuara si problematike, nëse referencë kemi kohën nga pavarësia e këndej. Shtetet e mëdha e kanë më efikase fuqinë e lobimit, për të mos folur se ndonjëherë lobojmë edhe kundër vetvetes me cicmicet tona pëshpëritëse. Një pyetje që mund të shtrohet: Nobeli, a e bën Kadarenë shkrimtar më të mirë? Sigurisht që jo, thjesht e bën pjesë të një liste më të veçantë. Eskili, Dante, Shekspiri, Balzaku apo Hygoi nuk jetuan në kohën kur harlisej Nobeli e me ç’duket, nuk ia ndiejnë mungesën e pavarësisht se nuk janë nobelistë, mendimi njerëzor nuk bën dot pa ta.

 

Po letërsinë bashkëkohore, a kemi kurajë ta mendojmë pa Xhojsin dhe Borgesin? – Jo, ndonëse nuk janë nobelistë. Unë mendoj që Ismail Kadare është tashmë një klasik i letërsisë botërore, nuk e di nëse do ta marrë ndonjëherë Nobelin, ndonëse e dëshiroj, por as i lutem Zotit në ndonjë kishë, si Mira Meksi, që ta marrë, sepse ai gjithmonë besoj që do të lexohet si Kadare me apo pa “Nobel”, ashtu siç lexohen të gjithë shkrimtarët e mëdhenj të racës e siç harrohen edhe në vendin e tyre ata që nuk janë të tillë, qoftë edhe me Nobelin ngarkuar në kurriz. Pa mëdyshje që do të gëzohesha nëse Nobeli do të kishte mbërritur në Shqipëri. Për të kundërtën asnjëherë, e kundërta është mazokizëm, frustrim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama