Një ditë pas ndeshjes me Zvicrën në Lens të Francës, trajneri i Kombëtares Xhani De Biazi vlerësohet me notën më të lartë (7) për zëvendësimet e goditura në fushë, në kohën kur skemat iu prishën me pësimin e golit në minutën e gjashtë dhe më pas me daljen me karton të kuq të kapitenit Lorik Cana.
Futbollistët që kanë marrë notën më të lartë në sfidën e djeshme janë Abrashi dhe Kukeli (6.5), ndërsa vlerësimin më të ulët e kanë marrë Cana, Sadiku dhe Gashi (notën 4).
BERISHA 5
Dy nota më pak për atë dalje të gabuar që i kushtoi golin e humbjes Shqipërisë. Më pas bën disa pritje të jashtëzakonshme, por të pësosh që në minutën e 6-të një gol aq naiv, nuk të shpëton nga kritikat.
HYSAJ 5,5
Asnjë inkursion nga ata që na ka mësuar muajt e fundit, por i jep një asist të përkryer Sadikut, që gjithsesi nuk e shfrytëzoi. Më pas, në hije duke vuajtur presingun e një lojtari të frikshëm si Rodrigez.
CANA 4
Zhgënjimi i ndeshjes. Një të verdhë të pafalshëm në gjysmëfushën kundërshtare dhe më pas një të verdhë tjetër për një vendosje jo të mirë në duelin me rivalin. Kishte mënyra të tjera për të hyrë në historinë e këtij Europiani, por jo si lojtari që mori të kuqin e parë.
MAVRAJ 6
I humbet Shar në momentin që shënoi golin. Më pas një ndeshje në rritje dhe kthehet në shtyllën e mbrojtjes. I fortë në luftën në ajër dhe i kthjellët kur shumë të tjerë i kapte paniku.
AGOLLI 6
I ashpër pa masë dhe nuk dorëzohet asnjëherë në duelin me Shaqirin. Përpiqet të japë asiste të vyera, por i dërgon në hapësira ku fanellat kuqezi nuk duken. Konstant.
KUKELI 6,5
Përpiqet të jetë pengesa e parë për njëfarë Xhaka, Xhemaili dhe Shaqiri sa herë që ata depërtojnë nga brenda dhe ia del mirë. Më pas spostohet me detyrim në qendër të mbrojtjes dhe nuk stonon. Nëse do të dinte të ndërtonte pak më mirë dhe të lëvizte pak më shpejt, atëherë meritonte 2 nota më shumë pa diskutim...
XHAKA 5
E humb duelin me vëllanë e tij. Vë zemrën në fushë, por jo gjithçka i shkon sipas planit. Hera-herës rivalët i shpëtojnë në mbulim dhe ndonjëherë merr përsipër të sulmojë më shumë se duhet. Në fund e tepron me shenjat e nervozizmit.
ROSHI 5
Gjysmë note me hatër. Asnjë gjurmë në një ndeshje që mund të kishte qenë edhe e tij. Sigurisht, merr topin shumë pak herë, por gjithsesi skuadrës i munguan shpërthimet e tij. E ka të vështirë të merret vesh me Sadikun ashtu si me Cikalleshin. Në hije.
LENJANI 5,5
Shumë dëshirë, por pak rendiment. Agolli e mbështet sa duhet, por dendësia e rivalëve në afërsi të zonës është e padepërtueshme. Në pjesën e dytë pëson rënie dhe e tepron me egoizmin në zotërimin e topit.
ABRASHI 6,5
Po, ai është "Gatuzo i Shqipërisë". Vrapime pa fund dhe punë që nuk i bie shumë në sy, por krijon volum sa për tre në mesfushë. I shkëlqyer asisti për Gashin në minutat e fundit, por shoku i tij i sulmit e "tradhtoi". Mbi mesataren.
KAÇE 4,5
Hyn në vend të Xhakës, por ndëshkohet menjëherë me të verdhë. Më pas vrapon pa fund në fushë, por pa dhënë asnjë shkëndijë se mund të bëjë diçka ndryshe.
SADIKU 4
Heroin me të zakonshmin ndonjëherë i ndajnë vetëm centimetrat. Pati rastin të shënonte golin historik, por e humbi. Pati rastin të bënte historinë për vete dhe për kombin, por nuk ia doli. Lëviz pa fund dhe lufton si luan, por gabon kur i duhet të shënojë. Për t'u përmirësuar.
GASHI 4
Çfarë ke humbur!!! U shpëton kundërshtarëve si dhelpër, ndalon topin me mjeshtëri dhe i vetëm para portierit gabon. Miliona shqiptarë nuk u besuan syve, që ai pra, njeriu i momenteve të vështira, nuk ia doli dot. Fat apo pakujdesi, Gashi humbi rastin e artë të ndeshjes. E megjithatë, të mos e kryqëzojmë. Ndoshta korrigjohet në dy ndeshjet e radhës.
DE BIAZI 7
Debutues, por tregoi se nuk është rastësi që Shqipëria po luan në Europian. Portieri ia prish skemat që në start, më pas e "tradhton" edhe kapiteni.
E megjithatë skuadra e tij nuk zhbalancohet, shfaq karakter dhe pati shanse reale të dilte me pikë ndaj një kundërshtari që kishte më shumë cilësi dhe eksperiencë. Zëvendësime të goditura dhe shumë kurajë kur lë Kukelin në qendër të mbrojtjes. Dje ishte dita kur as portieri, as kapiteni dhe as sulmuesit nuk ia "zbardhën faqen". Ky nuk është problemi i tij.