Na besoni ne se ata kane genjyer

Na besoni ne, se ata kanë gënjyer
Trupi i drejtuesve të institucioneve në fjalë, bëri të ditur dje para medias kalendarin e datës 1 shtator, referuesit vendas e të huaj, 21 studiues, ndër të cilët Beqir Meta, Bernd Fischer, Bajram Xhafa, Jason Tomes, Valentina Duka, Teodor Kareco, Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, Francesco Guida, Alberto Basciani, Marenglen Verli, Patrice Najbor.

“Referencat do të shërbejnë si bazë për të riparë dhe ndryshuar atë që është shkruar për këtë pjesë të historisë së Shqipërisë” tha drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, që para pak muajve, ish- krye e Muzeut Historik Kombëtar, u shpreh për heqjen e mozaikut. “Kjo shënon fillimin e një etape të re në rishikimin e historisë”. Meta shtoi se ai personalisht ka bërë një recencë me 24 faqe vërejtje mbi tekstin e historisë të vitit 2007 i cili, sipas tij, nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga ai i vitit 1984.

Ku është gabuar me Mbretërinë dhe mbretin? Çfarë duhet korrigjuar në tekstin bazë të teksteve të historisë? Kasem Biçoku, drejtori aktual i Muzeut Historik Kombëtar, tha se Ahmet Zogut i veshin të pavërteta si ajo e zbatimit të një politike antikombëtare. “Ahmet Zogu s’ka të bëjë fare me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste”, tha studiuesi i epokës së Skënderbeut. “Se çfarë ka bërë ai, mjafton t’u hedhim një sy teksteve të shkollave të asaj kohe që janë për t’u pasur zili edhe sot”.

Gati i sugjestionuar nga fjalët e veta dhe nga sytë që e shihnin dhe veshët që e dëgjonin, nuk iu duk i tepërt opinioni që po i dilte nga zona subjektive, i zhveshur sa nga logjika e historianit aq edhe nga ftohtësia e qytetarit që në këtë rast e njeh mirë historinë e vendit të tij, si zanat që e ka. “Ai është personaliteti më i jashtëzakonshëm në historinë e popullit shqiptar dhe që krijoi një Shqipëri demokratike”. Zoti historian po bënte të njëjtën gjë si ata “historianët kompilatorë” që kanë shtrembëruar historinë por që “s’kemi pse i akuzojmë, e tillë ishte koha”.Studiuesi i Skënderbeut dhe Shqipërisë otomane, po e deformonte Mbretin edhe ai, por duke e lëvduar.

Ka një lloj historiani në Shqipëri që kur nuk është i veshur me autoritet zyrtar bën propagandë deri sa ta rrëzojë nga karrikja “historianin e keq”. Kur e fiton atë autoritet nga ardhja në pushtet e forcës politike ku militon – historiani vazhdon të jetë anëtar partie jo me teserë, po me zell praktik që i kompensohet me interesa të momentit, karrierë, libra, para dhe mbi të gjitha sedër e gufuar nga vëmendja e masës që, falë shtypit që shpesh merr ç’t’i dalë para, ia qep sytë si të ishte Herodot – prapë e vret këpuca dhe e çjerr ferra që ka lënë pa prerë paraardhësi i tij, “historiani i kohës së Enverit”. Kur të kthehet atje ku ishte, historian i lirë e pa post zyrtar, ka shkruar ndërkaq një faqe tjetër të historisë sipas tij, dhe të historisë sonë dyfytyrëshe.

Duhet shtuar këtu se Meta si drejtues që është (së bashku me drejtorin Biçoku i përket brezit të historianit 55-70 vjeçar që ka përvojën e historigrafisë së djeshme marksiste-leniniste dhe të sotme) nuk përmendi gjëkundi “në kuadrin e rishikimit të historisë” dy burime të rëndësishme: njerëzit dhe paratë, pa të cilët nuk mund të pretendohet një histori e re. Njerëz të painfektuar nga e shkuara dhe paratë që do t’i çonte këta njerëz në arkivat burimore të botës ku ruhen të fshehura në gjuhë të vjetra dhe të sotme edhe historia që nuk njohim.

Po hë për hë, kjo nuk i intereson asnjë prej insitucioneve që po festojnë themelimin e institucioneve të “të parit shtet efektiv shqiptar”.



Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama