NOTAT/ Boateng dhe Myler kalojne klasen Nojer heroi i gjermaneve

NOTAT/ Boateng dhe Myler kalojnë klasën, Nojer, heroi i gjermanëve

Manuel Nojer është kurorëzuar "mbreti" i mbrëmjes së djeshme. Portieri gjerman ishte më i miri në fushën e lojës.

Untitled-1

Falë pritjes në goditjen e fundit, dërgoi skuadrën e tij në gjysmëfinalet e Europianit, pas një ndeshjeje që për hir të së vërtetës nuk ishte më e mira për Gjermaninë.

Joakim Lëv kishte bërë eksperiment me formacionin titullar dhe diçka të tillë mund ta kishte paguar shtrenjtë, por fitorja nga penalltitë i dha një mundësi për ta korrigjuar gjithçka ndeshjen e ardhshme.

Portieri është vlerësuar me notën më të lartë, ndërsa pas tij Hektor dhe Gomez kanë marrë lëvdata. Të dy pjesëmarrës në golin e parë të shënuar nga Gjermania. Mbrojtësi u tregua i saktë nga penalltia, por gjithashtu edhe gjatë 120 minutave të zhvilluara.

Shtynte shpesh në krahë dhe vuri në vështirësi Florencin. Gomez gjithashtu ishte shumë i vlefshëm në të gjitha minutat që qëndroi në fushën e lojës, ndërsa në momentin që doli, skuadra u pa shumë e brishtë në repartin e sulmit.

Një mbrëmje për t'u harruar ishte ajo për Mylerin dhe Boatengun. I pari e ka të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës në Europian, për më tepër gabon një penallti që mund të ishte vendimtare për skuadrën e tij. Gjithashtu, mbrojtësi i "pancerave" shkakton një 11-metërsh në mënyrë amatoreske.

Germany v Italy - EURO 2016 - Quarter Final

Manuel Nojer 7.5
Dukej si një sfidë që nuk do të kishte kurrë fund, por për të nisur zyrtarisht festën e gjermanëve mendoi portieri Manuel Nojer, i cili priti penalltinë e nëntë. Gardiani i gjermanëve ishte vendimtar në ndërhyrjet e tij, por edhe gjatë lojës ai tregoi qetësi dhe siguri, duke rritur optimizmin në radhët e ekipit për një ndeshje tejet të tensionuar.

Jonas Hektor 7
Jep asistin për golin e parë të ndeshjes dhe shënon penalltinë e fundit të saj. Një mbrëmje të tillë, mbrojtësi i Këlnit nuk e kishte parë as në ëndrrën e tij më të bukur. Tani mund ta quajmë pa "frikë hero Hektor.

Mast Humels 7
"Ministër i Mbrojtjes". Kur Boateng është në momente të vështira, e merr ai komandën e lojës në radhët e gjermanëve. Ka edhe luksin për të shënuar një penallti në "lotarinë" e fundit të 11-metërshave. Gjigand!.

Zherom Boateng 5
Një mjeran që do të festojë me pjesën tjetër të skuadrës. Të ishte për atë, Gjermania mund të eliminohej. Një kolos i tillë nuk mund të bëjë këto gabime amatoreske. I dha shpresë Italisë, kur duhet t'i jepte shqelmin për fundimtar.

Benedikt Hëvedes 6
I saktë dhe i sigurt në fazën mbrojtëse. Nuk është shumë prezent në sulm, por bën një ndeshje të mirë dhe është një pikë e fortë për skuadrën e Lëvit. Bën gjithmonë kujdes dhe është i saktë edhe pse luajti në një rol të ri.

Sami Khedira --
Khedira pa notë- Muskujt e tradhtojnë sërish, madje në një ndeshje kaq vendimtare si ajo mes Gjermanisë dhe Italisë. Humbi mundësinë për të qenë "gjenerali" në një luftë, e cila në fund rezultoi e fituar nga gjermanët.

Toni Kros 5.5
Konte kishte përgatitur një "kafaz" për mesfushorin gjerman, duke mos e lejuar të dilte asnjëherë në lojën e tij më të mirë. Eder dhe Pele i hapnin gjithmonë punë dhe e shqetësonin sa herë kërkonte të niste aksionet për Gjermaninë.

Mesut Ozil 6.5
Del në "katedër" vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes dhe merr për dore kombëtaren gjermane. Nuk ishte rastësi goli i shënuar dhe depërtimi në zonën e rreptësisë. Gabon në pikën e bardhë të penalltisë, por për fat Gjermania kalon.

Xhoshua Kimish 6
Vuan shpeshherë mbulimin e rreptë të Matia De Shiljos dhe e ka të vështirë të depërtojë. Gjermania shtyn vetëm nga krahu i tij dhe talenti gjerman nuk dorëzohet për asnjë minutë. I ftohtë dhe i sigurt në penalltinë që go det në fund.

Tomas Myler 5
Driblimi ndaj Kielinit dhe goditja e lehtë ishin të vetmet gjëra për t ' u mbajtur mend ndeshjen e djeshme. Gjermani deri tani ka bërë një Europian për t ' u harruar dhe nuk ka shënuar kurrë. Por, ka ende ndeshje për ta bërë...

Mario Gomez 7
Goli i parë për Gjermaninë lind pikërisht nga shpikja e tij marramendëse. Jep një top perfekt për Hektorin dhe lufton si një luan i vërtetë në sulm. Në momentin kur ai largohet nga fusha, kuptohet rëndësia që kishte në ato minuta.

Bastian Shvajnshtaiger 6
Klasi dhe vizioni i lojës janë gjithmonë arma e tij më e fortë, por në fundin e sfidës i heq paletat me atë penallti të gabuar. Megjithatë Shvajni është një "kockë" e fortë në formacionin gjerman për ndeshjet e ardhshme.

Julian Draksler 6
Nuk ka ndonjë impakt të veçantë në ndeshje, edhe pse provon të surprizojë Italinë me një kthesë të çuditshme. Tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke mos iu dridhur qerpiku përballë veteranit Bufon.

Joakim Lëv 6
Fitorja i jep të drejtë për zgjedhjet që bëri, por formacioni me të cilin luajti nuk është i duhuri për Gjermaninë. U detyrua të bëjë dy zëvendësime për shkak të dëmtimeve. Skema me të cilën mendoi të luante e bënte Gjermaninë më mbrojtëse, ndërkohë që ai kërkonte ta fitonte me çdo kusht ndeshjen. Eksperimenti që bëri mund të quhet gjysmë i suksesshëm, por nëse do ta shohë ndeshjen, nuk do të guxojë të luajë sërish me të njëjtën mënyrë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama