Skënderbeu humbi mundësitë për ta mbyllur kampionatin një javë para përfundimit të kalendarit, ndërsa fitorja e Partizanit riktheu shpresat për fitimin e titullit në ndeshjen e fundit.
Vendasit patën vështirësi në konkretizimin e aksioneve sulmuese dhe konfuzion në mesfushë, ndërsa miqtë u shfaqën më të rrezikshëm para portës duke surprizuar me golin e Vilës në fund të kohës së rregullt.
Nga vlerësimet e pas ndeshjes, Lilaj ka marrë notën më të lartë për Skënderbeun, ndërsa te Partizani notën më të lartë e ka marrë Vila 8,5 dhe pas tij, trajneri italian Andrea Agostineli.
SHEHI 6 - I pafajshëm te goli. Sa për pjesën tjetër bën repart më vete, edhe pse në dy minutat e para të pjesës së dytë shtyllat e shpëtuan.
VANGJELI 4,5 - Lufton mirë në fazën mbrojtëse, por është inekzistent në fazën sulmuese. I pavëmendshëm te goli, sepse topi i përplaset në trup dhe ai nuk diti të reagonte.
JASHANICA 3 - Pasiguri në minutat e para të ndeshjes, sepse Sukaj nuk është një rival komod, por gjithsesi reziston. E pabesueshme ajo që bën në rastin e golit të pësuar. I spostuar në shtyllën e dytë duke mos mbajtur askënd. A mund të ndodhë kjo me një mbrojtës të kampionëve?!
OSMANI 5 - Më i miri në repartin mbrojtjes. Luan me sakrifica për shkak se është i dëmtuar dhe një dalje huq në minutat e fundit nuk mund t'ia zbehë ndeshjen. Fejzullahu e nxori nga roli në rastin e golit.
ARAPI 4,5 - I peshon më shumë fanella se sa ajo që bën në fushë. Eksperienca nuk e tradhton asnjëherë, por mjaftohet vetëm me fazën mbrojtëse. Latifi ndihet jetim në fazën sulmuese.
LILAJ 6,5 - Më i miri i Skënderbeut. I vetmi që nuk u dorëzua asnjëherë dhe që luftoi deri në sekondat e fundit. Pak i ndihmuar nga pjesa tjetër e skuadrës.
ORELESI 5 - Fragmentar. Sigurisht, Josa i ka dhënë urdhra të bëjë sa më shumë punë "të pistë" në mesfushë dhe ai lufton sa mundet, por rivalët janë maksimalisht imponues dhe muskujt e nigerianit nuk mjaftojnë.
PROGNI 6 - Një pjesë e parë e shkëlqyer, por bie gradualisht në të dytën edhe pse ndihmohet pak nga ekipi. (Nga min 60, NIMAGA 5 - Gjysmë note më pak sepse nxitohet kur ka mundësinë të shënojë. Gjithsesi, e bëri Hoxhën të dridhej në një moment).
LATIFI 6,5 - Fantastik me inkursionet e tij, por Salihi me Xhejmsin janë thuajse gjithnjë në një kohë vonesë. Lufton si të mundet me Fejzullahun dhe shkakton panik në çdo dalje. Hoxha i mohoi një gol thuajse të sigurt.
XHEJMS 4,5 - Nuk merret vesh asnjëherë me Salihin. Përpiqet të krijojë hapësira, por mbetet shumë larg portës. Nuk mori asnjë pasim për gol dhe është shumë kaotik kur ka topin në këmbë.
SALIHI 4 - Merr një të verdhë të panevojshëm dhe humb ndeshjen e Vlorës. Nuk kërcen fare te krosi i Kalarit prej nga erdhi goli dhe shpërdoron një asist të Prognit. Mbrëmje e errët për shkodranin.
TRAJNER MIREL JOSA 4,5 - Ndeshje jo e përgatitur mirë. Kishte në dorë dy rezultate dhe nuk mori asnjë. Skuadra nuk ka shpejtësi në aksionet sulmuese, por ai e mban Salihin 90 minuta në lojë. Qartazi ekipi i tij pati vështirësi të mëdha në mesfushë. Ndërsa Jashanicës duhet t'ia nisë nga e para leksionet për mbrojtjen...
PARTIZANI
HOXHA 7,5 - Dy pritje që mund të vlejnë titullin për Partizanin. Autoritar në kuadrat dhe nuk e humb asnjëherë toruan, megjithëse ndeshja ka presion mbytës.
FEJZULLAHU 6.5 - Me hope. Një pjesë e parë jo e mirë, por është ndryshe në të dytën. I tiji aksioni nga ku u fitua edhe goditja e dënimit që solli golin.
IBRAHIMI 6 - Gjysmë note më pak për atë gabim trashanik kur ia dorëzoi topin Salihit në pjesën e dytë. Gjithsesi, luan mirë tani. Krasniqi duhet të shqetësohet seriozisht për vendin në formacion.
ATANDA 6 - I shkëlqyer në dyluftimet një për një, por ndonjëherë lë shumë hapësira mbrapa. Nuk bën asnjë gabim, edhe sepse Salihi dhe Xhejms janë shumë të lexueshëm në manovrat e tyre.
KALARI 6,5 - Krosimi i golit është i tiji. Rikthim mbresëlënës në formacion duke lënë gjurmë në një ndeshje që mund të rezultojë historike.
BATHA 6 - Vuan pa Felipen në mesfushë, sepse i bie barra ta nisë topin e parë në fazën ndërtuese të aksioneve. I ashpër në dyluftimet për topin e parë dhe neutralizon shpeshherë Lilajn.
TRASHI 6,5 - Një nga ndeshjet më të mira me të kuqtë. Shkatërron, nis sulme, depërton nga krahët. I papërmbajtshëm.
VILA 8,5 - Prej fillimit të gjithë prisnin shumë nga ai, por fati nuk ka qenë me të shpeshherë. Për një moment u duk se e braktisi edhe dje tek ajo shtyllë në fillim të pjesës së dytë. Por nuk u dorëzua dhe shënoi në minutën e fundit të kohës së rregullt. Në kohën e duhur në vendin e duhur. Vila vlen.
FILI 6 - Lufton shumë në pjesën e parë dhe përpiqet të bëjë mirë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Kjo e lodh shpejt dhe Agostineli me të drejtë e zëvendëson. (Nga min 63´ BARDHI 6 - I pavëmendshëm në dy raste që është në zonë dhe topi i shkon dhuratë. Por gjithsesi i jep freski lojës së të kuqve).
TORRASA 7 - Dakord, nuk shënon asnjëherë, por sa shumë punon aty në mesfushë. Qarkullon mirë topin dhe i jep frymëmarrje skuadrës. Pas daljes së tij nga fusha, Skënderbeu fitoi terren kundrejt Partizanit. (Nga min 72´ FAZLIU 6,5 - Hyn me grintën e duhur dhe përhap panik në krahun e Vangjelit.)
SUKAJ 6,5 - Bën repart i vetëm, por markohet ashpërsisht nga kundërshtarët. Gjithsesi, ka meritën që bën presing të vazhdueshëm në zonën e Skënderbeut dhe nuk i lejon mbrojtësit të zhvendosen lart.
TRAJNER ANDREA AGOSTINELI 8 - Fiton një ndeshje gati të pamundur. Pa Felipen, pa Mazrekajn, me Torrasën që i lë ndeshjen 15 minuta nga fundi dhe mbi të gjitha vetëm me një rezultat në dispozicion. Skuadra i bindet dhe në fund shpërblehet. Nëse fiton titullin, mund të bëhet italiani i dytë pas De Biazit më i dashur në Shqipëri...