NOTAT/ Si u vleresuan kuqezinjte ne fitoren historike ndaj Rumanise

NOTAT/ Si u vlerësuan kuqezinjtë në fitoren historike ndaj Rumanisë

Armando Sadiku mbetet lojtari më i vlerësuar pas ndeshjes me Rumaninë me notën dhjetë. Goli i sulmuesit i dha fitoren një natë më parë Shqipërisë në ndeshjen e fundit për Grupin B në finalet e një Europiani, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në 1/8-at.

13493446_1200438246642173_624596347_o

Pas tij vjen trajnerin Xhani De Biazi me notën 9, ndërsa Ledian Memushaj plotëson numrin e tre më të vlerësuarve me notën 8,5.

BERISHA 7
- Fantastik tek ajo kthesë e pamëshirshme e Stançiut. Sa për të tjerat mendon mbrojtja dhe Abrashi që kundërshtarët t'i dërgojnë gjuajtjet në tribunë, e megjithatë Titi ishte në lartësinë e kësaj mbrëmjeje magjike.

HYSAJ 7,5
- Klas i pafundmë i një shkodrani që e dashuron futbollin. I kujdesshëm në krahun e tij duke u bërë të qartë rumunëve se aty nuk kalohet. Më pas merr iniciativa edhe në sulm, por mbi të gjitha nuk zhbalancohet asnjëherë ky njeri. Fantastik!

AJETI 8
-Dakord, mund ta ekzagjerojmë pak, por nuk është rastësi të shkëlqesh dy ndeshje në Europian. De Biazi i beson vendin e Canës dhe ai nuk zhgënjen. Presing i lartë, bërryla pa fund për rivalët dhe dalje të shkëlqyera në sulm. Gjeneral në prapavijë.

MAVRAJ 7,5
- Saktësi prej kirurgu dhe qetësi prej veterani. Është ai njeriu që kur të gjithë kthejnë kokën pas i bën të marrin frymë lirisht. I pakalueshëm në markimet një për një dhe i frikshëm në duelet në ajër. Ndoshta meriton pak më shumë se sa Këlnin klasi i tij.

AGOLLI 7,5
- Kapiten dinjitoz në fushë. Mbron, sulmon dhe orienton prapavijën ashtu siç i takon një veterani. Nuk stonon deri në sekondën e fundit dhe i jep një leksion Lenjanit se një ndeshje nuk fitohet me egoizëm dhe dribling, por me disiplinë dhe gjakftohtësi.

LILA 7,5
- Gjysmë note me hatër për zemrën që vë në fushë. Mbron si i çmendur në krahun e tij dhe është gati të lërë këmbët në fushë që rumunët të mos kalojnë. Fiton faulle dhe kombinon mirë me Hysajn në fazën sulmuese, edhe pse ato nuk janë specialiteti i tij. Konstant.

BASHA 7
- Qartazi nuk është ai i kohëve të arta, por mban mirë aty para mbrojtjes. Vertikalizimet i ka me pikatore në 30 minutat e para, por më pas ia del që të çlirohet nga "kafazi" ku e fusnin hera-herës rumunët dhe e ndihmon më shumë skuadrën. Bie disi në pjesën e dytë.

ABRASHI 8
- E pabesueshme se çfarë bën ky njeri. Askush nuk vrapon si ai. Shkel çdo centimetër në fushë dhe ndihmon çdo kuqezi që është në vështirësi. Aq shumë presing bëri sa në momente të caktuara edhe vetë "bijtë e Drakulës" menduan se ai nuk ishte human, por një hije që i shoqëronte kudo. Fantastik!

MEMUSHAJ 8,5
- Quajeni "vlonjati magjik". I bën të gjitha: asist, presing, dribling dhe faulle të fituar... Monumental! Po, ishte ai gjenerali i armatës që fitoi atë betejë epike kundër rumunëve. I vetmi që i jepte frymëmarrje Shqipërisë, i vetmi që kërkoi me ngulm edhe golin e dytë.

LENJANI 6,5
- Për të mos e prishur festën, nuk po ia ulim gjysmë note. I pabesueshëm rasti që humbi me portën bosh (edhe pse anësoi ngriti flamurin...). Më pas nervozohet dhe e tepron me egoizmin në fushë duke mos pasuar në momente vendimtare.

SADIKU 10
- Si numri që mban në fanellë. Gjysmë rasti për gol dhe ai e dërgon në rrjetë. Kundër kujt? Kundër atyre që pësuan vetëm 2 gola në eliminatore dhe barazuan me Zvicrën. Vrapon si i çmendur, shtyn, shkelmon, çorienton rivalët dhe shënon. I pari gol në një Europian. Po, tani u bë i përjetshëm!

ROSHI 7
- Sprinte pa fund për aq minuta sa është. Si rrallëherë, më shumë luan me tru sesa me këmbët e tij të shpejta. Fiton kohë sa herë ka topin, u ikën kundërshtarëve si të ketë dëshirë dhe në fund i jep një ndihmë të madhe skuadrës edhe pse në të majtë.

BALAJ 7
- Nuk mund të ikte nga ky Europian pa luajtur disa minuta. Qoftë edhe për atë gol magjik ndaj Portugalisë. E bën mirë rolin e "pykës" në sulm duke fituar hapësira dhe duke e mbajtur mbrojtjen rumune në presion.

CANA 7
- Jo për paraqitjen që bën dhe për topat e rrezikshëm që largoi në ato pak minuta, por për faktin se tregoi se është një kapiten europian. Ndoshta çdo futbollist tjetër që do kish 94 ndeshje mbi shpinë do kish dashur ta niste titullar, por Loriku e pranoi edhe stolin.

DE BIAZI 9
- La Canën në stol, nuk kish as beniaminin e tij, Kukelin, në fushë e megjithatë fitoi një ndeshje historike. Skuadra është e disiplinuar në fushë dhe e shkurtër, duke mos i lënë mundësi teknikës së lartë rumune që të vallëzojë si dikur kur na masakronin 6-1. Shqipëria e fiton me katër mbrojtës të deklaruar, me dy mbrojtës të tjerë të transformuar si mesfushorë (Lila e Lenjani) me dy shkatërrues si Abrashi e Basha, me një fantazist që sapo ka lënë Serinë B (Memushaj) dhe me një sulmues si Sadiku që nuk luan as te Reali dhe as te Bajerni, por te Lugano. Kjo është Shqipëria e De Biazit.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama